18-vjetori i Pavarësisë së Kosovës u festua edhe në Lezhë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, u organizua një aktivitet i larmishëm artistik me protagonistë nxënësit e shkollave të qytetit dhe artistë të ndryshëm lezhjanë.
Poezitë patriotike, këngët dhe vallet me motive kombëtare u interpretuan me mjeshtëri dhe emocion nga nxënësit dhe artistët e pranishëm, duke tërhequr vëmendjen e te pranishmeve që kishin mbushur sallën e Pallatit të Kulturës.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, dhe Drejtori Rajonal i Arsimit, Hasan Muça, u shprehën se ky përvjetor i Pavarësisë së Kosovës vjen në një moment hidhërimi dhe padrejtësie që, sipas tyre, po u bëhet katër udhëheqësve kryesorë të UÇK-së.
“Për ne është ditë krenarie dhe ditë gëzimi por edhe ditë dhimbjeje sepse jemi në prag të një gjyqi e një padrejtësie shumë të madhe që bëhet ndaj 4 personazheve më të rëndësishme të historisë së Kosovës. Me këtë aktivitet ne frymëzojmë sado pak për kujtimin e pavarësisë së Kosovës por japim edhe një mbështetje morale për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin” tha Ndreu.
“Historia ka treguar që zakonisht dënohen fajtorët por nuk ka ndodhur kurrë që të gjykohen çlirimtarët. Është një moment sa komik po aq dhe tragjik, por na bën më të fortë. Jemi krenarë që Kosova dhe Shqipëria në përjetësi do të jenë si shqiponja që fluturon drejt majave më të larta” tha Muça.
Veprimtaritë për Pavarësinë e Kosovës janë kthyer tashmë në një traditë të përvitshme në Lezhë, duke dëshmuar se shqiptarët janë bashkë kudo që ndodhen.
Komente










