Më herët në emër të grupit nismëtar të këtyre propozimeve në projektligjin për KLD, socialisti Pandeli Majko ka theksuar se ndryshimet nuk janë gjë tjetër veçse rregullorja e brendshme e KLD-së e kthyer në ligj duke ftuar opozitën se nëse ka dyshime ti çojë në Gjykatën Kushtetuese.
"Në emër të të gjithë kolegëve ftoj pa asnjë lloj sfide, kolegët e partisë demokratike që për ç'far do lloj dyshimi që kanë lidhur me këtë ligj ta çojnë në gjykatën kushtetuese. Ne jemi të gatshëm të ballafaqojmë për këtë ligj dhe për këto ndryshime ligjore edhe në gjykatën kushtetuese. Jemi të bindur se po rregullojmë një veprimtari e cila kishte precipituar në shkelje të rregullave të brendshme të këshillit të lartë të drejtësisë dhe kishte sjell një varg pasojash të cilat kishin bërë që proçesi i integrimit, dokumentat e proçesit te integrimit europian thuajse në mënyrë periodike e kishin bërë një normalitet faktin e korrupsionit sistemit te drejtësisë, faktit të mos funksionimit të sistemit të drejtësisë, faktit të mos funksionimit të shtetit të së drejtës." u shpreh deputeti Majko
Ndërsa deputeti Armando Subashi ka artikuluar akuza ndaj Presidentit Nishani i cili mban postin e kryetarit te KLD se pranë tij gjendet një grup që shkon në këtë insttucion vetëm për teatër ditën e vendimeve pasi ato janë marrë një ditë më parë.
"Ç'mund të presësh nga një gjyqtar i cili komandohet në rolin e kryetarit për vite vite nën presionin e emërimit ose jo në atë post dhe sigurisht që në të gjitha rastet që kanë ndodhur në atë institucion tregon më së miri që kjo nuk i ka shërbyer punës së gjykatave, përkundrazi ka qenë një hap mbrapa. Për mendimin tim është një politikë e ideuar dhe e zbatuar me shumë kujdes nga këshilli i lartë i drejtësisë. Nuk janë te paktat rastet. Kur shpesh here vendimet atje janë të paragjykuara. Atje shkohet sa për teatër. Atje shkohet sa për të bërë shou pasi vendimet reale janë marrë një apo dy ditë më përpara. Mblidhet grupi i anëtarëve që pa dyshim është pranë presidentit të republikës dhe nën drejtimin e tij piketojnë gjithë vendim marrjet e rradhës." tha Subashi
Nga ana tjetër, Ministri i Drejtësisë Nasip Naço u shpreh tha se drafti për kërkon të përmirësojë problematikat që janë ndeshur gjatë punës së këtij institucioni
“Fillimisht nuk do ketë më mandatime të gjyqtarëve të cilat do vijojnë mbi 30 ditë. Nuk do ketë më gjyqtar apo anëtar të KLD-së të pandëshkueshëm. Po ashtu, do të kemi transparencë më të madhe në punën e KLD-së, qe deri më tani kryen detyrën me dyer të mbullura”, tha Naço.
...............
Ligji i ri për KLD, mazhoranca fton opozitën t'i drejtohet Kushtetueses për kundërshtimet
Në kushtet kur KLD vijon moskryerjen e detyrave funksionale dhe për më tepër insiston në shkeljen e vazhdueshme të ligjit, sigurisht që kjo mazhorancë nuk e ka luksin të shohë se si degradon sistemi dita ditës dhe se si drejtësia i largohet gjithnjë e më shumë standardeve që duhet të arrijmë”. Me këtë argument është paraqitur para deputetëve të Parlamentit, ministri i Drejtësisë Nasip Naço ndërsa shtroi nevojën për reformimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Ministri i Drejtësisë tha se drafti kërkon të përmirësojë problematikat e hasura gjatë punës së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Fillimisht nuk do ketë më mandatime të gjyqtarëve të cilat do vijojnë mbi 30 ditë. Nuk do ketë më gjyqtar apo anëtar të KLD-së të pandëshkueshëm. Po ashtu, do të kemi transparencë më të madhe në punën e KLD-së, qe deri më tani kryen detyrën me dyer të mbullura”, tha Naço.
