Ky vendim ka sjellë jo vetëm reagimin e socialistë në këtë Komision, i cili u zhvillua mes debatesh, por edhe kundërshtinë e hapur të vetë LSI-së e cila i është drejtuar me një letër trojkës së ambasadorëve, pasi e konsideron këtë vendimin të jashtëligjshëm dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor. Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të propozuar nga kjo forcë politike, sipas Sekretarit për Çështjet Ligjore, Ylli Manjani, është lëvizje politike e Partisë Demokratike dhe vë në rrezik zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.
Vendimi në Komisionin e Ligjeve është marrë me 13 vota pro dhe 10 kundër, ndërsa do të jetë Kuvendi që do të votojë propozimin e Komisionit të Ligjeve për zëvendësimin e anëtarit të LSI, pas largimit të kësaj force politike nga koalicioni qeverisës dhe bashkimin në koalicion parazgjedhor me socialistët. Partia Republikane, si pjesë e mazhorancës ka propozuar dy emra për zëvendësimin e anëtarit të LSI në KQZ, Klement Zgurin ose Patriot Cobën.
Vendimi ka sjellë gjithashtu akuza dhe kundërakuza mes liderëve të dy forcave politike më të mëdha në vend.
Lideri socialist Edi Rama, përmes rrjetit social Twitter tha se prekja e institucionit të KQZ-së me dhunë antikushtetuese siç e cilësoi ai vendimin e sotëm të Ligjeve, “tregon se ç’regjimi do t’i japë fund Partia Socialiste në 23 Qershor. "Prekja e KQZ me dhunë antikushtetuese tregon se ç'regjim do shporrim në 23 qershor e çfarë paniku e ka mbërthyer Saliun në vetminë e madhe!"
Ndërsa në kundërpërgjigje, kryeministri Berisha ka deklaruar pasditen e sotme, se kërkesa e të djathtëve bazohet në marrëveshjen e vitit 2013, e cila përcakton balancën në KQZ në raport 4 me 3 në favor të qeverisë. Gjatë mbledhjes me krerët e PD-së në rrethe, shefi i mazhorancës tha se lëvizjet e forcave politike nuk duhet të cënojnë institucionet. “Forcat politike bëjnë marrëveshjet e tyre, sipas parashikimeve që ato kanë, sipas vlerësimeve që ato bëjnë. Po kjo nuk do të thotë se i marrin institucionet në shpinë. Shkon te tjetri, po institucioni duhet i balancuar, nuk mund të balancohet se vrapojnë forcat politike. Nuk mundet, është fryma e kushtetutës ajo që përcakton rolin e shumicës dhe të pakicës. Institucionet janë të palëkundshme”, nënvizoi Berisha.
LSI LETER TROJKES SE AMBASADOREVE: VENDIM POLITIK I PD-së
LSI i është drejtuar me një letër trojkës së ambasadorëve, pasi e konsideron këtë vendimin të jashtëligjshëm dhe në thyerje flagrante të Kodit Zgjedhor.
Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të propozuar nga kjo forcë politike, sipas Sekretarit për Çështjet Ligjore, Ylli Manjani, është lëvizje politike e Partisë Demokratike dhe vë në rrezik zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 23 Qershorit.
“LSI konsideron se kjo është një lëvizje politike e Partisë Demokratike, me natyrë destabilizuese e cila politizon hapur KQZ dhe kërkon të vendosë mazhorancë të dhunshme politike në procesin e menaxhimit të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit 2013. Kjo frymë pritet të shpërndahet edhe në Komisione të niveleve të tjera”, shkruhet ndër të tjera në letrën drejtuar trojkës. Letra e plotë LSI drejtuar trojkës së ambasadorëve
BERISHA: PARTITE QE IKIN S’MUND T’I MARRIN INSTITUCONET NE SHPINE
Kryeministri Berisha ka deklaruar pasditen e sotme, se kërkesa e të djathtëve bazohet në marrëveshjen e vitit 2013, e cila përcakton balancën në KQZ në raport 4 me 3 në favor të qeverisë.
