LEZHË-Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë në kërkim pasi akuzohen se kishin ngritur një laborator për falsifikimin e dokumenteve përmes përfitimit. Në pranga ranë Pertef Musabelli, 61 vjeç, banues në Tiranë, Henri Haxhiraj, 34 vjeç, banues në Tiranë, Arjan Refugjati, 27 vjeç, banues në Tiranë dhe Erigesji Moriga, 21 vjeç, banues në Korçë, ndërsa u shpall në kërkim Artur Tereziu, 52 vjeç, banues në Elbasan dhe Ilir Mata, 41 vjeç, banues në Tiranë.
Pas hetime 3 mujore, policia organizoi operacionin “Identiteti”, i cili u zhvillua në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, ku kishin ngritur laboratorë në fushën e falsifikimit të dokumenteve, mashtrimeve kompjuterike dhe dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve. Gjithashtu u zbulua edhe një ambient ku ushtrohej aktiviteti i dyshuar i mashtrimit kompjuterik. Këto laboratorë shërbenin për falfifikimin dokumenteve të identifikimit me shtetësi të huja, përkatësisht bullgare dhe spanjolle kundrejt shumë nga 500-300 mijë euro.
Rrjeti i falsifikatorëve, në shënjestër kishte klandestinët që kërkonin të kalonin nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së. Por hetimet provuan se nuk kanë munguar as shqiptarët që kanë kërkuar të kenë një identitet fals si shtetas të vendeve të BE.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në disa ambiente në Lezhë, Tiranë dhe Elbasan, u sekuestruan pasaporta dhe karta identiteti bullgare, karta identiteti spanjolle, pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi italiane, fotokopje dokumentesh të huaja e shqiptare, pasaporta shqiptare, certifikata, 11 njësi kompjuterike, karta bankash, laptopë, USB që përmbanin të dhëna personale të disa shtetasve të huaj të mashtruar nga të arrestuarit.
Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave", "Mashtrimi kompjuterik", "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve", "Fshehja e të ardhurave", "Punësimi i paligjshëm" dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve".