Libri si metaforë
e dijes absolute

Libri si metaforë<br />e dijes absolute
Luan Starova është shkrimtar i formatit të madh,  autor i mbi njëzet veprave të botuara – romane, tregime, poezi, ese… Tanimë ky shkrimtar shqiptar është i njohur botërisht si romansier i llojit të sagës familjare që, deri më sot shtrihet në katërmbëdhjetë vëllime. Në botim të librarisë “Çarshija” dhe në mbështetje të komunës së Çairit së shpejti duhet të dalë në dritë kompleti, tre  vëllime nga i cili po i promovojmë sonte.

 Por para se të them dy fjalë për krijimtarinë letrare të Luan Starovës, më lejoni të sjell në kujtim disa çaste dhe rrethana personale të përbashkëta me autorin e Sagës Ballkanike. Për herë të parë jemi takuar nga mesi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Që nga fillimi i atij dhjetëvjetëshi unë punoja gazetar në redaksinë e Flakës së Vëllazërimit. Gjatë atyre katër-pesë viteve të kaluara në Shkup kisha njohur disa gazetarë e shkrimtarë maqedonas.

Njëri nga ata, mbase më i shquari, Zhivko Çingo, një ditë më foli për një gazetar të ri të talentuar me emrin Luan Starova, me të cilin punonin bashkë në një gazetë  të Shkupit dhe premtoi që do të na takonte. Dhe ndodhi kështu. Një ditë, me rastin e një feste familjare Çingo më ftoi edhe mua, mes mysafirëve të tjerë në shtëpinë e tij,  dhe që nga ajo mbrëmje pothuaj për rreth pesëdhjetë vjet ka vazhduar të jetë e pandërprerë miqësia jonë – duke përballuar bile edhe çaste të rënda të syrit të ligë të një pushteti dhe kohe që rinte zgjuar, syhapur në survejim e përgjim. Sidomos ndaj intelektualëve të paktë shqiptarë aso kohe.

            Miqësia jonë zuri  përnjëherë. Besoj edhe sot, pikërisht për prirjet dhe vizionin e përbashkët në fushën e letrave, të kulturës dhe të traditës, të vlerave tona shpirtërore të përbashkëta. Luan Starova, që nga ajo kohë u bë bashkëpunëtori më i veçantë i faqeve të kulturës të gazetës, të cilat i përgatitja unë.

            Krijimet e para të Luan Starovës ishin kryesisht skica eseistike, medalione të shkurta, të qarta, të lindura nga takimet me njerëz, me botë, të zëna në kërkim të tyre, të lidhjeve, të urave. Mbase ishte kjo ngasja e parë e shkrimtarit të ardhshëm, e shkrimtarit në kërkim të rrënjëve, ngasje drejt kujtimit fare të turbullt të fëmijës 2-3 vjeçar hipur në një barkë bashkë me dy prindërit dhe tre vëllezërit më të rritur dhe që do t’i binin mes për mes liqenit, duke e lënë pas përgjithnjë qytezën e lindjes, Pogradecin, për të zbarkuar në bregun tjetër, në qytetin e Strugës. Kujtim-mbresat e shtresuara nga ditët dhe motet në vijim, do të jenë ngasje-shqetësim, zjarr malli dhe kërshërie, për t’u vënë në kërkim të një mungese, ngasje dhe kërkim që nuk do të pushojë kurrë… Mbas disa viteve qëndrimi në Strugë, familja do të vendoset përgjithnjë në Shkup.

Luani, ndërsa, kur i ishte dorëzuar dhuntisë të sigurt të shkrimtarit, do t’i afrohet virtualisht Pogradecit: nga një ballkon në katet e larta të një pallati në Strugë, me shikim nga gjoli, do ta kërkojë atë pikë të turbullt në bregun tjetër të liqenit dhe në të rrallë, ditëve me qiell të kaltër veror do të mund ta shohë më qartë qytezën e lindjes. Vite, decenie ka komunikuar me folenë e lindjes, me rrënjët e të parëve dhe etnisë, përmes një harku kohor dhe hapësinor mbi liqenin herë të qetë e miqësor, herë të trazuar e kërcënues – hon thellësish të murme, të pakalueshme, kufij. Të afërt e ka ndjerë afërsinë dhe ngrohtësinë magjike të asaj mbështetje shpirti dhe imagjinate, të paarritshme njëkohësisht.

