TIRANE, 3 Dhjetor/ATSH/- Ligji i ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar i hartuar nga Administrata Tatimore hyn në fuqi më 1 janar 2015. Ky ligj synon të krijojë një sistem taksimi që ndryshon imazhin e administratës tatimore për t'i shërbyer çdo tatimpaguesi të vogël apo të madh, vendas apo të huaj, nëpërmjet rritjes së kapaciteteve dhe cilësisë. Ligji ndryshon mënyrën e të tatuarit te administratës me anë të një ligji gjithëpërfshirës, që paraqet qëndrueshmëri e siguri për biznesin, si dhe mënyrën e bashkëveprimit ndërmjet tatimpaguesve dhe administratës.
Rregullat e vendosura synojnë të sigurojnë:
-Njëtrajtshmëri në aplikimin e TVSH-së duke e unifikuar kështu sistemin e taksimit shqiptar me atë të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian;
-Konkurrencë të drejtë dhe kushte të barabarta, duke eliminuar sa është e mundur faktorët që cenojnë këto kushte;
-Stimulimin e qarkullimit të mallrave dhe të shërbimeve duke e bërë biznesin shqiptar konkurrues midis vendeve të zhvilluara.
-Eliminimin e taksimit të dyfishtë të TVSH-së për transaksionet midis bizneseve në Shqipëri dhe atyre të vendosura në çdonjërin vend anëtar të BE-së (parimi i destinacionit);
-Përkufizimin dhe trajtimin në mënyrë të detajuar dhe të pasuruar konceptet mbi furnizimin e mallrave dhe shërbimeve mbi të cilat zbatohet TVSH-ja, duke shmangur konfuzionin dhe paqartësitë;
-Shmangien e paqartësisë lidhur me furnizimin e pasurisë së patrupëzuar, duke e përkufizuar atë si një furnizim shërbimi;
-Trajtimin jashtë objektit të aplikimit të TVSH-së të mallrave të dhuruara deri në një vlerë tavan, përfshirë dhe kur ato dhurohen për qëllime të nxitjes së biznesit, ndryshe nga sa trajtohet aktualisht, ku çdo mall i dhuruar, pavarësisht vlerës së tij, tatohet me TVSH.
-Reduktimin e kostove të biznesit për fushatat e publicitetit dhe promocionit, duke mos kufizuar të drejtën për të zbritur TVSH e paguar në blerje nga biznesi për artikujt promocionale dhe publicitare./a.gjonaj//a.ke/