Libri i ri, “Vajzëria e një gruaje…”

Libri i ri, “Vajzëria e një gruaje…”
Nëse do ta shijosh librin “Unë gruaja R.” të Reshida Çobës, duhet të kuptosh se: është shkruar nga një grua, e cila, në çdo varg të sajin: të shfaqet, si një vajzë, por, në asnjë rast nuk sheh koketën. Ajo ia lejon vetes të gjitha trillet dhe shkujdesjet fine, pa rënë në sensacion. E zbulon veten pa ndroje: ku ti provokohesh prej nazeve të lëkurës së bardhë, tërhiqesh prej qëllimeve ekstaz, kur netëve krisen idetë dhe, bashkë me të tjerët je gati të bësh sherr, “për të prekur si pa dashje gjoksin e madh të leshverdhës”.
Në libër ka vjersha për nënën, të shkruara si rrallë kush, ka për dy vajzat, që i do aq shumë dhe, shumica janë për veten, duke mos i përkitur thjeshtë vetes, pasi protagonizmi femror i saj është emancipues dhe, të shtyn ta ndjekësh. Ajo nuk do të dallohet, edhe pse është e bindur që vihet re. Ajo nuk vë distancë, por, gjithkush ndjehet i stepur, si gjithkush që zihet në befasi. Në pusin tënd shuan etjen dhe lagjja dhe, kur çezma të vjen në shtëpi, bujaria e fqinjit mbetet. E tillë është dhe nostalgjia e viteve rinore në poezinë e Gruas R., ku malli nuk e lëndon shpirtin për vitet e shkuar dëm, nën vështrimet tinzare të provincialit hileqar, pasi një gur ku je penguar të dhëmb pa të shkaktuar plagë. 

Në vargje Gruaja R. duket më pak nënë dhe më shumë vajzë. Edhe pse vitet e afrojnë me nënën ajo shtyhet në anën e vajzave, bëhet bashkë me to, jo se i trëmbet moshës, por për t`ia lënë të gjithë hyjninë nënës së vetë, së cilës, fjalëve u vinte era qiell, që “edhe njëqelizorëve/ u përcillte dëshirën e shumëfishimit.” Ç`potencial i bukur njerëzor, ku shumimi nuk është sasi, por një harbim mirësie! Ja pse duhet besuar, që është kështu: “Dhe tani, sa herë që pi kafe vetëm,/avujt e lotëve për ty/ i kam në grykë/ e rrëzohem si një vjeshtë.” Zor se gjen ndonjë rrëzim kaq të adhurueshëm.

Nëse prania femërore, identifikohet, portretizohet, ndihen bashkë, natyrisht përkohësisht, nëna+vajza+bijat-mbesat, prania e një burri që të thirret me emër, mungon. Është pikërisht kjo mungesë, që tundon shpirtin e Gruas R. dhe ky libër, të gjitha tronditjet, emocionin e fshehur që mezi pret të shfaqet, ndjesitë e holla të një femre e aftë të ngrejë një perëndi të re, që sekretet e fshehura të buzëve i njeh më mirë nga gratë e dekolteve, i shkakton: veçse ky burrë i munguar, por që është më i pranishëm se kushdo, i njohur ndryshe: i dashuri. Nëse nëna mungon dhe kthehet në dhimbje, nëse vajzat mungojnë se janë larg, dhe kthehen në pikëllimë, nëse vendlindja mungon se Gruaja R. është në mërgim, mungesa e të dashurit, shton zbrastësinë, e cila duhet mbushur, se përndryshe plas. “Kujt dhimbjen t`ia kërkoj?/ Kujt?/E zemëruar nuk jam me askënd,/por e zemëruar/ me gjithë botën kështu.” Ajo duhej të përballonte këtë botë e vetme, nëse do t`i mungonte poezia. Pikërisht për këtë ndihet me fat.    
Në shpirtin e Gruas R. ka vend për të gjithë, por zemrën e saj e sundon vetëm një njeri. “Mbi buzët e tua/kam luajtur, jam dehur,/dëshirat e gjinjve/atje i kam fshehur.” (Mbi buzët e tua”) “E zhvesha lëkurën time të bardhë/dhe ika,/ika pa lëkurë,/aty e ke ende në shtrat,/ajo të mban ngrohtë.” (“Letra e gruas”) Gjithësesi, “trëmbur nga sulmet e inatit...” të tij, ajo ndërton imazhe dhe përjeton ndjesira, që veç trilleve, kanë besnikërinë e një gruaje të lakmuar prej të gjithëve, por zor se e arrin kush, veç tij. Duke lexuar këtë libër, sikur të rrënjoset mendime, se tek gruaja, pavarësisht fatit: në shpirtin e saj sundon vetëm një njeri. Me sa duket tek trupi mund të ketë pjesë shumëkush, por tek shpirti, të drejtat i njihen veçse një njeriu.  

