Libri i Nikoll Lesit: “Koha Jonë”
unë dhe Aleksandër Frangaj

Libri i Nikoll Lesit: “Koha Jonë” <br />unë dhe Aleksandër Frangaj
TIRANE- Nikoll Lesi, personazhi emblematik i këtyre 22 viteve të medias së lirë e private, po shkruan një libër për historinë e gazetës "Koha Jonë", gazeta e parë e pavarur e private në Shqipëri, pas shembjes së komunizmit. I pyetur nga "Shqiptarja.com" Lesi u përgjigj, duke dërguar parathënien e librit dhe një pjesë nga kapitulli i parë. Libri pritet të dalë në ditët e para të muajit qershor të këtij viti. Saktësojmë se ky është libri i dytë i Nikoll Lesit, pas librit që botoi në vitin 2005 me titull "Si njoha Nanon e Berishën", libër i cili kapi shifra rekord shitje, 30 mijë kopje.

RRËFIMI I ISH-BOTUESIT TANI ZV.MINISTËR I MTKRS-SË NIKOLL LESI


Disa herë jam menduar, që kur vendosa të heq dorë si botues i gazetës "Koha Jonë" me 7 mars 2007, nëse duhej apo jo të shkruaja një libër për historinë e "Koha Jonë", së parës gazetë të pavarur e private në Shqipëri dhe me tirazhin e shitur me të madh në historinë e këtyre 22 viteve, e ku në janar-shkurt 1997 arriti në kohën e Ben Blushit si kryeredaktor në 82 mijë kopje të shitura në një ditë, aqsa sot në vitin 2013 as gjysmën e këtij tirazhi nuk arrijnë të gjitha gazetat e shitura sëbashku. Herë-herë thoja si me vete " është ende herët" për të shkruar një libër, herë të tjera tek shikoj sot, gjithëandej ,në krye të mediave të shkruara apo radiotelevizive pikërisht ata gazetarë, të cilët, dikur kishin punuar me pasion e profesionalizëm në dyert e kësaj gazete dhe përsëri hezitoja ta nisja librin,pasi mendoja se " ja, këta , janë historia e gjallë e gazetës", e cila mbahet mend jo vetëm si e para gazetë e pavarur në vend, por edhe si një shembull i kurajos së jashtëzakonshme e profesionale në një kohë kur demokracia sapo kishte hyrë, porse përbrenda pushtetit të ri demokratik thërmohej nëpër dhembë fjala "shtypi i lirë", e ku dajaku e djegia rrinin në duart e njërëzve që i duartrokitëm në ditët e para të Demokracisë. Në libër ka plot emra VIP gazetarësh, një mori politikanësh , tregohet disa histori që dihen ndër rrethe të ngushta gazetarësh, por që publiku nuk i di; ka ngjarje të jashtëzakonshme të cilat i kam përjetuar vetë personalisht e të shoqeruara edhe me dokumenta e foto të papublikuara, episode pune e jashtë pune, porse që të gjitha sillen rreth emrit KOHA JONË. Tregohet se si u rritem,të gjithë bashkë me gazetën, duke mësuar shumë gjëra, të cilat në jetë nuk jepen me receta apo me leksione se ashtu e vecantë ishte ajo kohë. Për një pjesë, jo të vogël, të gazetarëve të sotëm do duken si ndodhi që nuk kanë ndodhur ose nuk ka sesi të ndodhin, porse e verteta është këtu brenda në libër se ka emra, ka histori, ka perjetime , të cilat kanë deshmitarë, pasi vetë emrat që unë përmend e tregojë në libër janë sot , këtu, në Tiranë apo jashtë shtetit. Ata flasin nëpërmjet germave të mija në libër , të cilat janë hedhur faqe pas faqe , jo pa nostalgji e me një dridhje të dorës . Në fund të fundit ne, të gjithë, ishim që i dhamë jetë kësaj gazete, ashtu sikurse ajo na dha emër. Libri bazohet në atë cka përjetova vetë, në dokumenta, kaseta, koleksioni i