Pasojat e pandemisë së koronavirusit kanë ndikuar jashtëzakonisht në lëvizjet e qytetetarëve shqiptarë e të huaj, si në hyrje, ashtu edhe në dalje nga vendi. Hyrjet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj në territorin shqiptar, në muajin mars 2020 janë 272.514. Krahasuar me marsin 2019, ky tregues rezulton me rënie 61.8 % raporton Instituti i Statistikave. Sipas INSTAT, në muajin mars, kur filloi kriza e pandemisë në vend, hyrjet e shtetasve të huaj në vend ishin 95.321. Krahasuar me marsin 2019, ky numër ka rënë me 66.4 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë përgjatë tre muajve të parë 2020 është 573.723, duke rënë me 17.5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019. Në Mars 2020, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe, ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur SHBA, krahasuar me marsin 2019. Përgjatë tre muajve të parë 2020, ndër vendet që kanë hyrjet më të larta të shtetasve në Shqipëri, Anglia ka pasur rritjen më të madhe me 27 % ndërsa uljen më të ndjeshme e ka pasur SHBA me 36.1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Nga ana tjetër, daljet e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga vendi, gjatë muajit mMars 2020, janë 284.929 duke shënuar një rënie me 60.9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit mars janë 175.627. Krahasuar me një vit më parë, ky numër ka rënë 60.5 %. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit mars 2020, janë 109.302, në rënie me 61,5 %.
Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë përgjatë tre muajve të parë 2020 është 1.100.290 duke rënë 12 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.