LEZHE- Ka nisur në Lezhë edicioni i 14-të i Festivalit Folklorik Tipologjik Kombëtar të Rapsodëve dhe Instrumentistëve Popullorë.
Për dy nete me radhë, skena e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” do të mirëpresë 16 grupe artistike nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, të cilat përmes këngës, instrumenteve popullore dhe kostumeve tradicionale sjellin në vëmendje pasurinë e folklorit shqiptar.
Të enjten, në natën e parë të festivalit u prezantuan grupet artistike nga Logu i Bjeshkëve, Gurra e Kurbinit me drejtues artistik Vladimir Cara, Tropoja, Mallakastra, Tirana, Gramshi, Lezha, si dhe lahutari nga Kosova, Nazmi Hajdari.
Artistët sollën në skenë këngë dhe interpretime karakteristike të krahinave të tyre, duke përcjellë traditat muzikore dhe identitetin kulturor të zonave që përfaqësojnë.
Pjesëmarrësit vlerësojnë këtë festival si një mundësi të rëndësishme për promovimin e folklorit dhe ruajtjen e traditave ndër breza.
Ndërsa në natën e dytë do të vijojë prezantimi i grupeve të tjera pjesëmarrëse, ndërsa në përfundim do të bëhet vlerësimi i performancave dhe ndarja e çmimeve për artistët, nga juria e përbëre nga Mark Gjoka, Zef Çoba dhe Lek Pecnikaj.
Festivali organizohet nga Ministria e Kulturës, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Tradicionale me mbeshtetjen e Bashkisë Lezhë.










Komente
Komento