Ligj i ri për sekretet, informacionet e reja që do të ruhen, një nen i dyshimtë që prek edhe median 

Ligj i ri për sekretet, informacionet e reja që do të ruhen, një nen i dyshimtë që prek edhe median 

Teksa shteti shqiptar po kalon krizën më të rëndë kibernetike në historinë e tij, me rrjedhjen e të dhënave mbi pagat, targat, ID dhe numrat e telefonit të qytetarëve, qeveria ka përgatitur një projektligj të ri për ruajtjen e informacioneve të klasifikuara si tepër sekret, sekret, konfidencial apo të kufizuar. Nisma ligjore shfuqizon ligjin në fuqi të vitit 1999 për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, duke parashikuar rregulla të reja për krijimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e informacionit të klasifikuar, si dhe mbrojtjen nga përhapja e paautorizuar, nga humbja, dëmtimi, rrjedhja etj. 

Projektligji, i cili është ende në fazën e konsultimit para së të miratohet në qeveri dhe të dërgohet për shqyrtim në Kuvend, vepron vetëm mbi informacionet dhe të dhënat që do të klasifikohet si sekrete apo konfidenciale nga Presidenti dhe kryeministri, si dhe nga titullarët e institucioneve të tjera kur e marrin këtë të drejtë me delegim nga kryeministri.

Zgjerohet informacioni që do të ruhet 

Ndryshimi kryesor i ligjit në fuqi me nismën e re ligjore konsiston në zgjerimin e kategorive të informacionit që duhet të të klasifikohet dhe ruhet me detyrim.

Ligji në fuqi parashikon vetëm 5 kategori informacioni që duhet të klasifikohet si: informacioni që lidhet me plane ushtarake, informacioni që lidhet me aftësi apo dobësi të kapacitete dhe planeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, veprimtaria e shërbimeve informative dhe informacioni i qeverive të huaja si dhe çështjet shkencore që kanë lidhje me sigurinë kombëtare.

Ligji i ri parashikon 21 kategori informacioni që duhet të klasifikohen si dhe të ruhen nga përhapja. Duhet të klasifikohet dhe ruhet me detyrim planet për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore të vendit dhe të huaja, veprimtaria e shërbimeve informative, burimet e informacionit në shërbimet informative, policisë dhe prokurorisë, plane ushtarake, programe, harta, dhe informacione të tjera ushtarake, programi për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë dhe përgjimet parandaluese të telekomunikimeve. 

Gjithashtu, duhet të klasifikohen si tepër sekret, sekret apo konfidencial informacionet që lidjen me gjendjen, kapacitetin dhe dobësitë të sistemeve/pajisjeve që trajtojnë informacion të klasifikuar, informacione për gatishmërinë luftarake, informacione për planet e mbrojtjes, prokurimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, planet për evakuimin e informacioneve sekrete etj. 

Ligji i ri ndalon klasifikimin e një informacioni kur ai bëhet me qëllim që të fshehë dhunimin e ligjeve apo gabimet e administratës, t’i privojë të drejtën e njohjes një personi, të pengojë apo të vonojë dhënien e informacionit që nuk kërkon mbrojtje në interes të sigurisë kombëtare.

A mbron kjo nismë ligjore të dhënat private të qytetarëve që rrodhën ditët e fundit? Nisma parashikon që çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të propozojë klasifikimin e një informacioni kur çmon se një informacion i caktuar nën kontrollin e shtetit ose jashtë tij ka vlerat e nevojshme për t’u klasifikuar.

Neni i dyshimtë!   

Nisma ligjore për ruajtjen e informacionit të klasifikuar ka një pikë, zbatimi të cilës mund të ndëshkojë median dhe gazetarët, duke i shtyrë drejt kufizimit të lirisë së raportimit. Pika 6 e nenit 6 të ligjit të ri parashikon që “çdo individ ka për detyrë që të mbrojë informacionin e klasifikuar sipas këtij ligji, pavarësisht nga mënyra se si ai ka arritur ta posedojë apo ta garantojë të drejtën e njohjes së këtij informacioni të klasifikuar”. 

Pra, ligji ri ngarkon çdo individ pa dallim me detyrimin për të mbrojtur informacionin e klasifikuar. Ndërkaq, ligji në fuqi ngarkon vetëm institucionet përkatëse dhe punonjësit publikë të tyre, me detyrimin e ruajtjes së informacionit të klasifikuar nga rrjedhja. Ndryshimi mund të ngarkojë me përgjegjësi penale jo vetëm zyrtarët e certifikuar dhe të ngarkuar me detyra për ruajtjen e informacionit, por çdo qytetarë që ekspozon apo përhap një informacion të klasifikuar. 