Edhe atëherë kur shkrimtarit, tani më, i shquar, kur do t’i lejohet ta prekë të gjallë, ta vizitojë përnjëmend vendlindjen, nuk do ta gjejë të munguarën, në kërkim të së cilës do të vazhdojë të mbetet rob i apasionuar magjishëm. Do t’i afrohet asaj pas çdo nisjeje nga e para dhe ajo do t’i rrëshqasë rishtazi, gjithnjë duke kërkuar nga e para Itakën e vet, të ëndërruarën, nga ballkoni i lartë i Strugës. Mbase është mire, fat për krijimtarinë letrare tonën: sa herë që niset drejt pushtimit të asaj kështjelle të ëndërruar, Luan Starova niset nga e para, nga një hyrje e re, shteg i ri, nga një perspektivë e re, domethënë nga një roman i ri. Dhe gjithnjë me besimin e të mëdhenjve, se me nisjen e radhës do të mbërrijë në cak, ndërsa cak të tillë nuk ka. Kurse shkrimtari nuk do të pushojë së besuari, e vërtetë kjo që nga fillimet e ëndërrimeve të tilla, që do të vazhdojë pambarim.

            Për afro njëzet vjet Luan Starova do të krijojë në paradhomën e romancierit, ai botoi disa vëllime me ese, reportazhe, skica takimesh, portrete, bile edhe një roman të shkurtë, dhe gjithandej spikat dhuntia, sidomos, e eseistit të talentuar, e intelektualit erudit, që nuk resht së kërkuari shtigje miqësish, ura që shpien dhe kalojnë përtej kufijve. Jo rastësisht, gjithnjë brenda këtij harku kohor, Luan Starova do të apasionohet ndaj figurës dhe veprës së Faik Konicës, personaliteti më erudit në kulturën shqiptare, i cili u vërvit në majat e elitës kulturore të Evropës gjatë pjesës së parë të shekullit njëzet.   

            Kjo krijimtari nëzetvjeçare e Luan Starovës në paradhomën e prozatorit, do të shpërthejë në fillim të dhjetëvjetëshit të fundit të shekullit njëzet, saktësisht në vitin 1992, kur ai do ta botojë romanin e parë të Sagës, me titullin “Librat e babait”. Thashë do të shpërthejë, do vijë shpërthim krijues, për arsye se tani, brenda harkut njëzet vitesh tjera, Luani do të botojë rreth pesëmbëdhjetë vëllime, ritëm ngjashëm me akumulimet e mëdha krijuese, të cilat derdhen varg kataraktesh. “Librat e   babait”, roman i vlerësuar me çmime të larta letrare, do të jetë matricë e vërtetë e Sagës Ballkanike të Luan Starovës. Në këtë vatër përherë të ndezur, do të ngjizen dhe do të marrin krahë, ngjashëm me fluturimin e zogjve nga foleja e parë, dhe secili në rrugën e vet, me veshjen dhe identitetin e  vet në qiellin e hapur të pafund letrar, të gjithë romanet e radhës.

Kështu fillon aventura e imagjinatës krijuese, në kërkim të një mbështetjeje të munguar. Në fillim përmes “Librave të Babait”, të raportit të babait me to, të fshehtësive dhe mistereve që bartin në vete librat, e sidomos në kërkimin, ngulmimin e babait që përmes tyre të gjejë shtigje, që nga urtia e tyre e fshehur t’i shfaqet drejtimi se nga duhet ta çojë familjen e vet, tani si në një barkë mbi një sipërfaqe uji të trazuar, si t’i krijojë asaj mburojë, të nesërme të sigurtë, pa rreziqe.

Këto relacione, këto raporte të babait me librat nga të cilat s’ndahej, i kërkon tani biri shkrimtar, i cili kërkon të depërtojë në netët deri në agim të babait mbi librat, tek të cilat shpesh do të gjejë njolla dhe hi cigaresh të ndezura dhe të harruara. I tillë ishte vërtet babai i Luan Starovës, të cilin kam pasur fatin ta njoh. Sa herë shkoja në banesën e tyre, Arifin e gjeja në dhomën bibliotekën e tij, me librin përpara, shumicën e tyre në gjuhën frënge. Do vazhdojë biri shkrimtar të vihet në kërkim të rropatjeve të babait për t’i gjetur dalje familjes, familjes tani metaforë etnie, njerëzore, për t’i gjetur shteg përmes urtisë, filozofisë së librave, herë përmes shtegtimit të ngjalave, njësoj si përmes rezistencës së dhive nga masakra, here përmes Babilonisë së gjuhëve, apo përmes kurbanëve Ballkanik, here përmes fatit dhe filozofisë së jeniçerit, jeniçerizmit dhe të gjitha rrugët dhe perspektivat e shtrira brenda një shekulli.

            Por, le të kthehem edhe një herë te librat, te ky labirint borhezian, brenda të cilit fshihet thelbi, kuptimi i universit njerëzor. Libri i ngritur në metaforë dhe dije absolute, libri që mban në thellësitë e veta zgjidhjet e të gjithë dilemave, të enigmave, që fsheh në vete të gjitha shtigjet, rrugët nga duhet ecur dhe rrugët që duhet shmangur, dije që ndriçon udhëkryqet dramatike, e gjithsesi edhe ato të fundshekullit njëzet në Ballkan. Në këtë shkallë edhe funksion dhe është ngritur biblioteka me renditjen harmonike dhe me renditje të çrregullt, kaotike, si e Ballkanit, si e njerëzimit, e që biri shkrimtar vihet ta sistemojë dhe të nxjerrë zgjidhjet që andej.

