TRIPOLI, 11 tetor /ATSH-AFP/ - Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon mbërriti sot në Tripoli me qëllim për t'i dhënë shtysë dialogut të ndërmarrë në fund të muajit shtator në përpjekje të vendosjes së stabilitetit në Libi, sipas një burimi të misionit të OKB-së në këtë vend (UNSMIL).
"Ban, vizita e të cilit nuk ishte njoftuar, do të zhvillojë bisedime me zyrtarët libianë", shtoi burimi.
"Kjo vizitë parashikon veçanërisht t'i japë shtysë dialogut të ndërmarrë nga OKB në fund të muajit shtator", vijoi i njëjti burim.
"Ban do të nxisë palët libiane të shkojnë përpara në dialogun politik për të rikthyer stabilitetin në vend", theksoi zëdhënësi i tij në rrjetin social "Twitter".
I dërguari special i OKB-së, Bernardino Leon bëri përpjekje më 29 shtator për të bashkuar për herë të parë deputetët rivalë, një iniciativë e cilësuar nga OKB si një hap i rëndësishëm drejt paqes.
Parlamenti, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit dhe dominuar nga anti-islamikët, u njoh nga komuniteti ndërkombëtar, por u kontestua nga një koalicion i milicëve, Fajr Libya, që kontrollon Tripolin dhe nga grupet e fuqishme islamike që kanë marrë nën kontroll Benghazin./
/ec/