Ashtu siç tashmë është bërë traditë, në Zadrimë të Lezhës është zhvilluar panairi i gjelit të detit. Fermerët e zonës së Lezhës, por dhe me gjerë janë bërë pjesë e këtij panairi për të promovuar produkte vendase dhe mbi të gjitha bio. Aktiviteti i organizuar në kuadër të Muajve të Bujqësisë ka për qëllim promovimin e agroturizmit të zonës.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti i cili tha se, “tradita e gjelit të detit të Zadrimës duhet mbrojtur me xhelozi, pasi është unike dhe tashmë është një markë shqiptare”.

Por, sipas ministrit të Bujqësisë duhet investuar më shumë për promovimin e kësaj tradite në tregjet europiane, pasi është një produkt mjat i kërkuar. “Mishi i gjelit është shumë i pasur me vlera ushqimore. Ne duhet të investojmë më shumë për promovimin e kësaj tradite në tregjet europiane. Fatmirësisht, bujqësia dhe blegtoria shqiptare konkurron denjësisht me cilësinë”, u shpreh Panariti.

Ajo që mbetet sfidë, tha ministri, është që mbarështimin e gjelit të detit mos ta lemë si diçka sezonale, por që të shtrihet gjatë të gjithë vitit. Sipas tij, tregu i jashtëm ka shfaqur mjaft interes për këtë produkt.

Në këtë aktivitet, ku ishin të pranishëm përfaqësues të tjerë të ministrisë së Bujqësisë dhe fermerë e blegtorë të zonës, u organizua dhe një minipanair me produkte të prodhuara në krahinën e Zadrimes.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com