“Në shekuj parim themelor i funksionimit të shtetit të marrëdhënieve ka qenë dhe mbetet respektimi i marrëveshjeve, ndaj dhe është thënë “marrëveshjet janë për t’u nderuar”. Në vitin 2003 me ndërmjetësim të fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar, me ekspertët më të mirë të këtij komuniteti është firmosur marrëveshja, midis ish-kryeministrit të vendit dhe kryetarit të PD mbi të cilin është vendosur që KQZ do të jetë i balancuar. Qeveria shumicë, pakica kontrollon. Është vendosur raporti 4 me 3 dhe i është dhënë fuqi bllokuese pakicës. Mbi këtë bazë dhe ishim opozitë, ne erdhëm në pushtet, opozita u tregua e arsyeshme, pranoi plotësisht këtë marrëveshje dhe KQZ u formatua 4 me 3 në favor të qeverisë. Kjo ndodhi në zgjedhjet e 2007 në zgjedhjet e 2009. Kjo ndodhi në kodin e ri të 2013. Balanca!”, theksoi kryeministri.
Gjatë mbledhjes me krerët e PD-së në rrethe, shefi i mazhorancës tha lëvizjet e forcave politike nuk duhet të cënojnë institucionet.
“Forcat politike bëjnë marrëveshjet e tyre, sipas parashikimeve që ato kanë, sipas vlerësimeve që ato bëjnë. Po kjo nuk do të thotë se i marrin institucionet në shpinë. Shkon te tjetri, po institucioni duhet i balancuar, nuk mund të balancohet se vrapojnë forcat politike. Nuk mundet, është fryma e kushtetutës ajo që përcakton rolin e shumicës dhe të pakicës. Institucionet janë të palëkundshme”, nënvizoi Berisha.
DEBATET NE KOMISIONIN E LIGJEVE
Kërkesa e grupit parlamentar të Partisë Demokratike për shkarkimin e anëtarit Muho është shoqëruar me debate të shumta në Komisionin e Ligjeve. Opozita ka akuzuar se nuk kishte asnjë arsye ligjore për këtë zëvendësim, ndërsa kryetari i komisionit, Ilir Rusmaili i ka quajtur këto akuza si alarme false.
Pas miratimit të kërkesës së Partisë Demokratike, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmajli ka prezantuar në Komision propozimet e Partisë Republikane për zëvendësimin e anëtarit të LSI në KQZ me Klement Zgurin ose Patriot Cobën si dy kandidaturat e paraqitura nga PR.
Gent Strazimiri në emër të grupit të PD paraqiti nismën në komision “Lirimi nga detyra i Muhos duhet bërë për baraspeshë në përbërjen e KQZ. Ilirjan Muho të shkarkohet pas ikjes së LSI nga mazhoranca”- tha Strazimiri. Nga ana e tij Fatmir Xhafaj tha se po krijohet një precendet i rëndë.
"Kjo është njollë e madhe për Berishën se s'bën zgjedhje të ndershme. Kush luan me vullnetin e popullit, luan me jetën e tij. Eshtë e rëndë jo për rezultatin por për precedentin që krijon.”- tha nënkryetari i komisionit të ligjeve Fatmir Xhafaj.
DEBATET
Xhafaj: Të mos e kisha arritur këtë ditë në sensin që të mos isha dëshmitar i një gjëje të tillë. Ky padyshim është një projekt ogurzi e shkruajtur nga një mendje e zezë dhe një dorë e zezë sepse po i vë një njollë të zezë procesit zgjedhor në Shqipëri. Ky është produkt i drejtpërdrejtë i kryeministrit,i cili në karrierën e tij politike ka një njollë të madhe, zgjedhjet. Ky nuk po zgjidhet, po shkarkohet në mënyrë të dhunshme, në mënyrë arbitrare, ndërkohë që do të duhet të shënonit si bazë ligjore nenin 18 që është përfundimi, ndërprerja para kohe e anëtarit të KQZ.
Gjiknuri: Ashtu si ai Hitleri, se ashtu që është ai që keni në pushtet, që jep urdhër dhe ekzekuton një anëtar të një institucioni të pavarur, pas asnjë shkak ligjor, sepse nuk ka. Sepse të gjithë e dinë, A.B.C e zgjedhjeve të lira e të ndershme është KQZ i pavarur nga politika, me mandat të plotë gjashtë vjeçar. Por hidhni dorashkën në një konflikt të hapur me popullin. Zgjedhjet i njollosët, prishët i qelbët përpara se ta lini.
Majko: Grusht shteti, është edhe një mënyrë për të manipuluar zgjedhjet. Kjo që po bëni është mënyra më e hapur, për t`ju thënë njerëzve se në këtë vend s`ka ligj, s`ka Kushtetutë. Është rruga më e gabuar për tu larguar nga pushteti.