Ndaj si femër ajo ngjason me një Helenë: me qerpikët e gatshëm për kurthe, ndërsa si grua shfaqet e tëra si një Penelopë. Ja pse mëkatet e saj janë të falshme, pasi nuk duket të jetë shkaku i dramës, por, pasoja e saj. Si Helenë: “...kur shkoja të puthja/një tjetër fytyrë,/mbërthyer atje,/gjeja puthjen tonë/të gjeja ty.” (“Puthja-statujë”). Dhe si Penelopë: ”Të kam pritur ditëve,/të kam pritur netëve,/më je shfaqur barit,/je fshehur fletëve.” (“Të kam pritur”) Tek ky dyzim duhet kërkuar dhe magjia e të qënit: një e vetme.
Heroina e librit nuk ka moshë, edhe pse ndesh vargje të tilla: “Nuk isha më shumë se 15 vjeç,/... sa herë që ziheshin për mua:/kush do të ulej pranë,/kush do të cikte pa dashje/gjoksin e madh të leshverdhës.” Kundrejt këtyre vargjeve:”Më trishtuan sot ca vija përmbi ballë,/janë shtrirë pa më pyetur, pa i parë” (“Trishtim”). Edhe pse çupkën e vëmë përballë Gruas R., në fakt, rrjedh i njëjti shpirt, formëzohet i njëjti personalitet, shpaloset e njëjta sfidë dhe rreziku i një nami të keq, i kthehet në mburrje:”Çdo gjë mund të bëj për ty, i dashur,/sa shumë të dua,/por nuk i fsheh dot dëshirat,/gjestet, marrëzitë/...jam grua.” Gjithë kjo gjendje e trazuar, me doza revolte dhe shfajsimi, krejt e çiltër, do nderimi, s`të falet ta bësh pis, por njëherësh dhe një thirrje: se zotërimi i një gruaje nuk është ta bësh zap, por, ta ndjekësh thellësive të shpirtit, që shkojnë përtej shtratit gjumëndjellës.

Në ato pak rreshta biografie që ndesh në anë të librit, s`ka referenca datash dhe fotoja e autores e ushqen imazhin e vajzërisë së një gruaje. Gjithsesi, ajo nuk ka për qëllim të fshehi moshën, por të tregojë shpirtin, që, sigurisht i mban gjallë vajzërinë. Ajo nuk pajtohet me humbjet, me zhdukjet, sepse përherë ka ushqyer shpresën, ka rrezatuar jetë, i ka dhënë shpirt pajetësisë. Sado i rëndomtë të jetë një gur, kur mvishet me myshk, nga ai çast ai nuk është më një send.

