Ligji i ri, Policia Gjyqësore jep 
llogari për rezultatin e hetimeve

Ligji i ri, Policia Gjyqësore jep <br />llogari për rezultatin e hetimeve
Projektligj i ri për organizmin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore, në kuadër të zbatimit të Reformës në Drejtësi si dhe përputhjes me ligjin për SPAK. Drafti i hartuar nga EURALIUS dhe ekspertët shqiptarë synon të disiplinojë mbrojtjen e hetimeve, duke vendosur rregulla më të forta për sa i takon raportimit të rezultatit të hetimeve vetëm para prokurorit kompetent. Po ashtu, projektligji synon të vendosë rregulla të tilla që oficerët që kryejnë funksione gjyqësore të kenë kohën e nevojshme për t’u fokusuar tek ato, pa lejuar që ata të ngarkohen me detyra të tjera që u kufizojnë kohën dhe energjitë që nevojiten për të kryer hetime. Sipas ligjit të ri, nuk do të ketë më oficerë të policisë gjyqësore të shërbimeve në zyrat e prokurorisë; ata do të organizohen si shërbim i posaçëm pranë organit administrativ të origjinës dhe do të përballojnë pjesën dërmuese të veprimtarisë hetimore, përveç hetimeve në kompetencë të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Po ashtu, rindërtohen rregullat që synojnë stabilitetin në detyrë të shërbimeve të policisë gjyqësore, duke vendosur një kontroll më të rreptë mbi emërimet dhe transferimet. Në raste transferimi, përveç rasteve të ngritjes në detyrë, kërkohet mendimi paraprak i drejtuesit të prokurorisë ose i Prokurorit të Përgjithshëm, për shërbimet e ngritura në nivel qendror. Gjithashtu, saktësohen procedurat e procedimit disiplinor, garancitë e procesit të drejtë dhe ankimit të vendimit. Vendimmarrja nuk do të jetë më kompetencë e drejtuesit të institucionit prej nga varet punonjësi i policisë gjyqësore, por e Komisionit Disiplinor, vendimi i të cilit mund të ankohet para Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në rastet e dhënies së masës së largimit nga detyra parashikohet mundësia e një garancie shtesë, duke njohur të drejtën e ankimit në gjykatën administrative të apelit.

Hetimet
Projektligji synon, gjithashtu, të gjejë mekanizmat që të nxitin punën e përbashkët, me krijimin e grupeve hetimore të përbashkëta, sidomos në rastin e hetimeve më të vështira dhe në rastet e bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar apo të hetimeve ndërkufitare. Drafti synon, gjithashtu, të zgjidhë nevojën e domosdoshme të trajnimit të vazhduar të policisë gjyqësore, përmes bashkëpunimit të institucioneve përkatëse me institucionet e arsimit të lartë

Çoroditja e Policisë Gjyqësore
Sipas ekspertëve, dobësia e lidhjeve të oficerëve të shërbimeve, të caktuar në seksionet e prokurorive, me administratën e origjinës, çoi në humbjen e lidhjeve me territorin, duke mos krijuar dot sinergjinë e nevojshme të veprimtarisë hetimore. Ndërkaq, me ndryshimet ligjore të vitit 2010 u abrogua procedura e konkurrimit për caktimin e kandidatëve në seksione, në cënim të respektimit të parimeve të transparencës dhe të meritës, duke dobësuar cilësinë e personelit. Përbërja e personelit të shërbimeve të policisë gjyqësore, edhe të atyre të specializuar në sektorë të posaçëm të luftës ndaj krimit, vazhdon të mbetet e pastabilizuar, si rrjedhojë e lëvizjeve e transferimeve. Kjo mungesë stabiliteti, sipas ekspertëve, ndikon në cilësinë e veprimtarisë hetimore, kurse mundësia e ndikimit politik nuk jep garancitë e duhura për objektivitet dhe ligjshmëri të hetimeve.

