Robert Lewandowski ka njoftuar përmes kanaleve të komunikimit se do të largohet nga Barcelona në fund të këtij sezonit. Kontrata aktuale e sulmuesit të Polonisë me katalanasit do të skadojë më 30 qershor dhe ndonëse klubi ishte i hapur ta zgjaste edhe për një vit tjetër, sulmuesi veteran ka vendosur të mbyllë këtë kapitull pas katër viteve dhe shtatë trofeve në 'Camp Nou'.

Në një video emocionuese, Lewandowski shprehet i emocionuar dhe thotë fjalët më të mira për Barçën.

"Pas katër vitesh plot sfida dhe punë të palodhur, ka ardhur koha të vazhdoj përpara. Largohem me ndjesinë se misioni është përmbushur. 4 sezone, 3 kampionate. Nuk do ta harroj kurrë dashurinë që mora nga tifozët që në ditët e mia të para.

Katalonja është vendi im në tokë. Faleminderit të gjithëve që takova gjatë këtyre katër viteve të bukura. Një falenderim i veçantë për presidentin Laporta, që më dha mundësinë të jetoj kapitullin më të jashtëzakonshëm të karrierës sime", tha ish-sulmuesi i Bayern dhe Dortmund.

Me Barcelonën Lewa fitoi tre tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit si dhe tre Superkupa të Spanjës. Ai do t’u thotë lamtumirë tifozëve nesër kundër Real Betisit, në ndeshjen që do të jetë takimi i fundit i Barcelonës në shtëpi për këtë sezon.

E ardhmja është në pikëpyetje, pasi Milani dhe Juventusi kanë shprehur interes, por edhe klubet nga Arabia Saudite apo SHBA mund të futen në garë për të bindur 37-vjeçarin polak. E sigurt është se sulmuesi e ka vendosur të ardhmen në mendjen e tij.

Trajneri Hansi Flick foli me fjalë zemre për sulmuesin.

"Biseda shkoi mirë. Ai foli me ekipin dhe i tha lamtumirën. Ka qenë një periudhë e shkëlqyer. I thashë se kam fituar çdo titull me të. Janë nëntë tituj në total. Është një privilegj të kem punuar me të, ai është një profesionist i vërtetë.

Ai është një model, kujdeset për veten, prandaj luan në atë nivel. Tani ai dëshiron një ndryshim, dëshiron të lëvizë. Është mirë për të dhe për klubin. Ai është një person i shkëlqyer dhe një lojtar i shkëlqyer", tha Hansi Flick.