Gruaja R. përshkruan çaste të tanishme dashurie, u kthehet përjetimeve të një dashurie të largët, u bën shoqëri edhe qejfllinjëve që e kanë ëndërruar dhe, për më tepër ndjen dhimbje për dashurinë që nuk ndodhi, dhe ti i jeton me të njëjtin intensitet, pavarësisht luhatjeve të vrullit, duke mos dyshuar në ndjesitë e një vajze, e cila “gjen copa drite në xhep dhe në mendje”. Dhe ti e shoqëron i mbushur për mirë, fillimisht për inerci dhe, më pas, kupton, se duhet ta mbartësh me vete, sikurse ndodh me çka të kthehet si nevojë. Ku mund të gjendet një thirrje kaq e bukur, se sa e Gruas R. kur thotë: “T`i matim kohët/ me gjërat që ndodhin”. Por që të ndodh kjo duhet të jesh i vërtetë, larg trukimeve apo aventurave, ku mungon Odisea. Kësisoj libri i saj s`ka moshë, pasi vajza çapkëne e kalldrëmëve plot naze të Korçës, si dhe gruaja e matur e Kalifornisë, kanë një vlim emocional, ndjesira të holla, përjetime fine, prekje fluide, ngasje sensuale të tilla, ku ti ndihesh nën pushtetin e një femre, e cila, të lejon ta quash tënden, pa asnjë ndjenjë pronësie mbi të. Para kësaj zonje, nuk të lejohet të mos tregohesh zotëri. “Besoj në gjykimin e lartësive,/ në mënçurinë e densitetit të vogël.” Dhe ti duke e vrarë pak mendjen, përpiqesh të kuptosh se nuk mund të jesh i mirëpritur prej saj, nëse fuqia jote nuk qendron tek shpirti. Gruaja R. të jep shansin për t`u treguar fisnik dhe, të vë në provë kultivimin tënd prej aristokrati dhe, nëse ti mjaftohesh me të qënin i kamur apo i pushtetshëm, prit prej saj ndëshkimin e një Çirçeje, që i kthen hamshorët në derra. “Jetova si grua e bukur,/e përkëdhelur,/me nazet e lëkurës së bardhë,/por një ëndërr që doja,/ta shihja me gaxhi,/(sa vite kam që e pres),/nuk e kam parë.” E gjitha kjo nuk është mani, apo fiksim femror, as marifet poetikë, por një dëshmi e një femre, që e shfaq mallin me ndjesira erotike. Dihet që përmbi oksigjenin është ozoni.  Nga gaxhiu i vendlindjes shkon tek lypsi i trotuarit, i cili i lutet ta puth. Ndoshta, dhe ky me ngjyrë, por ajo i rrëshqet e penduar. “Hapa derën, hyra në shtëpi,/jetoja ende me lutjet,/me vuajtjet e tij./Kam qarë dhe kam kërcyer/në dyshemen e dhomës,/jashtë e nxora ajrin,/e zbrasa nga çdo orendi,/kërceva dhe qava, recitova ashtu si ai.” Një gjendje emocionale e jashtëzakonshme, që të lejon të vrojtosh në shpirtin e Gruas R. Ajo s`mund t`ia plotësonte dëshirën një lypsi, në pozitat e të cilit mund të ndodhet kushdo prej nesh, por, ajo shqetësohet pse i ka shkaktuar vuajtje. Por njëherësh ndjesi të fshehta gjejnë shteg dhe, çka ia ndalojmë vetes publikisht, vemë dhe e lëshojmë veten tek instiktet e një ndjesie kurjoze. 

Kjo është një grua, e cila nuk është ndarë prej vajzërisë së saj, duke mos lejuar shpërdorimin e vetes, e panjollosur prej perversitetit sensacional, duke i shtyrë kufijtë e moshës, me të vetmen fuqi që ka: pastërtinë e shpirtit. E ridimensionon veten, jo për t`u dukur moderne, por, për të dëshmuar vitalitetin e të qënit grua plot dinjitet, e cila, pa pikën e drojës shpalos shpirtin vajzëror me një finesë tronditëse, ku ti i dalldisur shton përulësinë pa u turpëruar.

Ky libër i bën mirë një gruaje, nëse do të mos jetë shtojcë e një burri, por, më shumë ky libër i bën mirë një burri, nëse do që gruaja t`i shfaqet me atributet e një vajze. Reshida Çoba nuk përcillet me komente, ajo pret veçse kurorëzimin. Pikërisht atë kurorë që shumë shqiptar mendonin se i takonte Valbona Çobës në Miss Shqipëria. Pavarësisht se kemi të bëjmë me një libër të parë, ai pretendon kreun, sepse ka një lartësi të tillë poetike, një ngjizje të tillë shpirtërore, ku ofiqi poeteshë është  i nënkuptuar.  Për të përshkruar rrugën e shkurtër të librit 125 faqe, asaj i është dashur të udhëtojë gjatë ndër vite, duke shkruar vazhdimisht, pa dyshuar për anjë çast në vlerën e vargut të saj. 

Jam i bindur që librat e ardhshëm të Rashida Çobës, nuk do të shtojnë në lartësi, veçse do të konsolidojnë pozitat e një poeteshe dinjitoze. Nëpër ditët e saj provinciale ajo është shfaqur e vetëdijshme për çka ndjehej brenda vetes: e denjë për botën e madhe. Amerika nuk i ka zgjeruar dimensionet, veçse i ka shtuar mundësit për të qenë sa më koherente me veten. “Qysh atëherë mbaj mend/dëshirën për t`i mësuar vetes,/çdo gjë të re,/me të kundërtën e shoqeve,/të kundërtën e së zakonshmes.” (“Luksi me gaxhinj”) Të qënit ndryshe nuk është një shkrepje e çastit, pozë poetike, por një gatim i hershëm i një shpirti që vlon, ku hyjnia e talentit ta mban gjallë besimin se je dikushi.  

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital