Situata e krijuar nga moti i keq në Qarkun e Lezhës vijon të mbetet problematike, kryesisht në Bashkinë e Kurbinit. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3100 hektarë tokë bujqësore ndodhen nën “pushtetin” e ujit dhe shumë banesa janë të rrethuara në fshatrat e Njësisë Administrative të Mamurrasit.

Banorët thonë se prej 24 orësh janë të izoluar, duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme, kryesisht në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

“Problem i madh është neglizhenca e bashkisë. Populli i Kurbinit është në gjumë, nuk e hap njeri zërin e gojës. Nuk është përmbytje është puna e bashkisë së kanali është i bllokuar ka 6 vite.”

“Laçin e ka përmbytur bashkia e Kurbinit. Vetëm baltë e mbeturina. E kanë ngushtuar përroin, është ndërtuar me gjysmën e kapacitetit që mund të përballojë. Vetëm po të bëjnë investime të ri.”

Edhe në qytetin e Laçit, përmbytjet kanë lënë pas dëme të konsiderueshme si pasojë e vërshimit të ujërave. Banorët fajësojnë Bashkinë e Kurbinit për investime të dështuara dhe neglizhencë, duke sjellë këtë situatë mjaft problematike.

“Rruga është e bllokuar. Kafshët janë më problem. Shtëpitë deri më tani nuk janë përmbytur. Deri tek shkallët ka shkuar uji. Baza ushqimore është shkatërruar.”

“Të paktën vetëm të vijnë të na shohin ku jemi. E gjitha për një pakujdesi, për një brez betoni”.

Ndërkohë, me ndërprerjen e reshjeve të shiut, ka një rënie të nivelit të prurjeve në lumin Drin, çka ka ndikuar pozitivisht në evadimin e ujërave në lagjen Besëlidhja të qytetit të Lezhës. Situata po mbahet nën monitorim të vazhdueshëm, pasi nga shkarkimet e HEC-it të Vaut të Dejës, niveli i ujit në lumin Gjadër vijon të mbetet i lartë, duke dalë mbi urën e Zojzit dhe duke sjellë probleme në zonën përreth.


Lajmi kryesor:

Moti i keq/ Vjosa del nga shtrati në Mifol, niveli arrin në 9 m! Aksi Qukës-Qafë Plloçë bllokohet plotësisht nga rrëshqitja e dherave! Përmbytje në Pogradec e Obot