Lezhë- 27-vjecari Mark Prenga, sapo u ngjit në shtyllën elektrike, ra në kontakt me energjnë elektrike, duke mbetur i vdekur në vend. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:40 të së enjtes në fshatin Rrilë të Lezhës. 27-vjeçari Mark Prenga me origjinë nga Gojani dhe me banim në fshatin Pllanë kishte tre vite që punonte pranë Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Sipas të dhënave të para të hetimit, elektricisti ishte njoftuar nga banorët për mungesë të dritave. Së bashku me dy kolegë shkoi për riparimin e defektit në këtë shtyllë elektrike që gjendet vetëm 50 metra pranë nënstacionit elektrik.

Burimet thanë se sapo ka hipur në shtyllë, 27-vjeçarin e ka zënë korenti dhe shkak mund të jetë pakujdesia. Dyshohet se njëra nga linjat paralele nuk ishte stakuar nga punonjësit e nënstacionit, ç’ka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme elektricisit.

Katër persona janë shoqëruar nga policia pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit.  Në komisariat janë marrë dy punonjës të nënstacionit elektrik të Rrilës dhe dy punonjës të OSHEE, mes tyre edhe përgjegjësi teknik. Ata po merren në pyetje prej disa orësh për të sqaruar çfarë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, kur elektricisti ra në kontakt me rrymën dhe vdiq në vend.

Trupi i pajetë i 27-vjeçarit u dërgua në morgun e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen kanë nisur menjëherë hetimet dhe po merren në pyetje të gjithë punonjësit dhe drejtuesit e OSHEE-së në Lezhë që mund të kenë dijeni për rethanat e ngjarjes. Nga verifikimet paraprake dyshohet se nuk janë respektuar rregullat e sigurisë në punë.

Ndërkohë, krahas ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, rrjeti i amortizuar në fshatrat e Lezhës është kthyer në një rrezik serioz për jetën e qytetarëve dhe vetë punonjësve të OSHEE-së.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:14
Elektriçisti humbi jetën në shtyllën elektrike, policia e Lezhës merr në pyetje katër punonjës të OSHEE

Mark Prenga

Katër persona janë shoqëruar nga policia pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Mark Prenga, që humbi jetën teksa punonte në një shtyllë elektrike në fshatin Rrilë të Lezhës.

Në komisariat janë marrë dy punonjës të nënstacionit elektrik të Rrilës dhe dy punonjës të OSHEE, mes tyre edhe përgjegjësi teknik. Ata po merren në pyetje prej disa orësh për të sqaruar çfarë ka ndodhur mëngjesin e së enjtes, kur elektricisti ra në kontakt me rrymën dhe vdiq në vend.

Sipas burimeve zyrtare, punonjësit kanë deklaruar se u është kërkuar vetëm stakimi i linjës dytësore aty ku ishte konstatuar defekti, dhe jo ndërprerja e linjës së tensionit të lartë prej 10 mijë voltësh, me të cilën dyshohet se ra në kontakt 27-vjeçari.

Linjat elektrike kanë qenë paralele me njëra-tjetrën, ndërsa grupi hetimor po verifikon nëse janë respektuar rregullat e sigurisë dhe protokollet për ndërhyrje në rrjet. Hetimet janë në vijim.