Një person ka mbetur i plagosur nga goditja me tytën e një pistolete zhurmuese gjatë një sherri të ndodhur mbrëmjen e sotme pranë shëtitores së plazhit në Shëngjin.

Sipas informacioneve paraprake, konflikti ka ndodhur në një zonë të frekuentuar nga pushuesit. I plagosuri është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Lezhës, ku po merr ndihmën mjekësore.

Policia ka shoqëruar një person në komisariat në lidhje me ngjarjen, ndërsa grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të konfliktit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 21:30, në zonën e lodrave, në Shëngjin, gjatë një konflikti me sende të forta mes dy shtetasve, ka mbetur i dëmtuar shtetasi M. P., i cili është transportuar në Spitalin Rajonal Lezhë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë bërë të mundur shoqërimin e autorit të dyshuar, shtetasit A. Ll. Gjatë veprimeve të para hetimore është gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë sportive zhurmuese, e cila dyshohet se mbahej prej tij.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë dhe dokumentimin ligjor të rrethanave të ngjarjes.