Lezha ka nisur përgatitjet për sezonin turistik, i cili do të hapet zyrtarisht në fund të muajit maj. Fokusi kryesor është vënë tek shërbimet, e kryesisht pastërtia në zonat turistike të Tales dhe Shëngjinit.
Gjatë një takimi me operatorët turistikë, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, tha se mbeturinat do të mblidhen sipas një orari të përcaktuar dhe nuk do të ketë kosha, duke paralajmëruar masa të ashpra ndëshkimore deri në ndjekje penale për ata që nuk do të zbatojnë rregullat e vendosura dhe shkaktojnë ndotje.
“Ne kemi ndërtuar infrastrukturën e nevojshme. Kemi përcaktuar oraret për familjarët dhe bizneset. Koshat do të hiqen komplet, do të mbahen vetëm kosha për mbetje të riciklueshme si e gjithë bota. Asnjë biznes i vogël e asnjë i madh nuk mund të hedhi asnjë fije bari jashtë orarit. Do të fillojmë ndjekje penale për të gjithë ata që do të shkaktojnë ndotje mjedisore”, tha Ndreu.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, foli edhe për autostradën Milot-Balldren, punimet e së cilës pritet të nisin së shpejti, si dhe për investimet e tjera infrastrukturore që janë realizuar dhe janë në proces, të cilat do t’i japin një qasje të re turizmit në rajonin e Lezhës.
Numri i vizitorëve dhe turistëve në plazhet e Shëngjinit dhe Tales në Lezhë ka ardhur gjithnjë në rritje gjatë viteve të fundit, falë zhvillimit qe kane marre keto zone dhe përmirësimit të shërbimeve dhe promovimit të vazhdueshëm brenda dhe jashte vendit.
Komente






