Banorët e Fshatit Dardhë të Komunës Hotolisht, kanë protestuar kundër marrjes së ujit të pijshëm për ndërtimin e një HEC-i, nga një firmë konçesionare në vendin e quajtur "Gurrat e Bardha".  Banorët  shprehen se " nuk kemi asnjë informacion për ndërtimin e këtij HEC-i, dhe e mësuam vetëm kur pamë fadromat për të gërmuar dhe marrë ujin e fshatit, madje dyshojmë se për të përfituar firma është duke bërë dhe manipulime në ndryshimin e kordinatave vetëm e vetëm që të përfitojë subjekti".

Për ndërtimin e HEC-it nuk është pyetur as kryepleqësia e fshatit, madje as komuna Hotolisht që ka në pronësi territorin, por sipas tyre  dokumentacioni është firmosur nga komuna Qendër e Librazhdit. Për këtë qëllim banorët dhe komuna i janë drejtuar  Kryeministrit  te Shqipërisë dhe Ministrive përktaëse, ku kërkojnë sqarimin e situatës si dhe dhënien në mënyrë abzive të lejes.

Me këtë burim ky fshat ka  qindra vjet që furnizohet, është i vetmi burim jetese, burim i cili përdoret për ujë të pijshëm dhe për vaditje, Sipas banorëve " nga tre burime që kanë "Gurrat  e Bardha",dy i takojnë fshatit Dardhë dhe një burim fshatit tjetër kufitar Spathari.

Banorët thonë  që nëse na merret uji më mirë të na heqin dhe neve si fshat, pasi do të thahet gjithçka, nuk do të ketë ujë për  të pirë, për bujqësinë, për florën dhe faunën ./ATSH/