Libri i ri, mes letërsisë dhe
magjisë së Clarice Lispecto

Libri i ri, mes letërsisë dhe<br />magjisë së Clarice Lispecto
Magjia e Clarice Lispector është shtuar pas vdekjes së saj. Në 1977 do të dukej e ekzagjeruar të thuhej se Lispector ishte shkrimtarja më e madhe moderne e letërsisë Braziliane. Por sot, kjo është më se e sigurt.

E kjo ka pak rëndësi. Ajo që ka rëndësi është dashuria magnetike që Clarice i përçon admiruesve të saj. Për ta, të lexosh Clarice Lispector është një ndër eksperiencat emocionale më të fuqishme. “Ki kujdes me Clarice”, mund ti thuhet lexuesit të ardhshëm të saj: “Nuk është letërsi, është magji”.

Lidhja mes letërsisë dhe magjisë prej kohësh është pjesë e mitologjisë së Clarice-s. Clarice u bë e njohur në fund të vitit 1943 kur botoi “Afër zemrës së egër”. Ishte një studente, rreth 23 vjeç, prej një familje të varfër emigrante.

Novela e saj e parë pati një impakt kaq të madh sa një gazetar shkroi, “nuk mbahet mend një debutim kaq i fuqishëm, që e bëri kaq të njohur emrin e dikujt që më parë ishte komplet e panjohur”.

Por vetëm pak javë pasi ky emër u bë kaq i njohur, Clarice u largua prej Rios me bashkëshortin e saj diplomat për tu kthyer përsëri në 1959. Gjatë kësaj kohe plot legjenda u thurën për të. Emri i saj i çuditshëm ishte objekti kryesor i spekulimeve – mendohej shpesh se ishte një pseudonim. Disa thoshin se pas këtij emri fshihej një burrë. Pas këtyre legjendave fshihet një lloj parehatie, ndjesia se ajo ishte ndryshe nga ajo që dukej.

Por është krejt e kundërta.  Pikërisht këtu qëndron magjia e Clarice, e cila nëpërmjet veprëssë saj eksperimenton dhe eksploron vetë shkrimtaren. Që prej veprave të para të shkruara në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare e deri tek të fundit ndërkohë që e dinte se ish në prag të vdekjes, mund të dallohet eksperimentimi artistik i mënyrave dhe stileve të shkrimit.

Letërsia e Clarice-s nuk është për këdo e të shumtë janë ata që nuk e kuptojnë Clarice-n. Por për ata që instinktivisht e kuptojnë atë, dashuria me personin e Clarice Lispector është e menjëhershme dhe e pashpjegueshme.

Arti i saj na shtyn të duam ta njohim këtë grua; ajo është një grua që na shtyn të njohim artin e saj. Nëpërmjet historive që ajo shkruan ne mund të ndjekim jetën e saj artistike, Clarice Lispector ishte një artiste e madhe; ishte gjithashtu një grua dhe nënë e klasës së mesme.

Nëse portreti i një artisteje të jashtëzakonshme është tërheqës, kështu është edhe portreti i shtëpiakes së zakonshme, jeta e së cilës është subjekti i historive të Clarice. Ndërsa artistja fiton pjekurinë, edhe shtëpiakja gjithashtu rritet. Vepra e Clarice është filmi i jetës së një gruaje, e shkruar përgjatë jetës së një gruaje. Si i tillë, është i vetmi në llojin e tij, i shkruar ndonjëherë në ndonjë gjuhë.

Duket pak si e ekzagjeruar, por Clarice është ndër shumë të paktat autore gra që ka shkruar mbi rrugëtimin jetësor të një gruaje, të adoleshentes, nënës, bashkëshortes, gruas së re, gruas në moshë, asaj në prag të vdekjes, etj. Clarice ishte shumë e ndërgjegjshme për vështirësitë që has një shkrimtare grua. Karakteret e saj luftojnë kundër koncepteve ideologjike mbi rolin e gruas; ndërveprojnë me bashkëshortët dhe fëmijët; shqetësohen për paratë; përballen me dëshpërimin që shtyn drejt pijes, çmendurisë ose vetëvrasjes.

Si shumica e shkrimtareve gra, Clarice u injorua nga botuesit për shumë vite; vazhdimisht vendosej tek kategoritë e shkrimtarëve të nivelit të ulët. Por ajo vazhdoi me këmbëngulje. Madje njëherë është shprehur se nuk i pëlqen ta krahasojnë me Virginia Woolf sepse Woolf ishte dorëzuar: “ Detyrimi i tmerrshëm është të shkosh deri në fund.”

Por subjektet e reja kërkojnë gjuhë të re. Një pjesë e gramatikës së çuditshme të Clarice mund të gjendet në influencën e misticizmit hebre me të cilin e kish njohur i ati. Por pjesa tjetër e veçantisë së Clarice mund ti atribuohet nevojës së saj për të krijuar një traditë.