Disa nga ndryshimet dhe nenet e reja të Kodit të Procedurës Penale
 
Neni 37/b
Detyrimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
 
1. Marrëveshja me bashkëpunëtorin e drejtësisë duhet të përmbajë të paktën:
a) Të dhënat personale të bashkëpunëtorit dhe prokurorit;
b) Detyrimin e bashkëpunëtorit për t’iu përgjigjur pyetjeve si dëshmitar nën betim në
procedimin penal;
c) Detyrimin e bashkëpunëtorit për të thënë të vërtetën dhe të mos fshehë asnjë
informacion që njeh në lidhje me veprën penale apo autorin e saj;
d) Detyrimin e bashkëpunëtorit të mos fshehë asnjë informacion që njeh për
pronësinë ose çdo përftim ose e ardhur nga vepra penale, objekte ose rrethana të
tjera që lidhen me veprën penale;
e) Deklarimet e të pandehurit mbi faktet në lidhje me nenin 37/a, paragrafi 3,
f) Rekomandimin mbi vendimin në përputhje me nenin 28 paragrafi 7 të Kodit Penal;
g) Nënshkrimin e prokurorit, të bashkëpunëtorit dhe të mbrojtësit të tij nëse është i
pranishëm.
 
Neni 165/a
Dëshmitarët anonimë
 
1. Nëse dhënia e dëshmisë mund të vendosë dëshmitarin ose një të afërm të tij në një
rrezik serioz për jetën, shëndetin, integritetin fizik, ose mund të shkaktojë një dëm të rëndë pasuror dhe nëse i pandehuri akuzohet për vepra të rënda për të cilat parashikohet burgim pesë vjet në minimum dhe nuk zbatohet programi i mbrojtjes së dëshmitarëve, gjykata, me kërkesën e prokurorit, vendos për zbatimin e teknikave të veçanta të marrjes në pyetje dhe të pjesëmarrjes së dëshmitarit në procedim.
2. Kërkesa e prokurorit i paraqitet kryetarit të trupit gjykues në një zarf të mbyllur, me shënimin “konfidenciale” dhe “dëshmitari është në rrezik”.
3. Në kërkesë, prokurori parashtron arsyet e përdorimit të një ose disa prej teknikave të veçanta të marrjes në pyetje, pa treguar të dhënat e vërteta personale të dëshmitarit.
4. Gjykata, pasi shqyrton arsyet e kërkesës pa pjesëmarrjen e palëve, për kërkesën e
prokurorit, vendos me vendim të arsyetuar sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se dyzetë e tetë orëve nga momenti i paraqitjes së kërkesës
 
5. Prokurori mund të ushtrojë ankim kundër vendimit të gjykatës, brenda dyzetë e tetë orëve nga marrja e vendimit. Gjykata e apelit, pasi shqyrton arsyet e kërkesës pa pjesëmarrjen e palëve, vendos mbi ankimin brenda njëzetë e katër orëve nga paraqitja e ankimit. Vendimi i gjykatës së apelit është i formës së prerë.
6. Nëse pranon kërkesën e prokurorit, gjykata vendos pseudonimin e dëshmitarit dhe procedurat përkatëse të fshehjes së identitetit, njoftimit, paraqitjes dhe pjesëmarrjes. Pyetja e dëshmitarit kryhet në përputhje me nenin 361/b të këtij Kodi.
7. Prokurori ruan në një zarf të mbyllur dhe të vulosur, të dhënat personale të vërteta dhe ato të vendosura nga gjykata për dëshmitarin, ndaj të cilit do të përdoren teknikat e veçanta të marrjes në pyetje. Përfshirja e dëshmitarit në të gjitha fazat e procedimit penal bëhet vetëm nëpërmjet pseudonimit të vendosur nga gjykata.
8. Kryetari i trupit gjykues në secilën nga shkallët e gjykimit mund t’i kërkojë, edhe kryesisht, prokurorit dorëzimin e zarfit për verifikimin e atypëratyshëm të dyshimeve të
arsyeshme mbi identitetin e dëshmitarit. Në çdo rast, mbi zarf duhet të shënohen në mënyrë të dukshme data, emri, firma dhe funksioni i personave që kanë hapur zarfin dhe personave që janë njohur me të dhënat që përmban zarfi.
 
Neni 205/a
Kontrolli pa dorëzuar vendimin e gjykatës
 
1. Përjashtimisht nga sa parashikohet në paragrafin 2 të nenit 34/a dhe nenet 203, 204 dhe 205 kontrolli mund të kryhet pa dorëzuar vendimin e gjykatës nëse:
a) Kushtet e situatës tregojnë që mund të ketë rezistencë me armë;
b) Ka arsye për të besuar se janë kryer vepra penale nga një grup i armatosur ose organizatë kriminale apo janë kryer vepra penale me element ndërkombëtar;
c) Është kryer një vepër penale në një ambient publik;
ç) Ka dyshime që personi mund të fshehë, shkatërrojë ose dëmtojë prova materiale ose sende që i përkasin veprës penale;
d) Ka dyshime që mund të vihet në rrezik siguria fizike e personave që do të kryejnë kontrollin;
dh) Nuk njihet ose nuk gjendet pronari ose poseduesi i sendit të paluajtshëm ose të luajtshëm.
 
