Pas një nate në luftë me flakët, situata në malin e Shëngjinit paraqitet më e qetë. Zjarri, shpërtheu të premten rreth orës 21:00 pranë lagjes "Sakë" dhe u përhap me shpejtësi nga era.

Gjatë natës në terren punuan forcat zjarrfikëse të Lezhës, Vaut të Dejës, Shkodrës, Mirditës, Portit të Shëngjinit dhe Tiranës, të mbështetura nga Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor dhe strukturat e Emergjencave Civile.

U dëgjua edhe një shpërthim, që dyshohet të ketë ardhur nga një predhë e mbetur në zonë. Ndërkohë, një gur i shkëputur nga mali goditi një automjet, duke plagosur një të ri që udhëtonte si pasagjer.

Në orët e para të mëngjesit operacionit iu bashkua edhe helikopteri i Forcave të Armatosura.

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu dhe drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile inspektuan nga afër operacionin. Ata deklaruan se puna do të vijojë deri në shuarjen e plotë të çdo vatre aktive. Sipas autoriteteve, flakët janë vënë pjesërisht në kontroll dhe nuk ka rrezik për zonën e banuar.

Ndërkohë, autori i dyshuar i zjarrëvënies është arrestuar nga policia. 57-vjeçari Bashkim Alija u ka vënë flakën disa mbeturinave pranë biznesit të tij me lëndë ndërtimi, por më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit. Ai është arrestuar për zjarrvënie e plagosje nga pakujdesia dhe pengim të autoriteteve, pasi kishte hequr regjistruesit e kamerave të sigurisë për të fshehur provat.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:57
Dogji mbeturinat pranë biznesit të tij dhe i vuri flakën malit të Shëngjinit, pranga 57-vjeçarit! Fshiu DVR-nën e kamerave të sigurisë për të fshehur provat (EMRI)

Policia ka vënë në pranga autorin që dogji pyjet në malin e Shëngjinit. Bashkim Alija, 57 vjeç, u ka vënë flakën disa mbeturinave pranë biznesit të tij ku shiste lëndë ndërtimi, por më pas zjarri ka dalë jashtë kontrollit. Në përpjekje për të zhdukur gjurmët, ai ka fshirë edhe regjistrimet e kamerave të sigurisë.

Gjithashtu, zjarri ka shkaktuar shpërthimin e një predhe të pashpërthyer që më pas plagosi një 30-vjeçar, pasagjer në një makinë që po lëvizte në zonë. Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i policisë:

I vuri zjarrin mbeturinave dhe tentoi të fshihte provat, pasi zjarri përfshiu një sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit, falë reagimit dhe veprimeve të shpejta identifikohet dhe arrestohet autori i dyshuar i zjarrvënies.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në zonën e Shëngjinit, specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë një shtetas 57-vjeçar.

Ky shtetas dyshohet se më datë 03.07.2026, në vendin e quajtur “Sagë”, Shëngjin, ka ndezur zjarr për djegien e disa mbeturinave pranë subjektit të tij tregtar, por zjarri ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë dhe djegur sipërfaqe të madhe pyjore në malin e Shëngjinit.

Gjithashtu, gjatë përhapjes së flakëve, në terren ka ndodhur një shpërthim, i dyshuar si i shkaktuar nga një predhë luftarake e pashpërthyer, e cila ka shpërthyer si pasojë e zjarrit në zonën malore. Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. U., 30 vjeç, i cili ndodhej si pasagjer në një automjet që ishte në lëvizje në zonë. Ai ka marrë menjëherë ndihmën mjekësore dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes ka rezultuar se nga ana e shtetasit të dyshuar është hequr DVR-ja e subjektit, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua shtetasi B. A., 57 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor” dhe “Plagosje e lehtë nga pakujdesia”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë apelon për kujdes maksimal nga qytetarët, duke i ftuar të mos ndërmarrin veprime që mund të shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin.

 Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Ora 11:29
Zjarri në malin e Shëngjinit, kryebashkiaku Ndreu dhe Haki Çako në terren (VIDEO)

 

Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Mbrojtjes Civile,Haki Çako, kanë inspektuar nga afër situatën e krijuar nga zjarri në malin e Shëngjinit, pranë lagjes “Sakë”.

Gjatë vizitës në terren, ata u njohën me ecurinë e operacionit për shuarjen e flakëve dhe masat e marra nga strukturat e emergjencave civile. Në prononcimet për mediat, theksuan se forcat zjarrfikëse dhe të gjitha strukturat e angazhuara vijojnë punën për vënien nën kontroll të zjarrit dhe mbrojtjen e zonës së banuar.

Autoritetet apeluan për kujdes maksimal dhe bashkëpunim nga qytetarët, ndërsa operacioni në terren vazhdon.

Ora 10:57
Tjetër vatër zjarri në Lezhë, flakët përfshijnë sipërfaqe me shkurre në fshatin Pllanë

 

Një tjetër zjarr është regjistruar këtë të shtunë në territorin e Lezhës. Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe bimësi në fshatin Pllanë.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e Shërbimit Zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt zonës së banuar.

Aktualisht, operacioni vijon në terren, ndërsa pritet që situata të vihet nën kontroll. Ende nuk dihen shkaqet e rënies së zjarrit.

K.M/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kadriu: 04/07/2026 07:57

    Ambjent-haleiste shqiptare ku jeni? Shqiperia nuk eshte vetem Zvernec, edhe edhe Shengjin. Tani eshte koha per ta treguar tamam veten

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 3 Korrik, 10:41

    Sipas jush, protesta te Kuvendi a ka qenë e dhunshme nga ana e protestuesve?