LIBRAZHD - Kryeministri Edi Rama ishte sot në qytetin e Librazhdit, ku vizitoi një biznes fason, një investim ky shqiptaro-italian me vlerë 1 milion euro. Ky biznes fason, është investimi i parë nga sipërmarrësit italianë që pas vizitës së kryeministrit në Itali dhe ka hapur 500 vende të reja pune.

Kjo u vlerësua edhe nga kryeministri Rama i cili në fjalën e tij, krahas të tjerave, theksoi se mbështetja që qeveria ka dhënë për biznesin fason ka dhënë sinjale pozitive sa i përket punësimit dhe rritjes ekonomike të vendit. Në këtë konteskt, Rama nënvizoi se falë bizneseve fasonë është bërë i mundur rritja e eksporteve me 28%, dhe një përfitim me vlerë 135 milionë dollarë.

Për këtë arsye, shefi i qeverisë, u shpreh se qeveria do të vijojë të mbështesë edhe më tej fasonët, dhe për të rritur investimet në trajnimin profesional për të pasur sa më tepër krah pune të kualifikuar, si synim i programit qeverisës për tu fokusuar në formimin profesional.  

"Kjo fabrikë histori suksesi. Në kohë rekord ngritët këtë projekt konkret. Ky i pari pas vizitave në Itali. Shembull mes bashkërendimit të forcave mes qeverisë, deputeteve dhe investitorëve. Forca jonë politike të kthehet në promovuese të punësimit real. Me hapjen e 500 vendeve të reja të punës trajtojmë plagën e papunësisë. Takova të rinj të kthyer nga emigracioni. Sfida e jonë formimi profesional. Do të investohemi në trajnimin profesional. Të kemi sa më shumë krah pune të kualifikuar. Rritje eksporteve nga biznesi fason 28%. Falë paketës mbështetëse. Kemi arritur të përftojmë 135 milionë dollarë. Është importuar dyfishi i makinerive në raport me vitin e kaluar. Bashkë me sipërmarrjen do hapim rrugën e punësimit real." tha kryeministri Rama

Sa i përket mbështetjes së qeverisë për vitin e ardhshëm, Rama u shpreh se në buxhetin e vitit të ardhshëm është përcaktuar një fond i posaçëm i cili do të ndihmojë në nxitjen e punësimit dhe biznesit fason në veçanti. Po është parashikuar që 5% e tatim-fitimit, do t’i kthehet mbrapsht bizneseve fason.

“Me buxhetin 2015 kemi vënë fond të posaçëm për mbështetjen e punësimit, dhe kësaj industrie në mënyre të veçantë. 5% nga tatimfitimi biznesi fason do ta marrin mbrapsht. Perspektive për të gjithë ata që duan të jetojnë me punë të ndershme.” tha Rama.

Sipërmarrësi shqiptar i Grupit investues “Liberest” shpjegoi se qëllimi i tyre është të afrojë biznese të tjera në fushën e prodhimit të konfeksioneve dhe daljen në tregun e huaj me markën “Made in Albania”. “Tendenca jonë në një afat të shkurtër është që nga sistemi fason të dalim si prodhues të drejtpërdrejtë në tregun vendas, pse jo edhe në tregun e huaj me markën “Made in Albania,” – tha ai.

Ndërsa partneri italian në këtë bashkëpunim, Roberto Grassi, përfaqësues i  kompanisë “Alfredo Grassi”, falënderoi Kryeministrin, me të cilin, u shpreh ai, ndamë idenë dhe morëm mbështetjen për zhvillimin e kësaj sipërmarrjeje, ndërsa solli edhe një impresion të takimit të parë me Kryeministrin. “Në takimin e parë, 6 muaj më parë, nuk më ofroi kafe. Nuk ofroj asnjëherë kafe në vizitën e parë të dikujt, - më tha, - sepse dua të verifikoj që ata do të rikthehen më pas. E falenderojmë për gjithçka ka bërë,” – u shpreh Roberto Grassi.   

Rama në Librazhd për rehabilitimin e qytetit
Së fundmi gjatë vizitës së tij në Librazhd, kryeministri Rama ka vizituar punimet në sheshin e qytetit, në kuadër të rilindjes së qyteteve, ku do të rehabilitohen trotuaret dhe rrugët si dhe pallati i sportit të qytetit.

Ky projekt  parashikon punime për rehabilitimin e sheshit qendror të qytetit me sipërfaqe rreth 4500 m2. Sheshi, përfshirë trotuaret dhe rrugën do të shtrohen  me pllaka guri natyror të zonës. Projekti parashikon  zgjerimin e trotuareve, pedonalen dhe ndërtimin e rrugës me një kalim. Në projekt janë parashikuar punime  të shkarkimit të ujërave të bardha, punime të ndriçimit rrugor, punime për ndërtimin e bazamentit të një shatërvani, lyerje e fasadave, punime gjelbërimi etj. Ne projekt është  parashikuar  të ndërtohet dhe një shatërvan  i sheshtë me hedhje vertikale të ujit me përmasa 12x12 m. Pasqyra ujore me përmasa 9x9 m.

Punimet e gjelbërimit janë parashikuar të kombinuara me pemë gjetherënëse dhe gjethembajtëse. Në afërsi të objekteve shtetërore janë parashikuar sipërfaqe të gjelbëruara të mbjella me bar.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)