DSIK-ja 
Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar do të mbetet organi përgjegjës për ruajtjen e për ruajtjen dhe administrimin e informacionit të klasifikuar. Informacioni i klasifikuar do të prodhohet, ruhet, transmetohet vetëm në sisteme të akredituara përshtatshmërisht. Autoriteti Kombëtar i Akreditimit të Sigurisë (AKAS) përgjegjëse për akreditimin e sigurisë së sistemeve kombëtare për komunikimin dhe ruajtjen e informacionit të kualifikuar. Pranë DSIK-së do të veprojnë organe si Autoriteti Kombëtar i Testimit dhe Vlerësimit të Sigurisë, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë së Komunikimeve Autoriteti Kombëtar i Shpërndarjes dhe Agjërimit të Informacioneve, Autoriteti Kombëtar TEMPEST përgjegjës për sigurinë e emetimeve elektromagnetike të sistemeve si dhe Autoriteti Kombëtar i Mbrojtjes Kibernetike. 

Informacionet që do të klasifikohen 

Raporte, analiza, informacione, etj, të paraqitura në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe të Komisioneve të Kuvendit të Shqipërisë;

Raporte, analiza, informacione etj., në takimet dypalëshe ose shumëpalëshe me delegacionet e shteteve të huaja të strukturave shtetërore;

Veprimtaria e shërbimeve informative ku ekspozohen format dhe metodat e punës;

Burimet e informacionit në shërbimet informative dhe në strukturat e tjera parandaluese, gjurmuese dhe zbuluese;

Dokumentacioni i krijuar nga strukturat shtetërore gjatë veprimtarisë informuese, parandaluese, gjurmuese dhe zbuluese;         

Plane ushtarake, programe, harta, planimetri dhe informacione të tjera ushtarake që përmbajnë të dhëna me rëndësi taktike, operative e strategjike;

Informacione për planet e mbrojtjes me rëndësi startegjike dhe kapacitetet e Forcave të Armatosura;

Informacion që lidhet me ndërtimin, përbërjen, fortësinë, përdorimin e sistemeve, algoritmeve dhe materialeve kriptografike në të cilat trajtohet informacion i klasifikuar;

Vlerësimet strategjike të Forcave të Armatosura për kërcënimet, rreziqet dhe masat për përballimin e tyre;

Informacione për gatishmërinë luftarake, pajisjen, modernizimin, kompletimin me forca, mjete të Forcave të Armatosura;

Çështjet kriptologjike, shkencore, teknologjike dhe ekonomike;

Informacionet lidhur me substancat e ndryshme kimike, biologjike, nukleare të rrezikshme për jetën dhe mjedisin;

Planimetritë, skemat dhe projektet për objektet e rëndësisë së veçantë;

Planet për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore të vendit dhe të huaja;

Programin për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe të bashkëpunëtorëve të drejtësisë;

Veprimtarinë e përgjimit parandalues të telekomunikimeve;

Informacion që lidhet me gjendjen, kapacitetin, operimin, vlerësimin e sigurisë, kërcënimet, dobësitë, riskun, incidente sigurie të sistemeve/pajisjeve që trajtojnë informacion të klasifikuar.

Planet dhe skemat e sigurisë fizike të zonave të sigurisë për informacionin e klasifikuar;

Planet e evakuimit të informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare;

Prokurimet në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes që kanë lidhje me sigurinë e informacionit të klasifikuar “Sekret shtetëror”, NATO, BE, shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, kontratat në funksion të tyre dhe dokumentacioni për kontratat e klasifikuara;

Regjistrat dhe librat për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror” pas plotësimit të tyre.

Informacionet që klasifikohen me ligjin në fuqi

Plane ushtarake, armatime ose operacione;
Aftësi apo dobësi, kapacitete të sistemeve që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare;
Veprimtari të shërbimeve informative. 
Informacione të qeverive të huaja, marrëdhënie ndërkombëtare ose me veprimtari ndërkombëtare.
Çështje shkencore, teknologjike dhe ekonomike që kanë lidhje me sigurinë kombëtare. 

M.Q./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale

Spahiu: Thirrja e Erjonit dhe Belindit në të njëjtën ditë në SPAK, politikë penale dhe jo profesionale