Vendosja e kamerave për monitorimin e orarit të hedhjes së mbetjeve në Lezhë, në kuadër të skemës së re të pastrimit, ka sjellë debate në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Donika Ndoj, e cilësoi këtë veprim si cenim të privatësisë së qytetarëve, duke argumentuar se kamerat regjistrojnë jo vetëm pamje, por edhe audio.
"Unë nuk jam dakord që këto kamera të jenë me audio sepse cënoni privacinë e njerëzve. Pse duhet të survejohen fjalët e tyre? Ju mund ta menaxhoni pa audio dhe pa ju cënuar privacinë e tyre” tha Ndoj.
Nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, deklaroi se kamerat janë vendosur për të parandaluar hedhjen e mbeturinave jashtë orareve të përcaktuara. Sipas tij, qëllimi i tyre është parandalimi i shkeljeve dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve, jo gjobitja e tyre.
“Nuk ka asnjë dilemë që ajo do bëhet. Ju prodhoni negativitet të forcuar. Mbi 95% e popullatës kanë reaguar pozitivisht. Kemi 30 kamera. Janë në efektin parandalues dhe asnjë prej banorëve nuk është gjobitur” tha Ndreu.
Prej fillimit të muajit qershor, në Lezhë ka nisur zbatimi i skemës së re të pastrimit, ku bashkia ka hequr koshat e mbeturinave dhe qytetarët e bizneset duhet t'i nxjerrin mbetjet vetëm në oraret e përcaktuara, e me pas merren nga automjetet e pastrimit.
Komente





