LIBRAZHD - Pas zonës së Dumresë, edhe në rrethin e Librazhdit është rikthyer kultivimi i duhanit. Duke shfrytëzuar tokat komunale të lëna dierrë, ish emigrantë në vende të ndryshme të Europës, janë kthyer për të investuar në fshatrat e Librazhdit. Njëri prej tyre është edhe Mikail Cano, i cili është kthyer së fundi nga Italia, duke mbjellë mbi 15 hektarë tokë me duhan në fshatin Dorës të këtij rrethi. Cano shprehehet i kënaqur me investimin e kryer në vendlindje, duke shpresuar në vitet e ardhshme do të shtoj sipërfaqen e kultivuar. Ai ka kërkuar nga qeveria që të shohë mundësinë që fermerët të marrin karburant me çmim të lirë. " Në zonën tonë kultivimi i duhanit do të bëjë të mundur punësimin e shumë banorëve dhe rritjen e mirqënies të shumë familjeve", shprehet ai.
Lloji i duhanit i kultivuar në fshatin Dorës është i cilësisë së parë sipas vetë investitorit. Fidanet janë të importuara nga Italia, vend ku Mikail Cano ka punuar rreth 23 vite me kultivimin e duhanit. Kjo fermë është vizituar nga afër nga deputeti socialist i rrethit të Librazhdit Taulant Balla. Në fjalën e tij Balla, premtoi mbështetje të fermerëve zonës së Dumresë, ku u shpreh, se " qeveria do ti jap fund monopolit të grumbullimit të duhanit duke e quajtur monopolin aktual si kundër interesave të fermerëve shqiptarë". Balla tha gjithashtu se " është e papranueshme që kultura e duhanit nuk është e përfshirë në skemat e subvensionimit të Ministrisë së Bujqësisë, ndaj dhe vitin e ardhshëm do ti kërkohet ministirsë që edhe kultivimi i duhanit të subvensionohet".
Nga ana tjetër janë banorët e fshatit Dorëz ata që shprehen të kënaqur me këtë investim, pasi janë krijuar mjaftë vende pune.
Investitori i kësaj ferme ka shfrytëzuar tokat komunale të lëna dierrë prej vitesh, për të krijuar një fermë moderne. Sipërfaqes aktuale prej 15 hektarë, pritet ti shtohen edhe rreth 10 hektarë të tjera./ATSH/












