Kuvendi ne seance plenare Foto ATSH(Arkive)
TIRANË, 17 Shtator/ATSH-Anila Struga/.- Kuvendi rrëzoi të enjten në mbrëmje dy dekrete të Presidentit të Republikës që kthejnë për rishqyrtim në parlament dy ligjet e miratuara në fund të sesionit të kaluar, respektivisht ligjin "Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë" dhe ligjin "Për turizmin".
Pas një seance maratonë që zgjati rreth 11 orë Kuvendi rrëzoi me 71 vota kundër, 18 vota pro dhe 1 abstenim dekretin "Për arsimin e lartë" dhe me 72 vota kunder, 1 abstenim dhe 14 vota pro rrëzoi dekretin tjetër, atë të ligjit "Për turizmin".
Gjithashtu, seanca e sotme miratoi me 74 vota pro, 1 votë kundër dhe 10 abstenime pr/ligjin "Për shërbimet dhe produktet biocide në shëndetin publik"; me 82 vota u miratua ratifikimi i marrëveshjes me BE-në "Për pjesëmarrjen e Shqipërisë në programin "Evropa për qytetarët", ndërsa ratifikimi i marrëveshjes mes palës shqiptare dhe KFW Frankfurt AM MAIN, për projektin "Ujësjellësi Rural III" u miratua me 84 vota .
Në fund të seancës deputetët miratuan me 73 vota pro, asnjë kundër, asnjë asbstenim projektvendimin për shqyrtimin me procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi të disa shtesave në ligjin "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.
Seanca e sotme u shoqërua me debate të forta mes palëve, ku në qendër ishte çështja e dekriminalizimit të parlamentit. /m.m/