TIRANË- Në gjyqin për masakrën e Gërdecit, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Avokati Henrik Ligori, duke iu referuar një vendimi të Gjykatës së Lartë të korrikut 2025, argumentoi se ekziston papajtueshmëri ligjore që gjyqtari i seancës paraprake të shqyrtojë edhe çështjen e themelit.

“Nëse do të shqyrtohet nga ju çështja mund të kthehet sërish. Ne kërkojmë përjashtimin tuaj nga ky gjykim”, tha avokati Ligori.

Nga ana e saj, gjyqtarja Irena Gjoka pyeti nëse palët ishin njohur me kërkesën e saj për heqje dorë nga shqyrtimi i çështjes, ndërsa avokati konfirmoi se ishin vënë në dijeni. Në nëntor 2025 ishte vetë gjyqtarja Gjoka që kërkoi të largohej nga gjykimi i kësaj çështje, me argumentin se nuk mund të ishte pjesë e gjykimit pasi ajo ka qenë gjyqtare e seancës paraprake në këtë çështje dhe e mori gjykimin se i pandehuri kërkoi fillimisht gjykim të shkurtuar. Por, kërkesa e saj u rrëzua nga GJKKO

Përfaqësuesi i SPAK, Arben Kraja, u shpreh se prokuroria nuk ka një qëndrim lidhur me kërkesën e avokatëve. Ndërkohë, gjyqi për masakrën e Gërdecit do të vijojë me gjyqtare Irena Gjokën, derisa kërkesa e avokatit të Mediut të shqyrtohet nga një gjyqtar tjetër.

Gjoka: A e keni marrë kërkesën time për heqje dorë nga ky gjykim?
Ligori: Po, jemi njohur me të.
Arben Kraja: Ne nuk kemi ndonjë qëndrim.

Në përfundim të seancës për mediat, vetë Fatmir Mediu akuzoi për proces politik dhe kundërshtoi edhe një herë akt ekspertizat e SPAK.

Gjyqi për masakrën e Gërdecit ka nisur në prill 2023. Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:22
Mediu pas seancës gjyqësore për masakrën e Gërdecit: Ato që thonë për mua janë aludime

 

Këtë të martë u mbajt seanca e radhës për masakrën e Gërdecit. Pas përfundimit të seancës, Fatmir Mediu dha një prononcim për gazetarët, ku tha se ‘s’mund të vazhdojë një proces me aludime se çfarë ka ndodhur’, ndërsa shtoi se prokuroria nuk ka sjellë prova, por vetëm akte.

Ai parashtroi qëndrimet e tij të përsëritura dhe në seancat e mëparshme se akti ekspertimit i nënshkruar nga dy ekspertë amerikanë, nuk përcakton se zjarri është shkaktuar nga saldimi i një karroce, ashtu si pretendon SPAK. Sipas Mediut, përfundimet e ekspertëve amerikanë nuk kanë përcaktuar një shkak konkret për shkaktimin e zjarrit.

“Ato që pretendon prokuroria si prova s’kanë lidhje me ministrin. Unë nuk gjykohem për shpërthimin në Gërdec, unë gjykohem për shpërdorim detyre. S’ka akt ligjor kushtetues që ministri mund të ketë bërë shpërdorim detyre. Ekpsertët amerikanë kanë deklaruar qartë se është i papërcaktuar shkaku i shpërthimit. S’mund të vazhdojë një proces me aludime pa provuar se çfarë ka ndodhur”, tha ndër të tjera Mediu.