Komisioni i Ligjeve ka miratuar në mbledhjen e parë për këtë legjislaturë edhe aktin normativ të dhjetorit 2025, që rishikonte buxhetin e shtetit.
Përmes rishikimit të buxhetit qeveria vendosi të jepte 15 mijë lekë shpërblim për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomie dhe personat me aftësi ndryshe. Si dhe 15 miliardë lekë u vendos të kaloheshin në skemën e pensioneve, për financimin e reformës së re.

“Nëpërmjet këtij Akti Normativ ne parashikimin transferimin e të gjitha fondeve të papërdorura, siç thashë dhe pak më parë, nga ministritë apo institucionet buxhetore, fonde që do të kalojnë në llogarinë e posaçme pranë Bankës së Shqipërisë, për skemën e pensioneve, që më tej do të përdoren me Vendim të Këshillit të Ministrave duke mbështetur politikat e qeverisë për skemën e re të pensioneve. Nga një vlerësim paraprak që ka bërë Ministria e Financave, shuma që ne minimalisht parashikojmë që do të jetë e papërdorshme, pra është shumë minimale që ne parashikojmë që do të jetë e papërdorshme dhe që do të kalojë në llogarinë e Bankës së Shqipërisë, është minimalisht 150 milionë euro”, tha ministri i Financave Petrit Malaj në Komisionin e Ligjeve.

Gjithashtu në këtë akt normativ janë caktuar 2 miliardë lekë për bujqësinë, në mënyrë që të paguhen fermerët përfitues nga skemat kombëtare.

“Në total, fondi i alokuar për vitin 2025, nga i cili fermerët kanë përfituar drejtëpërdrejtë, shkon në masën 6.4 miliardë lekë, pra është hera e parë që shkon kjo mbështetje për fermerët, krahasuar me 5.3 miliardë lekë që ishte mbështetja në vitin 2024. Sipas të dhënave që disponojmë, realizimi i këtij fondi deri më sot është në masën 90 % për skemat mbështetëse dhe 93% për kompensimin e naftës. Mund të konfirmojmë se pagesat janë ende duke u kryer nga drejtoria e Thesarit dhe pritshmëritë janë që realizimi i kësaj mbështetjeje të shkojë deri në masën 100%, deri në fund të muajit Janar”, tha ministri.

Ndërsa shëndetësia merr shtesë 1.8 miliardë lekë për furnizimin e spitaleve me medikamente, si dhe 1.2 miliardë lekë shkojnë për të shlyer detyrimet e papaguara të bashkive.

Në komision ministri Malaj foli edhe me disa të dhëna paraprake të një bilanci për vitin 2025, pasi shifrat finale ende nuk janë gati.

“Gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, rritja ishte 3.7%, duke u mbështetur kryesisht nga kërkesa e brendshme, konsumi dhe investimet. Ne parashikojmë që për vitin 2025 rritja ekonomike të jetë në masën 3.9%. Sa i takon Borxhit Publik, sipas vlerësimeve dhe parashikimeve tona, ai pritet të rezultojë nën 54% të Produktit të Brendshëm Bruto në fund të vitit 2025, duke regjistruar kështu dhe nivelin më të ulët të borxhit që prej vitit 2010. Në total, të ardhurat nga tatimet, doganat dhe nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, sipas të dhënave paraprake, janë në vlerën 668  miliardë lekë,  rreth 55.8 miliardë lekë më shumë të ardhura të arkëtuara krahasuar me vitin 2024. Pra, janë rreth 560 milionë euro më shumë të ardhura të arkëtuara në krahasim me vitin 2024”, u shpreh ministri.