Publiku mbushi sallën e Pallatit te Kulturës në Lezhë për të ndjekur komedinë “Dy miq të çuditshëm”.

Vepra e shkruar nga Neil Simon trajton historinë e dy shokëve me karaktere krejt të kundërta, njëri i rregullt, i fiksuar pas pastërtisë, ndërsa tjetri është i shkujdesur, kaotik. Bashkëjetesa e tyre kthehet në një burim konfliktesh dhe situatash komike.

Regjisori Alket Bushi e cilësoi këtë produksion një hap të rëndësishëm në zhvillimin e trupës dhe zgjerimin e saj me emra të rinj.

Interpretuan aktorët e rinj Mark Hila, Mario Paloka, Alesia Alcani, Aldri Matija, Ervis Gaspri, Lois Malshi dhe Ermela Qosa, të cilët u vlerësuan për energjinë dhe bashkëpunimin në skenë.

Trupa teatrore “Liss” shënon kështu produksionin e saj të 4-t, duke kontribuar në zhvillimin kulturor të qytetit.