LEZHË – Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Shëngjinit ndërsa 3 të tjerë janë vënë nën hetim sepse shpërndanin lëndë narkotik kokainë dhe kanabis të ndarë në doza, gati për shitje.
Në kuadër të operacionit të koduar ‘Shëtitorja’, u arrestuan S. T., 22 vjeç dhe K. B., 23 vjeçe, të dy banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. P., 36 vjeç, banues në Lezhë, M. M., 22 vjeç, banues në Ishull Shëngjin dhe F. G., 25 vjeç, banues në Kosovë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në automjetin e në banesën 2 të arrestuarve, si dhe fizikisht ndaj 5 shtetasve, iu gjetën dhe iu sekuestruan sasi të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe kanabis, të ndara në doza, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.