Majko: Opozita të marrë pjesë në diskutime në të kundërt t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko ka kërkuar edhe njëherë nga opozita të jetë pjesë e debateve sa i përket ndryshimeve në KLD. Ai tha se Grupi Parlamentar i PS-së mbështet inciativën e ministrit të Drejtësisë dhe ligji i ri kërkon një transparencë nga ana e KLD-së.
"Në emer të grupit parlamentar të PS, ne do të përkrahim inicativën e ministrit të Drejtësisë. Po e nis nga mbledhja e fundit e KLD, janë emëruar tre kryetarë Gjykatash, prej sa muajsh janë të komanduar këta gjyqtarë? Kjo na bën që ne të përkrahim këtë ndërhyrje të Parlamentit në lidhje me KLD-në. Duhet trasparencë edhe nga KLD-ja. Jo të bëhën mbledhje të mbyllura. Kemi nxjerrë në konflikt interesi antëarët e KLD-së. Mendoj se ky ndryshim është jo vetëm rregullues i KLD-së por do t’i japi fund abuzimeve në këtë institucion. Kjo nuk është një reformë në sistemin e drejtësisë, por një ndryshim që është i nevojshëm në jetën e brendshme të KLD-së. Do të ishte shumë e doblishme nëse opozita do të kishte marrë pjesë si në Kuvend ashtu dhe në Komisione. Ftoj pa asnjë lloj sfide që çfarë do lloj dyshimi që kanë ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese. Sot këdo që të pyesësh iu ka ardhur shpirti në majë të hundës së si gjyqtarët japin drejtësi, jo të gjithë gjyqtarët. Kjo është një nxitje që KLD të respektojë rregullat që ka vënë vet. Kush nuk do të zbatojë ligjet, atëherë le të qajtë e të bëjë viktimën", ka thënë Majko.
Problematika e hasura nga ministri Naco ne institucionin e KLD-se
23 kryetarë të gjykatave nga 29 gjykata të shkallës së parë, ushtronin detyrën në kundërshtim me ligjin, dhe vetëm 6 prej tyre drejtoheshin nga kryetarë të emëruar me vendim të KLD-së.
Emërimet dhe promovimet e gjyqtarëve nuk ishin kryer bazuar në kritere objektive, duke qenë se KLD nuk ka kryer një vlerësim profesional të gjyqtarëve. Vetëm në Janar të këtij viti përfundoi vlerësimi profesional për vitet 2005- 2006.
KLD ka shkelur ligjin për sa kohë nuk mundësoi listën e përhershme të renditjes së gjyqtarëve, e cila ka ndikuar në shmangien nga kriteret objektive nga ana e KLD-së në rastin e emërimeve dhe promovimeve të gjyqtarëve.
KLD-ja ka shkelur ligjin, pasi në vijimësi ka promovuar anëtarët e saj përgjatë mandatit të tyre në këtë këshill në konflikt të hapur interesi.
Ndërkohë ligji për Konferencën Gjyqësore Kombëtare përcakton qartë, se anëtarët e KLD-së nuk mund të paraqesin kërkesë për transferim apo ngritje në detyrë gjatë ushtrimit të mandatit të tyre.
KLD-ja ka shkelur ligjin, kur për shkak të mungesës së efiçencës nuk arriti të kryejë të gjitha emërimet në Gjykatat Administrative të shkallës së parë, duke rrezikuar seriozisht fillimin e veprimtarisë së tyre në datën 4 nëntor 2013, datë e përcaktuar nga vetë KLD-ja. Edhe sot Gjykatat Administrative të Shkallës së Parë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Korçë dhe Gjirokastër vazhdojnë t’i ushtrojnë funksionet e tyre me një numër të reduktuar gjyqtarësh.
KLD ka shkelur ligjin, kur për më shumë se 2 vjet nuk emëroi 16 studentët që përfunduan studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitet akademike 2011- 2013.