gazetës ndër vite, pse jo edhe të një ditari të mbajtur copa-copa e të djegur pjesërisht në natën e 2 marsit ,duke u gdhirë 3 marsi i vitit 1997. Mundet, dikush, nga gazetarët e televizioneve të bëjë një dokumentar për "Koha Jonë", pasi kam kaseta e materiale filmike të papublikuara , ku është jeta e zhurmshme e punës së gazetarëve në punë e jashtë pune, në gëzime e në rrahjet e gazetarëve nga pushteti. Në fund të fundit "Koha Jonë", asokohe, u bë "Universiteti " i gazetarisë, e jo në salla leksionesh, por në zyrat e vogla që nga Lezha e në "Siri Kodra" në Tiranë e më pas afër rrugës së stacionit të trenit ku në janar 1994 prangat e pushtetit shtrënguan duart e njoma të Aleksandër Frangajt e Martin Lekës. Apo edhe me vonë tek gjimnnazi "Petro Nini Luarasi" ku në një natë na futën në birucat e policisë gjithë stafin e gazetës e ku mikrobuzat e policisë venin e vinin komisariat-redaksi. Apo natën e 2 marsit 1997 ku redaksia e gazetës u dogj nga pushteti i asaj kohe dhe ku të nesërmen hynim nëpër zyrat e gazetës e shkelnim mbi kompjuterat e djegur nga zjarri apo mbi gezhojat e fishekeve.
Duke qenë autor i themelimit të kësaj gazete që nisi nga Lezha, u rrit në Tiranë, "pushtoi" gjithë Shqipërinë, dhe filloi gremisjen po në Tiranë, vendosa dhe e nisa nga pak e përditë librin. Një miku im gazetar që ka qenë në gazetë ndër vitet e para, bashkë me mua, më pyeti për titullin e librit. I thashë: " KOHA JONE", unë dhe Sandri". Ai paksa i çuditur mu drejtua: "Mirë Koha Jonë dhe ti, por ç'ne Sandri në titull?". I thashë me të qeshur: "Duro, lexoje dhe do të më japësh të drejtë !".

PJESE NGA LIBRI I NIKOLL LESIT : DILEMA NË 1987, MËSUES FIZIKE APO GAZETAR?


Në vitin 1987 u diplomova për fizikë në fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës. Mesim dhënia si mësues fizike më priste në ndonjë shkollë 8-vjeçare ose në shkollë të mesme, kudo që të më emëronin, ndonëse endërroja të filloja punë si gazetar, pasi kisha botuar artikuj e reportazhe në mediat e kohës, në "Zëri i Rinisë","Drita", "ZP", "Bashkimi", "Studenti" e në revistat "Skena dhe Ekrani" e "Shkenca e Jeta ". Në qytetin "Studenti" në vitin e fundit të degës së fizikës qëndrova për disa muaj në një dhomë konvikti me një prej penave më brilante të letërsisë e gazetarisë Rudolf Marku ose sic i thonim shkurt Dolfi e ku mësova shumë për gazetarinë, së cilës do ti kushtoja, më vonë, jetën time. Rastësia më solli në këtë dhomë studentash edhe të një gazetari të ri nga Veriu që kishte mbaruar edhe ai Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Lazër Stani , i cili punonte në gazetën "Zëri i Rinisë". Ndërkohë, në dy vitet e fundit si student kisha provuar deshirën e brendshme të shkruaja në gazetën "Studenti", e cila ishte gazetë e Universitetit. Cerciz Loloci një gazetar e me hierarki në Universitet më drejtoi tek gazeta "Studenti". Drejtuesi i saj një koleg student , Rrapo Zguri quhej, më ofroi dashmirësi e mi redaktonte shkrimet, ku nga dy faqe apo tre të daktilografuara më botonte vetëm gjysmën apo edhe 20 rrjeshta ! Ishte e thartë për mua që më dilnin pak rrjeshta, porse më mësoi nga pak se nuk shkruhej ashtu sic i rradhisja fjalitë. Më thonin ke talent, porse