Hoxha: Jam i befasuar më shumë nga Majko. Si na akuzoni për skenarë ogurzinj, kur ky skenar qëndron tek ju. Pasi u konstituua KQZ dhe KZAZ në të gjithë rrethet, është e papranueshme, u vu formula 5 me 2. Rama kërkoi edhe këtë radhë të marë rezultatin në tavolinë. Rezultatin e vendos vota e popullit, jo nën tavolinë në gjirin e Lalzit, duke ngrënë ngjala.
Sula: Do t`i thoja deputetëve të opozitës pa dashur ti fyej, gjithnjë nëse janë të vërteta nga titujt e gazetave, që Majko të heshte sepse nuk mund ti thotë dot derrit dajë, por sot po i thotë edhe hallë. Kjo nuk do të thotë se në 23 qershor të gjithë shqiptarët do të hanë ngjala. Disa do hanë peshq e disa ngjala.
Tahiri: Nuk kërcënojmë ne njeri me jetë. Do zoti stë le zemra në ato garat e gjelave, ose mos të vjen në stadium ndonjë rioshet nga ato që gjuan. Faleminderit që jeni kaq “të trashë” që as e merrni mundimit ta argumentoni. E kuptoj se jeni të shqetësuar, por ne nuk ju qetësojmë dot.
Rusmali: Fjala jote ishte e mbushur me fyerje. Asnjë koleg nuk u fye prej teje, nuk të konsideron njeri në këtë botë, sado të lehësh.
Naço: Kërkesa është e paligjshme. Ata që se kanë vlerësuan LSI në 2005, ja hoqën komisionarin. Tashmë është radha juaj, doni ta hiqni anëtarin e KQZ.
RAMA: PREKJA E KQZ DHUNE ANTIKUSHTETUESE
Pak para se të niste diskutimi në Komisionin e Ligjeve, ka reaguar dhe Edi Rama, i cili nëpërmjet rrjetit social Twitter shkruan "Prekja e KQZ me dhune antikushtetuese tregon se c'regjim do shporrim ne 23 qershor e cfare paniku e ka mberthyer Saliun ne vetmine e madhe!"
Edhe PR si partia e dytë e maxhorancës kërkoi të përfaqësohet në Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor si dhe ato të qendrave të votimit. Pas largimit të LSI-së nga koalicioni qeverisës, PR pretendon zërë vendin e kësaj force në trupën zgjedhore të nivelit të dytë e të tretë.
Prekja e KQZ me dhune antikushtetuese tregon se c'regjim do shporrim ne 23 qershor e cfare paniku e ka mberthyer Saliun ne vetmine e madhe!
— Edi Rama (@ediramaal) April 10, 2013
Asgje s'e shpeton pushtetin e partise familjare te Saliut,prekja e KQZ rrenon ende me shume institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!
Redaksia OnlineAsgje s'e shpeton pushtetin e partise familjare te Saliut,prekja e KQZ rrenon ende me shume institucionin e zgjedhjeve dhe imazhin e vendit!
— Edi Rama (@ediramaal) April 10, 2013
NENI 18
Ndërprerja para kohe e mandatit të anëtarit të KQZ-së
Mandati i anëtarit dhe Kryetarit të KQZ-së përfundon përpara afatit kur: kryen veprimtari politike, njëkohësisht me detyrën e anëtarit të KQZ-së; mbush moshën për pension; vdes; jep dorëheqjen nga detyra; dënohet me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi; me veprim ose mosveprim cenon rëndë veprimtarinë e KQZ-së për përgatitjen, mbikëqyrjen, drejtimin dhe verifikimin e të gjitha aspekteve që kanë të bëjnë me zgjedhjet dhe referendumet, si dhe me shpalljen e rezultateve të tyre; mungon, pa shkaqe të arsyeshme, në dy mbledhje radhazi të KQZ-së, ose në periudhë zgjedhore për më shumë se 5 ditë;
2. Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së bëhet me vendim të Kuvendit, pas propozimit të KQZ-së për shkaqe të parashikuara në shkronjat “a” “d” “dh” dhe “e” të pikës 1 të këtij neni. KQZ-ja është e detyruar të fillojë procedurën për propozimin e shkarkimit jo më vonë se 5 ditë nga marrja dijeni për shkakun. Në rastet e tjera të pikës 1 të këtij neni, anëtari i KQZ-së lirohet me vendim të Kuvendit pas njoftimit nga ana e KQZ-së.
(sg/Gre.M/Shqiptarja.com)