Kushdo që i lexon historitë e saj nga fillimi deri në fund, e dallon se historitë jepen nëpërmjet kërkimit të pandalshëm gjuhësor dhe paqëndrueshmërisë gramatikore, që e detyron lexuesin ta lexojë me ngadalë. Historitë e Clarice duhen parë si një e tërë për të kuptuar mardhënien e ngushtë mes interesit të saj për gjuhën dhe interesit për atë që – në mungesë të një fjale më të mirë – ajo e quan Zot.

Letërsia e saj merret me gratë e heshtura e që nuk lejohen të flasin. Si një shkrimtare profesioniste moderne, ajo vesh paraqitjen e karaktereve të saj gra. E më pas, i heq fustanet, i prish rimelin, i çrregullon flokët, duke magjepsur fytyra të rregullta me një shkëlqim rrënqethës, siç e përshkruan Sir Walter Scott.

Nëpërmjet fjalëve të përmbysura ajo magjepsi një botë të tërë të panjohur – duke magjepsur gjithashtu dhe vetë Clarice Lispector : një Çehov grua në plazhet e Guanabarës.
Botimi i përkthyer në shqip përmban novelat “Një frymëmarrje jete” dhe “Pasioni sipas G.H.”

Clarice Lispector është një prej shkrimtareve më të mëdha braziliane, madje konsiderohet si shkrimtarja më e madhe e letërsisë moderne braziliane. Quhet ndryshe dhe si “magjistrica e letërsisë braziliane”, sepse letërsia e saj është një ndërthurje turbulluese e realitetit dhe mistikes, e botës së brendshme dhe të jashtme të njeriut, pa u kuptuar se ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.

Lispector lindi në vitin 1920 në Ukrainë. Për shkak të diskriminimit ndaj hebrejve, familja e saj emigroi drejt Brazilit kur Clarice nuk kish mbushur ende dy vjeç. Deri në moshën 9 vjeçare Clarice jetoi në Recife dhe më pas lëvizi në Rio de Zhaneiro me babain dhe motrat e saj, pas vdekjes së nënës.

Clarice kreu studimet e larta për drejtësi, por bota e ligjit ndjehet shumë pak në letërsinë e saj. Së bashku me bashkëshortin e saj diplomat jetoi në Zvicër, Itali, Angli dhe Shtetet e Bashkuara. Prej vitit 1959, pas ndarjes nga bashkëshorti, jetoi në Rio de Zhaneiro, deri në vdekjen e saj të parakohshme, një ditë para se të mbushte 57 vjec.

Letërsia e Clarice-s krahasohet me atë të shkrimtarëve Jorge Luis Borges, James Joyce apo Franc Kafka. Lispector është një autore që thyen rregullat, jo vetëm nëpërmjet temave dhe mënyrës së trajtimit të tyre, por gjithashtu duke thyer rregullat e gjuhës standarte.

Pavarësisht rëndësisë së padiskutueshme që letërsia e Lispector kishte në Brazil, përkthimi i saj në gjuhët e tjera filloi me vonesë, ndoshta dhe për shkak të veçantisë së një shkrimtareje të tillë, që pak ka të ngjashëm. Ajo që vërehet, dhe vlerësohet, tek letërisa e Lispector është mënyra e thurjes së universit të gruas, të gruas që dashuron, krijon, lind, vdes, mërzitet, nevrikoset, etj.

Vlerësimet për letërsinë sa të veçantë aq dhe të guximshme, aq tërheqëse sa dhe ngërthyese të Lispector kanë ardhur prej artistëve të tjerë të njohur si Pedro Almodovar, Orhan Pamuk, Caetano Veloso, etj. Botimi në anglisht i veprës së Lispector u përfshi në 100 librat më të mirë të vitit 2015 prej New York Times, ndërsa libri “Pasioni sipas G.H.” është përfshirë në Koleksionin e veprave të mëdha të Amerikës Latine të mbrojtura prej UNESCO-s.
 
 
Përgatiti: Ermira Danaj
“Një frymëmarrje jete” dhe “Pasioni sipas G.H.”
Autor: Clarice Lispector
Përkthyeu nga origjinali:  Ermira Danaj.
Botoi: Shtëpia Botuese OMBRA GVG,
 
 
 
Disa prej librave të Lispector janë:

1948: Pranë zemrës së egër
1960: Lidhje familjare
1961: Molla në errësire
1968: Gruaja që mbyti peshqit
1971: Lumturi klandestine
1973: Uji i jetës
1974: Ku ishe gjatë natës
1977: Ora e yllit
 
clarice

clarice

dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

Vangjel Tavo u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, Meta: Nuk kam asnjë mesazh për të! Grabitja e pronave në jug nuk do të funksionojë

Vangjel Tavo u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës, Meta: Nuk kam asnjë mesazh për të! Grabitja e pronave në jug nuk do të funksionojë