Me shumicë votash përfshirë dhe opozitën (30 pro, 1 kunder, 3 abstenim), Këshilli Bashkiak i Lezhës miratoi buxhetin e vitit 2025, i cili kap vlerën e 22.7 miliard lekë të vjetra ku 42.3 % do të shkojë për investime publike, 29% për paga dhe 28.7% për mallra dhe shërbime.
Duke folur para këshilltarëve, Kryetari i Bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu e konsideroi buxhetin si më të madhin në historinë e kësaj njësie vendore i cili vjen për herë ta parë më zero borxhe të mbartura.
Kundër buxhetit votoi vetëm këshilltarja e PD, Alfrida Marku, ndërsa tre të tjetër abstenuan. Marku tha se ky buxhet nuk reflekton problemet e banorëve.
Me buxhetin e vitit 2025 është parashikuar rehabilitimi i 37 km rrugë, 51 akse urbane në qytetin e Lezhës dhe 33 në Njësitë Administrative si dhe rikonstruksionin e 39 ambiente kopshtesh për fëmijët në zonat rurale. Po ashtu me këtë buxhet do të zgjidhet dhe çështja e familjeve të pastreha nga tërmeti, ndriçimi rural dhe menaxhimin e mbetjeve me ndarjen e tyre në burim.