Ligjërimi i Bertit që iku nga kjo botë dhe Luli

Ligjërimi i Bertit që iku nga kjo botë dhe Luli

Kreu i PD Lulzim Basha

Para disa ditësh mësova se paska ikur nga kjo botë Berti, miku simpatik i të gjithë atyre që kalonin në rrugën e Liceut dhe e ndeshnin thuajse çdo mëngjes, por miku edhe i të gjithë gazetarëve dhe punonjësve të Top Chanelit, miku i të gjithë atyre që kishin një zë në publik ose që kishin qenë dikur të njohur në qytetin « Studenti ». Berti paska ikur nga kjo botë prej Covidit, por një miku i tij që rri në kryqëzimin e ambasadës italiane me TVSH-në më tha se Bertin e hoqën qafe nga që u prishte punë. I futën një gjilpërë dhe iku. Pas kësaj që më tha miku i Bertit, krijova përshtypjen se Berti mund të ketë ikur nga kjo botë por fabula vazhdon.

Unë e kam të vështirë ta përcaktoj se çfarë ishte Berti si tip shoqëror. Ai e mbante veten si mik i të gjithë intelektualëve të cilët ishin bërë të tillë pasi kishin kaluar nga Qyteti « Studenti » dhe ai i mbante mend të gjithë madje edhe godinat ku kishin qëndruar. Bertin e kam njohur kur isha student dhe më kujtohet se njëherë bashkë me Xan Gallatën, një personazh tjetër simpatik që vinte në Qytetin « Studenti », na ndaluan diku afër Klubit « Studenti » dhe Berti, ndenjti pak e u largua. Xani tha : pse nuk na e mbajtët të kishim bërë pak gallatë.

E kam vrarë mendjen disa herë dhe nuk e kam shkoqitur mirë nëse në raport me Bertin ishin ne më të mençur apo ishte Berti më i zgjuar se ne. Berti vetë e mbante veten si njëri nga ne. I vetmi ndryshim ishte se ai nuk e fshihte naivitetin dhe ligjërimin e ndaluar. Pasioni i tij në mëngjes ishte një 50 lekësh i ri, të cilin duhet t’ia jepje se do pinte një gotë raki. Pas kësaj, ai, pa të marrë leje niste bisedën. Mirëpo ligjërimi i tij ishte në të shumtën e rasteve më brilanti se të gjitha ligjërimet që kishin mbushur një natë më parë studiot televizive. Berti nuk kishte dilema në ligjërim. Ai e shpjegonte botën tonë të ngatërruar shumë thjesht : pasioni i tij ishin gjetja e lidhjeve mes personazheve, numrit të godinës ku kishte fjetur personazhi, numrit të rrugës ku banonte dhe gjithçka shpjegohej. Dikur ishte i fiksuar me kompanitë italiane të kohës së luftës dhe shumë ngjarje nga jeta jonë në fillimet e demokracisë i shpjegonte si përkime logjike të këtyre mbivendosjeve, pastaj, Partinë Demokratike dhe liderët e saj i shpegonte me numrin 13 që kishte qenë numri i shenjuar më parë nga Ramiz Alia në dokumentet e gjendjes civile, sipas Bertit. 

Mishel Fuko në librin e tij « L’ordre du discours » (Gallimard, 1971) duke folur për ligjërimin thoshte se ne jemi të mbështjellë me fjalë, me ligjërim. Sapo hapim sytë e deri sa i mbyllim ata ne mbulohemi nga fjalët. Mirëpo në ligjërimin publik vepron një kriter : përjashtimi dhe tabutë. Deri në shekullin XVII ligjërimi i të marrëve nuk përfillej në ligjërimin publik. Shumë – shumë ai mund të ndeshej në një skenë teatri ku i marri tregonte një të vërtetë të fshehur. Më tej mjekësia psikanalitike nisi ta përfillë ligjërimin e të marrëve, por sot ai ende ka mbetur si një ligjërim që nuk shenjon një akt, një kontratë. Është një logjërim pa referencë.

Shqipëria është mbuluar tani në fund me ligjërime të marrësh gjithëfarësoj dhe teoritë konspiracioniste, sidomos, janë bërë edhe te ne pjesë e narrativës së kohës që jetojmë. Personazhe si Berti që e zbukuronin atmosferën dhe ligjërimin me rrëfime abstrakte që vinin nga një botë emocionale e dëlirë, e pafajshme dhe e parrezikshme mbeten tani si një kujtim i largët. Këta personazhe që jetojnë me ne dhe përpiqen të na tregojnë se jeta nuk është aq serioze sa e marrim, sa janë gjallë i mbajmë si modele ku shohim botën qesharake, atë që na pëlqen por nuk e imitojmë. Ndërkaq, ligjërimet politike makabre i kemi të detyruara t’i dëgjojmë, të merremi me to dhe t’i analizojmë. Nuk e di se çfarë do të kishte thënë Berti për Lulin që thotë se nuk kam humbur, por kam fituar nga që nuk bëra aleancë me Qifen. Me siguri Berti do të kishte gjetur një analogji me numrat dhe gjatësinë e Lulit. Diku te targat e makinës që përdor Luli, Berti do ta kishte gjetur të vërtetën. Berti ishte ana qesharaket e jetës sonë. Ai, gjithashtu, na tregonte fillin e hollë nga ndahet normaliteti me idotësinë. Ai na kujtonte se në rastet kur ne e merrnim shumë seriozisht jetën, kishte një shteg për të dalë me mend në kokë nga kjo zallmahi. Mjaft të mendoje lidhjet që kishin numrat, dera e pallatit, njësia e banimit, dhe numri i këmbës. Berti përdorte këtë terapi që të mbante veten në formë dhe të vijonte të mblidhte 50 lekëshat për rakinë e radhës. Ligjërimit tonë tani do t’i mungojë një autor, i cili iku nga kjo botë pa na treguar nëse ai ishte i marrë apo tallej gjithë kohës me ne, nga që e kishte kuptuar se kjo botë nuk vlente më shumë se një teke raki.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?



×

Lajmi i fundit

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj paraqitet në SPAK