LEZHE-Gjykata e Lezhës ka një ngarkesë shumë të madhe dhe numri i gjyqtarëve për ti shqyrtuar çështjet është shumë i ulët.

Problematika është ngritur nga Kryetarja e Gjykates Ornela Naçellari, sipas të cilës ky është shkaku kryesor i zvarritjes së proçeseve gjyqësore, ndërsa kjo sjell dhe uljen e besimit të qytetareve tek drejtësia.
 
“Gjykata e Lezhës është një nga gjykatat që ka ngarkesën më të lartë dhe numër të pakët gjyqtarësh për shqyrtimin e këtyre çështjeve. Pasojat që vijnë tek qytetarët  në varësi të llojit të çështjes janë të ndryshme por sigurisht këto janë të dëmshme sepse shqyrtimi  i çështjes duhet të bëhet brenda një afati të caktuar më të arsyeshëm dhe më të shpejtë”, u shpreh kryetarja e Gjykatës Lezhe
 
Naçellari shton se këtij problemi i jep zgjidhje vetëm implementimi i hartës së re gjyqësore e kjo nëse bëhet një analizë e mirë e të dhënave statistikore dhe ngarkesës së gjyqtarëve.
 
“Zgjidhja që është zgjidhje gjithëpërfshirëse pra për të gjithë sistemin gjyqësor dhe mendoj unë përfundimtare është implementimi i hartës gjyqësore që parashikohet në ligjin për organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor dhe me hartimin e riorganizimin gjyqësor dhe mendoj që nëse bëhet një analizë e mirë e të dhënave statistikore dhe ngarkesës së gjyqtarëve dhe një riorganizim i mirë i gjykatave, atëherë ky problem nuk do të ekzistojë më”, u shpreh Naçellari.
 
Gjyakata e Lezhës aktualisht ka 5 gjyqtare, ndërsa nga të dhënat bëhet e ditur se numri i çështjeve që trajtohen gjatë një viti shkon afro 4 mijë.

Redaksia Online
B.B/Shqiptarja.com