Neni 221
Kufijtë e lejimit
 
1. Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks,
kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji, përgjimi i fshehtë me mjete teknike i bisedave në vende private, përgjimi me audio dhe video në vende private dhe regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, lejohen vetëm kur procedohet:
a) Për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se katër shtatë vjet;
b) Për  kundërvajtjet  penale  të  fyerjes  e  të  kanosjes,  të  kryera  me  mjete  të telekomunikimit.
b) Për çdo vepër penale me dashje kur kryhet me anën e mjeteve të telekomunikimit ose përdorimit të teknologjive informatike ose telematike.
2. Përgjimi i fshehtë fotografik, filmik ose me video i personave në vende publike dhe  përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes lejohen vetëm kur procedohet për krime të kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se dy vjet.
3. Përgjimi mund të urdhërohet kundër:
a) Të dyshuarit për kryerjen e një vepre penale;
b) Personit që dyshohet se merr ose transmeton komunikime nga i dyshuari;
c) Personit që merr pjesë në transanksione me të dyshuarin;
ç) Personit, vëzhgimi i të cilit mund të çojë në zbulimin e vendndodhjes ose të identitetit të të dyshuarit.
4. Rezultati i përgjimit është i vlefshëm për të gjithë komunikuesit.
5. Përgjimi parandalues rregullohet me ligj të veçantë. Rezultatet e tij nuk mund të përdoren si provë.
 
Neni 223
Veprimet e përgjimit
 
 1. Veprimet e përgjimit mund të kryhen vetëm me anën e pajisjeve të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara e të kontrolluar nga prokurori i rrethit.
2. Përgjimi i komunikimeve elektronike kryhet në prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe në prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë. Procesi teknik i përgjimit të komunikimeve elektronike realizohet nga sistemi i përgjimit i instaluar në Prokurorinë e Përgjithshme. (SPAK?)
3. Për kryerjen e përgjimit, prokurori vepron vetë ose urdhëron oficerët e policisë
gjyqësore.
 
Neni 332/2
Përmbajtja e marrëveshjes
 
1. Marrëveshja bëhet më shkrim dhe përmban:
a) Përshkrimin e veprës penale për të cilën akuzohet i pandehuri;
b) Deklarimet e të pandehurit që ai ka kryer veprën penale;
c) Llojin e saktë dhe masën e dënimeve penale kryesore dhe plotësuese për të cilën bien dakord prokurori dhe i pandehuri;
ç) Shumën e saktë të shpenzimeve procedurale;
d) Marrëveshjen mbi konfiskimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme dhe pagesën e dëmit civil, nëse është paraqitur padi civile dhe, nëse është rasti, konfiskimin e produkteve të veprës penale. Pasuria duhet të identifikohet qartë;
dh) Marrëveshjen ndërmjet të pandehurit dhe prokurorit për heqjen dorë nga e drejta e ankimit kundër vendimit të gjykatës, me të cilin pranohet marrëveshja, përveç rastit kur
çështja penale duhet të pushohet sipas kushteve të nenit 387;
e) Çdo kusht tjetër për të cilin prokurori dhe i pandehuri kanë rënë dakord;
ë) Nënshkrimet e palëve dhe avokatit mbrojtës;
 
2. Çdo marrëveshje ndërmjet prokurorit dhe të pandehurit që nuk është në formë të
shkruar dhe që nuk është paraqitur në gjykatë sipas paragrafit 1 janë të pavlefshme.
 
3. Marrëveshja nuk pranohet në rast së nuk përmban elementët e përmendur në
paragrafin 1 dhe 2 të këtij neni. Vendimi i mospranimit jepet i shkruar dhe i arsyetuar. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran

Vrasja e Nasrallah/ Presidenti iranian Pezeshkian viziton selinë e Hezbollahut, kryeministri i Rusisë zbarkon në Teheran