LEZHE - Neglizhenca në trajtimin e të sëmurit ka çuar në pranga një infermier, i cili në vend të mbikëqyrte të sëmurin u ul pranë shoferit në ambulancë. Fatkeqësisht i moshuari ndërroi jetë gjatë rrugës nga Lezha për në Tiranë.

Klodian Dushkaj, infermier në urgjencën e spitalit të Lezhës u arrestua nga policia pasi gjatë transportimit me ambulancë të një 78-vjeçari me inicialet G.B të sëmurë nga Lezha për në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza nuk ka qëndruar pranë të sëmurit për ta mbikëqyrur atë, por është ulur në kabinën e shoferit.

Duke e neglizhuar totalisht kujdesin ndaj tij, i sëmuri ka gjetur vdekjen gjatë rrugës. 31-vjeçari me banim në Lezhë akuzohet për shpërdorim detyre ndërsa arrestimi i tij u bë më 21 dhjetor nga Specialistët e Seksionit Kundër Krimit Ekonomiko Financiar.

Një fakt i tillë është konfirmuar edhe nga drejtori i Spitalit të Lezhës Nevruz Bare, i cili ka pranuar gabimin, siç e quan ai të infermierit, por thotë se 78-vjeçarit i është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.

"Kthimin e menjëhershëm të makinës e ka bërë infermieri sepse ka parë gjendjen e të sëmurit dhe e ka rikthyer menjëherë në spital, pra distanca midis spitalit dhe vendit ku u dërgua i sëmuri është as 1 km dhe ndihmën mjekësore e ka dhënë. Sigurisht që gabimi i tij, ta konsiderojmë gabim, nuk duhet të qendronte në vendin e parë por të qendronte pranë të sëmurit. Me rregullore është që personeli mjekësor qendron pranë kokës së sëmurit, sigurisht. Po unë po konfirmoj që vdekja nuk ka ardhur për arsye të mosdhënies së ndihmës mjekësore, ndihma mjekësore është dhënë në mënyrë perfekte si nga infermieri ashtu edhe nga ekipi i spitalit, " thotë Bare.

Pacientit pasi i është dhënë ndihma e parë dhe pas konsultës mjekësore është marrë vendimi për ta nisur drejt Tiranës. 1 km pasi janë nisur ambulanca është rikthyer sërisht në spital pasi gjendja e tij ishte përkeqësuar. I është ridhënë sërish ndihma dhe është nisur me urgjenc por ka humbur jetën gjatë rrugës, ndërsa infermieri nuk ka qëndruar me të moshuarin por në vendin e parë ët ambulancës.
 
 Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)