gazetaria ka disa rregulla, të cilat në fizikë nuk kisha se ku ti mësoja ! Doja të shkruaja, të endesha udheve , sic thuhej atëkohë, "Udhëve të Atdheut" e të shkruaja për njërëzit, punën, për gjithcka se ashtu ishte mosha; sikur me shkrimet e mija do të rregulloja Botën. Mësoja për provimet e fizikës, për të cilat, të them të drejtën, nuk "vdisja" shumë për degën që ma dhanë si me zor. Rendja nëpër redaksi gazetash; diku më prisnin e mi pranonin shkrimet, diku tjetër as që më qasnin sapo më pyesnin se studioja për fizikë. Tek "Zeri i Rinisë" vrapova se ishin dy lezhjanë të tjerë ; Remzi Lani ishte kryeredaktor dhe Prec Zogaj redaktor, pa harruar edhe Lazer Stanin. Fillova të mësoj edhe si përdorej makina e shkrimit e ku në redaksinë e "Zëri i Rinisë" kishte një makinë "Oliveti", së cilës nuk i punonin disa germa si "L", "S", "B" . Remziu, mundet edhe si lezhjan, më nisi për disa reportazhe në zonat e largëta të Shqipërisë. I hipja trenit, pa asnjë mërzi. Ecja nëpër fshatra e në disa zona , të cilat as që i kisha parë në hartë. Kur sillja shkrimet e reportazhet ato kalonin në sitën e redaktimit te rreptë të Zogajt e Stanit. Tek Remziu kisha frikë të hyja, ishte kryeredaktor. Në atë verë të nxehtë të vitit 1987, kur sapo isha diplomuar, shkruaja, botoja në "Zëri i Rinisë", në gazetën "Bashkimi" ku, në të vertetë, më ofruan dashamirësi dy gazetarë, mjeshtra të gazetarisë shqiptare si Hamit Borici e Qemal Sakajeva. Ishte vera e fundit në Tiranë,pasi do të kthehesha në fshatin tim të lindjes në Spiten të Lezhës e nuk e dija se ku mund të më conin si mësues fizike në ndonjë fshat të largët, ndërkohë që sinqerisht shpresoja të punoja si gazetar, diku e kudo. Më ishte ndezur pasioni për të shkruar, sidomos doja të botoja artikuj kritikë. Tek klubi i gazetarëve në Tiranë ,poshtë gazetës "Bashkimi" , shkoja dhe merrja dicka për të ngrenë dhe aty shihja emrat e mëdhenjë të gazetarisë së kohës . Albert Shala, një redaktor në "ZP" më ofroi disa tema, të cilat asokohe kishin fituar paksa liri kritike. I jashtëzakonshëm në dashamirësi, një shkodran i zgjuar e që i mbetem mirënjohës se më shpëtoi disa herë nga aventurat e mija për të bërë shkrime kritike me drejtime, paksa lart. Një herë bëra një shkrim dhe ia dorezova Albert Shales ku bombardova ministrinë e Pali Miskes që ishte në Byronë Politike. Nuk them se isha kundër regjimit, pasi do të ishte një gënjështër e madhe sot dhe për atëmot, porse mundet ti kisha rënë murit me kokë prej temperamentit tim të lindur impulsiv. Alberti me tha se "ore djalë, je akoma hava e nuk e di cke shkruar, ndaj po ti heq ca pjesë se do të marrësh veten në qafë , por edhe neve ". Mënyra e të shkruarit kritik ose më saktë fillimet e mija, pasi akoma isha një "cilimi" në gazetari zgjuan kureshtjen e Sami Milloshit zv/kryeredaktor të "ZP" e më vonë të vetë Marash Hajatit, kryeredaktorit fuqiplotë, i cili më ka qortuar e ndihmuar në një moment të vështirë për mua kur isha redaktor në gazetën lokale të Lezhës me emrin "Koha Jonë", pasi donin të më shkarkonin për një shkrim kritik kundër kryetari të Komitetit Ekzekutiv të rrethit Irakli Vero. Asokohe ai ishte, si të thuash "Kryeministri", i rrethit të Lezhës.