Vihet në kërkim të këtij sistemimi dhe harmonizimi të urtisë absolute, të botës të njeriut dhe njerëzimit, për të dalë nga tuneli, pasojë e renditjes së çrregullt, e sistemimit kaotik, e renditjes absurde të dijes, pra të librit në bibliotekë. Këtë do të vihet të kërkojë ethshëm biri, në bibliotekën e babait. Dhe gjithnjë, pas çdo nisjeje dhe caku të ëndërruar, diç do të mbetet mungesë, diç do t’i rrëshqasë mu në çastin kur është fare pranë, në çastin kur i bëhet se e ka vënë në dorë. Dhe niset rishtazi, gjithnjë nga e para, gjithnjë me besimin ëndërror, me vizionin e krijuesit të lindur, me besimin se një ditë do të arrijë ta përsosë sistemimin harmonik të librave në bibliotekën tonë.

Këtë harmoni do ta gjakojë në fluturimin e radhës me kryeveprën ‘Koha e dhive’, duke shtruar me një ankth elegant pyetjen pse kjo përplasje dhe marrëzi e njeriut, pse ky absurd: vendimi i njeriut për të masakruar, për zhdukjen e dhive, të cilat që nga antika dhe përtej saj, që nga fillimi kanë një të vetmin kuptim, funksion – mirësi, bardhësi në shërbim të tij, të njeriut, bardhësi e dëlirësi , qumështin eliksir jete e gëzim, dhe bardhësi e jashtme stoike që shtrihet rrugëve dhe shesheve të qytetit, për ta dëshmuar vlerën, kuptimin e ekzistencës së vet përballë absurditetit të veprimeve të njeriut… Ngjashëm, edhe rrugët për ngjalat, krijesa të ngjizura kur edhe njerëzimi, ngjizura bashkë me bërjen e rruzullit tokësor, me bërjen e maleve, lumenjve, deteve e oqeaneve.

Edhe bota e ngjalave me to, në udhëtimet e tyre misterioze, me kalendarët e saktë të nisjeve nga thellësitë e gjolit të Pogradecit, nga kaltërsitë e burimeve të Shën Naumit, drejt thellësive oqeanike, për të lënë e për të marrë farën e jetës, farën e vazhdimësisë dhe përjetësisë, e për t’u kthyer, prapë pikërisht këtë pelegrinim të shenjtë dhe madhor e ndërpret dhunshëm njeriu, i ngre mure të hekurta, të zjarrta, dhe ja prapë shkrimtari, përmes alkimisë së librave, gjithnjë nga e para, biri shkrimtar do kërkojë shtigje të lira për ngjalat, shtigje të lira për njerëzit, po ashtu gjithnjë nga e para, me praninë dhe bekimin e babait Arifit dhe nënës Ervehe, me bekimin e tyre edhe më të shenjtë, e shtigjet ndërsa, kuptimi dhe harmonia rishtazi i rrëshqasin, rishtazi të paarritshme, duke lënë dhimbje, vetmi, dhe një fije të hollë dritë besimi, për aq sa për të mos e ndërprerë ecjen. Le të na lejohet edhe bekimi ynë, bekimi i lexuesit me këtë rast, i bashkudhëtarit në këtë sagë njerëzore.

Libri i ri
 
“Rebeka” një nga klasikët e romancës gotike
 
“Rebeka” qe një nga librat më të shitur të  viteve ’30 dhe nuk ka dalë kurrë nga qarkullimi, gjë që e lejon të cilësohet si “klasik”. Historia, e cila përmban elementë të romancës, misterit dhe romanit gotik, sfidon kategorizimin e lehtë: ajo është një rrëfim mbi sekretet dhe tradhtitë, është historia e ekuilibrit të pushtetit midis meshkujve e femrave dhe, natyrisht, siç e ka cilësuar vetë autorja; është një studim mbi xhelozinë, kësaj nepërke që jeton në skutat më të errëta të nënvetëdijes sonë.

Autorja Daphne du Maurier (1907-1989), e cila u shpall Damë e Perandorisë Britanike në vitin 1969, filloi të shkruante tregime në moshën 20-vjeçare. Rrëfimet e saj janë përshtatur në film “Rebeka” që gjithashtu pati sukses sa u vlerësua dhe me çmimin “Oskar” në vitin 1914. "Rebeka" është përkthyer nga Amik Kasoruho.

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit

Incidenti me Osmanin në aeroport, reagon Ministria e Brendshme maqedonase: Iu kërkua të kalonte telefonin në skaner, sigurimi i saj kërcënoi punonjësit