LEZHË - Është ofruar një zgjidhje për 350 tregtarët në Lezhë që qëndrojnë prej 5 ditësh në protestë në ambientet e tregut. Pasditen e së hënës administratori i tregut iu ka shpërndarë atyre disa njoftime të cilët i ka ofruar Bashkia e Lezhës pas marrëveshjes me Tatim-Taksat.

Në letrat e shpërndara për të gjithë tregtarët thuhet se ata do të paguajnë pranë Bashkisë së Lezhës shumën prej 75 mijë lekësh dhe do të trajtohen si tregtar ambulant.
 
Në këtë tarifë përfshihet edhe siguracioni i tyre si dhe pagesa për hapësirën publike që ato zënë në treg. Kjo është pritur mirë nga shumica e tregtarëve, por ka pasur edhe prej atyre që e kanë kundërshtuar këtë taksë të re të vendosur për ta.
 
Personat që e kanë kundërshtuar kanë qenë kryesisht ata që kanë vetëm një vend në treg pasi sipas tyre iu duhet të paguajnë shumën e njëjtë me ato që kanë dy ose më shumë vende. Madje në disa raste midis tregtarëve ka pasur edhe momente tensioni, pasi ata që e kanë kundërshtuar iu kanë kërkuar dhe personave të tjerë që mos ta pranojnë këtë taksë të re.
 
Kjo duke iu referuar të ardhura që ata sigurojnë që sipas tyre janë tepër të ulëta, dhe nuk mund ta përballojnë. Një arritur në një qëndrim pozitiv për këtë çështje një përafërsi e tregtarëve që e mbështesin këtë vendim kanë nisur të mbledhin firmat, për t’ia dorëzuar më pas administratorit të tregut të Lezhës.
 
Ky i fundit iu ka vendosur tre ditë afat atyre që të marrin një vendim i cili do të dorëzohet në Bashkinë e Lezhës dhe më pas tek Drejtoria e Tatim-Taksave.
 
Megjithatë ofrimit të kësaj zgjidhje tregtarët vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në ambientet e tregut të qytetit, ku do ta kalojnë edhe natën e së hënës të ngujuar. Duhet pritur dita e nesërme për të parë nëse kjo zgjidhje e ofruar do të pranohet nga shumica e tregtarëve me qëllim që tregu i Lezhës të rihapet dhe 350 tregtarët të vijojnë punën.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)