E kështu iku vera e nxehtë e vitit 1987. Në gusht më emëruan mesues fizike në gjimnazin "Hydajet Lezha " në qytetin e Lezhës, pikërisht në atë gjimnaz ku kisha mbaruar studimet e shkollës së mesme. Atëkohë ishte si rregull ,pas diplomimit, të shkoje në një sherbim në ushtri prej tre muajsh. Sapo qëndrova ,pothuaj dy muaj , mësues fizike në gjimnaz shkova në zborin ushtarak tremujor. Me pas , dikush ndërhyri dhe më spostuan mësues fizike në një shkollë 8 vjecare në Zejmen të Lezhës. Porse mundet jehona e një shkrimi në një prej gazetave kryesore në Tiranë bëri përshtypje në qendren e rrethit ku punoja dhe me lajmëruan që të paraqitem para një burri të shendoshë e plot humor. Quhej Kastriot Hasa, sekretar i komitetit të partisë së rrethit të Lezhës.
-Je emëruar gazetar-redaktor në gazetën lokale "Koha Jonë"!- mu drejtua me humorin e tij karakteristik dhe me ofroi një kafe në barin e Komitetit të Partisë së rrethit. Ishte marrë një vendim në mars 1988 që edhe disa rrethe të vogla të kishin gazetën e tyre lokale. Kryeredaktor i kesaj gazette të re u caktua një njeri i letrave, i njohur në Lezhë, Kujtim Dashi. Zyra jonë ishte një zyrë e vogël, komode për atëkohë, e ku vetë shkruanim e vetë i redaktonim për të mbushur me shkrime gazetën "Koha jonë", e cila dilte një herë në javë. Gazeta shtypej në shtypshkronjen "Mihal Duri" në Tiranë, në rrugën e Kavajës, afër hyrjes së ambasadave. Fillova pra punë, në enderrën time si gazetar. Nga pak e përditë mësoja për vete e redaktoja shkrime e të tjerëve, pasi Lezha njihet si një truall poetik, i letrave. Lezha njihej jo vetem për kulturën e hershme si një qytet i lashtë, por edhe për disa emra që i kishin dhënë shumë kombit . Gazeta u kthye shpejt në një qendër të njerzve që shkruanin, si Tom Thercaj, Martin Leka, Avni Ponari, Zef Shtjefni, Gjovalin Gjeloshi, Irfan Rama etj. E kështu përditë punoja nga ora shtatë e mengjezit deri natën vonë. Më e lodhshme ,bile stërmunduese ishte vajtja në Tiranë tek shtypshkronja . Ishte shtypshkronjë prej plumbi , e sheshtë, e ku duhej pothuaj dy ditë të faqosej e të dilte për botim gazeta, cka më dërmonte ,porse nuk e ndjeja nga pasioni. Korrektori i gazetës Pal Dragusha, një mesues nga Zadrima, na ndihmonte me një korrektesi shembullore. Ai shkonte i pari në shtypshkronjë. Rrinte dy deri ne tre ditë në Tiranë, duke u marrë me rradhitjen e gazetës. E keshtu ikën muajt dhe një ditë Kujtim Dashi largohet nga drejtimi i gazetës. U vendos të ishte në krye te saj një inspektor i Komitetit të Partisë së rrethit, Gjergj Shyti. Një punënjës korrekt, punetor, i pahile, por që nuk vinte nga fusha e gazetarisë. Kësisoj gazeta donte më shumë punë. Ikin muajt e po vinte fundviti i vitit 1990, Levizja e Dhjetorit e krijimi i PD. Lezha u kthye në një qendër të luftës kundër Partisë së Punës, e cila kishte ligjerisht edhe pronësinë e drejtimit të gazetës. Sistemi po binte dhe dalëngadalë edhe shtypi që kishte financuar ndër dhjetra vite po mbyllej përfundimisht. Në janar 1991 u vendos që të mbylleshin gazetat lokale. Pra nuk financoheshin më, cka ishte mbyllje e tyre de facto. Nga pak e përditë të gjithë po merrnim më shumë