Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka vizituar nga afër zonat e prekura nga zjarri në Kalivaç, ku u dogjën edhe disa banesa.
Për mediat, Ndreu tha se zjarri ka pasur një përhapje të shpejtë, duke u favorizuar edhe nga era e fortë.
Më tej Ndreu theksoi se situata po përmirësohet, pas ndërhyrjes nga toka dhe nga ajri me 2 helikopterë.
“Ka një zjarr, siç e shikoni është një ndër zonat më të thella të Lezhës. Zjarri është përhapur menjëherë, ka pasur edhe erë. Ndërkohë që ne jemi përgatitur, forcat e emergjencave janë përgatitur. Helikopterët kanë ardhur, zjarri ka bërë punën e vet. Ka dëmtuar disa banesa. Jemi këtu te banesa e shtetasit Preng Boci, e cila është dëmtuar thuajse komplet. Kemi evidentuar edhe disa banesa të tjera. Kemi shkuar dhe i kemi parë aty. Por ajo që është pozitive për momentin është që nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është kryesorja. Zjarri tani po vihet nën kontroll, megjithëse ka vatra dhe ne po i ndjekim. Tani po shpërndahen edhe të gjitha forcat këmbësore që do shkojnë në disa vatra ku helikopteri ka bërë punën e vet. Dy helikopterë. Dhe besoj se pas gjithë asaj që ka ndodhur, situata do të vihet nën kontroll. Shpresoj që të jemi në një situatë për përmirësuar orë pas ore. Zjarri është përhapur shumë shpejtë, ka pasur një përhapje rrufe. Zjarri ka hyrë në banesa dhe ka bërë dëme më të mëdha”, tha mes të tjerash Ndreu.
Lajmi kryesor:
Zjarret/ Në Kalivaç të Lezhës digjen disa banesa, raportohet edhe për shpërthime! Në Mallunxë të Matit flakët u drejtohen fshatrave, situata problematike edhe në Dajt-Qafë Priskë (VIDEO)








