Delegacioni i Bashkimit Europian deklaroi sot se Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo nismë ligjore që bie ndesh me angazhimet që ajo ka marrë në kuadër të bisedimeve për anëtarësim.

Këto komente erdhën si reagim ndaj miratimit në seancën e kaluar të parlamentit, të ndryshimeve në ligjin për portet turistike të propozuara nga deputetja socialiste Zamira Sinaj dhe të kundërshtuara nga opozita.

Delegacioni thotë se këto ndryshime “do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet.”

Delegacioni i BE-së, vë në dukje dhe faktin se ndryshimet ligjore të miratuara, përfshijnë dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë, për të cilin kujton se pritet që të shfuqizohet, si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27”.

Ndryshimi ligjor i mbështetur nga shumica parashikon që sipërmarrësit të cilët kanë statusin e investitorit Strategjik, të mund të ndërtojnë porte turistike, pa iu nënshtruar procedurave të koncensionit.

Më 9 prill, Kuvendi miratoi ndryshimet në fjalë me 76 vota të mazhorancës socialiste, duke i hapur rrugë investitorëve strategjikë të ndërtojnë porte turistike pa kaluar nga procedura e koncesionit, një lëvizje që opozita e kundërshtoi fort, duke e cilësuar si ligj “me porosi”.

Deklarata e plotë e BE-së për Report TV

“Ne jemi në dijeni se Parlamenti miratoi ndryshime në Ligjin “Për portet turistike në Republikën e Shqipërisë”. Ndryshimet do të duhet të vlerësohen nga afër nga shërbimet tona, veçanërisht në fushën e prokurimit publik dhe përputhshmërinë e tyre me legjislacionin e BE-së, i cili kërkon procedura transparente dhe konkurruese për dhënien e koncesioneve, përfshirë edhe për portet. Gjithashtu kuptojmë se teksti i ri përfshin dispozita të pranishme në Ligjin për Investitorët Strategjikë. Ky është një ligj që Shqipëria pritet ta shfuqizojë si pjesë e hapave të Agjendës së Reformave dhe në kuadër të kushteve përmbyllëse për Kapitullin 27. Shqipëria duhet të përmbahet nga çdo hap që bie ndesh me këto angazhime”