LEZHE - Rruga në fshatin Piraj të komunës Blinisht në Lezhë mban emrin e dëshmorit të paqes Gentian Marku, pjesëtar i ushtrisë amerikane, i cili humbi jetën në luftën e Irakut, e megjithatë është lënë në këtë gjendje të mjeruar.

Ky segment rrugor jo më shumë se 1.6 km nuk ka marrë vëmendjen e instancave përkatëse sa i përket investimeve, ndërsa shqetësimi u ngrit nga banorët e zonës, të cilët kontaktuan televizionin A1 Report për këtë problem.

Pamjet e fokusuara nga kamera jonë nuk kanë nevojë për koment pasi flasin qartësisht për gjendjen e rrugës. Edhe në këtë 10 vjetor të përkujtimit të heroit Gentian Marku, rruga që mban emrin e tij nuk do të ketë ndryshime thelbësore. 

rruga e deshmorit lezhe me logo

Komuna e Blinishtit e ka të pamundur që me fondet e saj të ndërhyjeve për asfaltimin e kësaj rruge, ndërsa askush nuk i është përgjigjur projektit të saj për rehabilitimin e plotë.

"Ne me fondet tona, me fondet e komunës disa herë e kemi riparuar, kjo është një zonë fushore, është një zonë ku kanalet kanë vite që nuk funsionojnë. Kemi hedhur me mijëra metër kub zhavor e cakull po kjo rrugë nuk qëndron." shprehet Jak Zhuba, kreu i komunës 

rruga e deshmorit lezhe me logo

Për banorët e Pirajve kjo rrugë është jetike për ta, duke shtuar se lënia në këtë gjendje e poshtëron emrin që mban.

"Shteti duhet ta shohë sepse ka emrin më të madhin që ekziston se ka shkuar ka lënë kockat në Amerikë, kjo është lënë mbrapa dhe Amerika duhet të ecë pak përpara ta shtyjë këtë emër." shprehet një nga banorët.

"Është problemi numër një dmth se ka vite e vite që diskutohet që të bëhet. Komuna ka bërë punën e vet, ka cuar projekte, përvec kësaj ka marrë masa disa herë ka bërë dhe riparimin e kësaj rruge, ka mbushur gropat me fondin e vet personal." shprehet një tjetër banor

Sipas kreut të komunes Jak Zhuba brenda ditës së martë do të nisë ndërhyrja për mbushjen e gropave, një investim ky modest për ta, por këto janë mundësitë e kësaj njësie vendore.

rruga e deshmorit lezhe me logo

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)