KLD shkeli ligjin, pasi për më shumë se një vit nuk zbatoi Dekretin e Presidentit të Republikës "Për caktimin e numrit të gjyqtarëve në Gjykatat e shkallës së parë, të Apelit dhe të Gjykatave Administrative”. Për këtë mosveprim të
KLD-së në Gjykatën e Lushnjes për mbi 6 muaj u bllokua fondi i pagave, për shkak të numrit më të madh të gjyqtarëve në raport me atë të përcaktuar në dekretin e sipërcituar.
KLD shkeli ligjin duke shpallur vendet vakante në gjykata pa propozim të Ministrit të Drejtësisë dhe vijoi një proces të paligjshëm, duke bërë emërime të ndikuara politikisht.
KLD shkeli ligjin, ndërsa zvarriti për më shumë se dy vjet procedimet disiplinore të propozuara nga Ministri i Drejtësisë.
Çfarë kerkohet permes ketij projektligji
Konkretisht, propozohet që procedura e emërimit të kryetarëve të gjykatave të bëhet brenda afatit tre- mujor, sikurse është e përcaktuar në rregulloren e KLD.
Kemi kërkuar që shqyrtimi i procedimit disiplinor të bëhet brenda një muaji nga data e paraqitjes së kërkesës pranë këshillit. Nga praktika e evidentuar rezultoi se KLD nuk kishte marrë në shqyrtim për rreth 700 ditë kërkesën e procedimit disiplinor ndaj 3 gjyqtarëve. Ndërkohë që këta të fundit jo vetëm që nuk u proceduan por gjatë kësaj kohe edhe ishin promovuar.
Kemi kërkuar që të shmanget konflikti i interesit tek anëtarët e KLD-së. Praktika e deritanishme e këtij këshilli dëshmoi se u shpërfill parashikimi i ligjit për Konferencën Gjyqësore, dhe u lejua promovimi i disa anëtarëve të saj përgjatë mandatit të tyre.
Për këtë drafti parashikon se jo vetëm gjatë mandatit, por edhe 1 vit pas mbarimit të këtij mandati anëtarët e KLD-së nuk mund të promovohen.
Kemi kërkuar që sikurse e parashikon rregullorja e KLD-së, ky këshill njëhërë në dy vjet duhet të bëjë vlerësimin e punës se inpektorëve dhe kryeinspektorit, detyre që KLD nuk e ka kryer asnjëherë pavarësisht parashikimit në rregullore.
Për këtë kemi transpozuarnë ligj ekzaktësisht përcaktimin që parashikon rregullorja në lidhje më këtë çështje.
Kemi kërkuar që KLD-ja të rrisi transparencën dhe të normojë punën e saj. Praktika e deritanishme ka treguar se ky këshill nuk është transparent as me publikun dhe as me anëtarët e tij, përsa kohë të dyja palëvë nuk ju vihen në dispozicion procesverbalet.
Për këtë kemi normuar vënin në dispozicion ndaj cdo anëtari të procesverbalit për ta miratuar në fund të mbledhjes ose në mbledhjen pasardhëse.
Kemi kërkuar që të rritet përgjegjshmëria e anëtarëve të KLD në zbatim të ligjit. Praktika e deritanishme dëshmon se anëtarët e KLD-së shkelin dhe shpërfillin ligjin. Për këtë është parashikuar në ligj që anëtari i KLD-së të jetë subjekt i shkarkimit apo lirimit nga detyra në rastet e shkeljes së ligjit dhe kushtetutës, në bazë të organit të emërtesës, përkatësisht nga Konferenca Gjyqësore dhe nga Kuvendi për anëtarët e zgjedhur prej tij.
........
Një nga pikat më shumë të përfolura të ligjit është edhe mënyra se si do të pezullohet gjyqtari. Në ligj është parashikuar që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të mblidhet 24 orë pas kërkesës së Prokurorisë për të marrë si të pandehur një gjyqtare dhe për këtë, institucioni duhet të jap aprovimin e saj. Kjo pikë u ndryshua nga ana e ligjvënësve socialist pas rekomandimeve të ardhura nga OSBE. Në fillim ishte parashikuar që KLD mblidhej 24 orë pas fillimit të procedimit penal ndaj gjyqtarit dhe e pezullonte atë gjë e cila sipas ndërkombëtarëve shkel parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)