dritë e frymë, po hynte demokracia. Por ne e donim gazetën tonë. Jo më si dikur, jo më e dikujt , por tonën. Ishim paksa idealist, të gjithë në Lezhë për mënyrën se si ta rihapnim. E quanim të pavarur, ndonëse akoma nuk e dinim mirë se si botohej një media private e pavarur. Nga muaji janar e deri nga fillimi i muajit maj 1991 ende nuk botohej gazeta "Koha Jonë". Nuk kishim lekë, nuk kishim zyra, nuk kishim asgjë. U solla duke takuar të gjithë ata që dinin të shkruanin në Lezhë dhe më në fund ramë dakort të mblidheshim ne fillim të muajit maj. Erdhën shumë gazetarë, korrespodentë, intelektualë e njërëz që merrnin vesh nga letersia. E drejtova vetë takimin, pasi kisha rënë dakort me Tom Thercaj që ishte kryetar i degës së shoqatës së gazetarëve e me Martin Leken që shkruante në shtypin lokal e qendror. Njëri prej gazetarëve , bile njihej me shumë si gazetar sportiv, Zef Shtjefni, mu bë krah mënjëherë e më tha se do të jem unë përkrah teje, nëse ti Nikoll e merr persipër ta ribotojmë. Në mbledhje asnjë tjetër nuk e mori rriskun ta drejtonte, të punonte pa leke, pra pa rrogë, të paguante shtypshkronjën etj. Më saktë asnjëri nuk pranoi ti hynte kësaj aventure për të botuar gazetën "Koha Jonë", por tashmë si private. Në fund u vendos që unë dhe Zef Shtjefni të drejtonim gazetën, pasi e kërkuam vetë aventurën e një gazete të re private, por as që dinim se në cfarë pylli kishim hyrë ! Me 11 maj 1991 nxorëm gazetën e parë të pavarur "Koha Jonë". Lezha e priti mirë. Në gazetë botonim qëndrimet e të dyja palëve, të Partisë së Punës që ishte akoma në pushtet, por edhe më së shumi të PD-së që ishte në opozitë. Në vitin 1991 ishin dy gazeta kryesore partike që bënin ligjin në tregun e medias, "ZP" dhe "RD". Kjo e fundit ishte absolutisht më e shitura dhe më e madhja në tirazh. Nga java në javë filluam ta shpërndanim gazetën, përveç Lezhës, edhe në Mirditë, në Shkodër, në Durrës, në Laç e filluam të hynim edhe në Lushnjë. Quhej gazetë e Lezhës, porse nga informacioni e qëndrimi ajo po bëhej nga pak e përditë kombetare. Por ende akoma ishte e vogël, pa fuqi financiare, me një tavolinë e me një makinë shkrimi e tre karrike. Kështu filloi "Koha Jonë"si e pavarur, por akoma nuk kishte ligj se si mund të dilte një gazetë private e pavarur. Ishin akoma muajt maj-korrik-gusht 1991. Bënim shkrime, shkonim me tren ose makina zhavorri në Tiranë, sipas rastit, shtypnim gazetën në shtypshkronjë e kur na kërkonin lekët e pagesës thonim si nën zë e paksa duke gënjyer "E ka fajin banka e Lezhës se ne i kemi paguar !". Fatmirësisht në atë vit bankat operonin ngadalë e jo si sot, gënjenim nga halli për të botuar gazetën e më pas shitej, aq sa shitej, e me lekë nëpër xhepa vraponim tek financa e shtypshkronjës "Mihal Duri" në Tiranë ku ishte shefe finance gruaja e Bashkim Gazidedes, më vonë shef i SHIK-ut që na dërmoi në dajak, në përndjekje e djegie…

(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
Redaksia online
(sg/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi

Një vit pas arrestimit, lirohet nga qelia mjeku Dervish Hasi! Bie akuza e trafikut të të miturve, dërgohet për gjykim për pornografi