Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën me BE-në ka ngjallur debate midis eurodeputeteve Dominique Bilde dhe Viola von Cramon, e cila është njëkohësisht Raportuese e Parlamentit Europian për Kosovën.

Viola von Cramon, ka reaguar pas thirrjes së një eurodeputeteje francez që shtetasve kosovarë mos t’iu liberalizohen vizat me vendet e Bashkimit Evropian.

Eudodeputetja Dominique Bilde pohoi në rrjetet sociale se “refuzojmë zgjerimin e BE-së me këtë vend. Ne gjithashtu kundërshtojmë lëshimin e vizave për shumë shtetas të tyre!”.

Bilde është pjesë e partisë së ekstremit të djathtë në Francë, National Rally me në krye Le Pen-in e cila humbi zgjedhjet presidenciale përkundrejt Macron-it.

Von Cramon, nga ana tjetër, ka pohuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe “qytetarët e saj meritojnë, si të gjithë evropianët e tjerë, të lëvizin lirshëm”.

Kujtojmë se edhe presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, ka kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë samitit të fundit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së.

Franca është vendi i vetëm që ka hezituar deri më tani t’i thotë po lëvizjes së lirë për shtetasit e Kosovës, por së fundmi ka lëvizur drejt zhbllokimit të qëndrimit të saj.