Tirane, 5 Mars/ATSH/.- Sipas Radios së Jashtme të Kinës (CRI ), Kryeministri i Kinës Li Keqiang në raportin e punës së qeverisë në sesionin e 3-të Asamblesë Kombëtare Popullore të legjislaturës së 12-të, theksoi se vitin e kaluar zhvillimi i vendit është përballur me një mjedis të ndërlikuar brenda dhe jashtë tij.
Gjatë vitit 2014 Kina ka patur një zhvillim ekonomik e shoqëror të qëndrueshëm, theksoi kryeministri Li.
Ai shtoi se zhvillimi i qëndrueshëm tregohet  nëpërmjet rritjes së qëndrueshme, ku  GDP-ja u rrit me  63.6 trilionë juanë  me një rritje ekonomike prej 7.4%  duke u renditur në vendet e para ndër ekonomitë  kryesore botërore. Punësimi është i qëndrueshëm, pasi  rritja e punësimit në qytete e qyteza ishte 13.22 milionë krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.  Kreu i qeverisë theksoi dhe qëndrueshmërinë e çmimeve.
Në fjalën e mbajtur në sesionin vjetor parlamentar të enjten kryeministri Li Keqiang theksoi se "Struktura ekonomike në Kinë ka shënuar përmirësim të ri, përmes rritjes së vëllimi të prodhimit të drithërave në 12 miliardë kg,  kontributi i rritjes ekonomike në vëllimin e konsumit  është rritur me 3 pikë në një nivel prej 51.2%, ndërsa në sektorin e  shërbimeve është shënuar një rritje  nga 46.9% në 48.2%. Rritja ekonomike në perëndim të vendit është më e madhe se ajo në lindje të tij. Cilësia e zhvillimit pati rritje të re, buxheti publik u rrit  me  8.6%, krahasuar me  shpenzimet dhe  prodhimin e brendshëm bruto, që zë mbi 2%. Shpenzimet në sektorin energjitik shënuan një ulje prej  4.8%."
Ndër të tjera kreu i qeverisë kineze tha se "Niveli i jetetës ka shënuar përmirësim, i shprehur në rritjen me 8% të të ardhurave mesatare për frymë në nivel qyteti dhe qyteze. Të ardhurat për frymë në zonat rurale janë rritur me 9.2%, me një rritje më të  shpejtë se ajo në qytet dhe qytezë.
Niveli i varfërisë në zonat rurale të vendit është pakësuar në 12 milion e 320 mijë, dhe është realizuar furnizimi me ujë të pijshëm për mbi 66 milionë banorë të fshatrave. Mbi 100 milionë kinezë bënë turizëm jashtë vendit. Tashmë ka nisur zbatimi i detyrave kryesore të thellimit të reformave në Kinë dhe është realizuar para afatit  objektivi për lehtësimin e 1/3 së  procedurave administrative.
Gjatë vitit të  kaluar, Kina thelloi reformat dhe hapjen, duke nxitur gjallërinë e zhvillimit ekonomik e shoqëror, deklaroi kryeministri kinez.
"Nëpërmjet thellimit të gjithanshëm të reformave, kemi gjallëruar tregun, duke përballuar rënien ekonomike. Kemi zgjidhur disa probleme të vështira, duke çuar përpara reformat në ekonomi, politikë, kulturë, mbrojtjen   mjedisore, etj.," u shpreh Li Keqiang. Shefi i qeverisë kineze shtoi gjithashtu  se vitin e kaluar, Kina ka nxitur në mënyrë praktike reformat në disa sektorë kryesorë. Në sistemin tatimor e fiskal është përpiluar një projekt reformues, duke zvogëluar më shumë se 1/3  shpenzimet e  posaçme dhe duke shtuar përqindjen e shpenzimeve të zakonshme. Ndërkohë, është forcuar menaxhimi i borxheve në qeverisjen vendore.
Rritja ekonomike e Kinës në 2015 parashikohet në normën 7 %
 Në raportin e veprimtarisë së qeverisë kineze paraqitur në sesionin vjetor parlamentar të enjten, nga kreu i saj Li Keqiang nënvizohet se objektivi i rritjes ekonomike të vendit në vitin 2015 do të jetë 7%, më i ulët se ai i vitit të kaluar që ishte rreth 7.5%. Kjo është norma më e ulët vjetore e rritjes ekonomike në Kinë, që nga viti 1990.
"Gjatë vitit të kaluar zhvillimi ekonomik i Kinës u përball me sfida të vështira në plan kombëtar dhe ndërkombëtar. Rruga drejt rimëkëmbjes së ekonomisë globale ka shënuar ulje dhe ngritje dhe performanca e ekonomive të mëdha ka qenë e ndryshme," theksohet në raport.
Objektivi i rritjes së ekonomisë kineze në rreth 7% "merr në konsideratë nevojat dhe mundësitë.
"Nëse ekonomia e Kinës do të rritet në këtë normë për një periudhë relativisht të gjatë, ne do të sigurojmë themele më të forta për modernizimin e vendit", thuhet në raportin e veprimtarisë së qeverisë kineze.
/f,n/