Ligji i ri, si ndryshojnë tarifat e
studimit në universitetet publike

Ligji i ri, si ndryshojnë tarifat e<br />studimit në universitetet publike
TIRANE- Ligji i ri për Arsimin e Lartë ndryshon rrënjësisht sistemin arsimor në vend. Nga 2016-a, nuk do të ketë më maturë shtetëore por konkurs ose ese për pranimin e studentëve. Nuk do të pranohen në Universitet çdo student, por në bazë të mesatares, ku fillimisht do të përcaktohet një mesatare dysheme dhe më pas universitetet publike kanë të drejtën të vendosin për një mesatare më të lartë pranimi.

Financimi i universiteteve do të bëhet me të ardhura nga shteti dhe nga donacione të jashtme. Të gjitha këto risi janë paraqitur nga Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla në Komisionin e Edukimit dhe Informimit Publik, gjatë raportimit për Ligjin e ri të Arsimit të Lartë. Ja 7 pyetjet që shpjegojnë ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë.
 
Çfarë tha Ministrja Lindita Nikolla në Komisionin e Edukimit lidhur me ndryshimet në ligjin për arsimin e lartë?
“Shteti do të jetë gjithnjë e më shumë financues i arsimit të lartë, por këto financa taksat e qytetarëve shqiptare, duhet të kthehen mbrapsht duke prodhuar maksimumin e vlerës. Do të ketë institucione që do të trajtohen në mënyrë të barabartë, referuar standardeve akademike, standardeve të cilësisë. Një skemë  moderne financimi, që  priret nga performanca, do t’i shtyjë universitetet të modernizohen.

Krijohet një fond i posaçëm bursash për të gjitha kategoritë në pamundësi financiarë që nuk ndjekin dot studimet. Jo, ky ligj nuk çon para publike në Institucionet e Arsimit të Lartë privat. E kundërta është e vërtetë.

Para publike dhe private drejt IAL-ve publike. Krijojmë kështu mundësinë për transformimin e IAL-ve në Institucione Publike të Pavarura, si ente publike moderne Krijohet një fond bursash për studentët që ndjekin degët me prioritet kombëtar dhe mbështeten studentët me rezultate ekselence. Ligji i ri adreson tek universitetet vendimmarrje të tilla të rëndësishme, si numri i studentëve që do të pranohen, kriteret e përzgjedhjes, tarifat e studimit, numrin e stafit akademik. Ky është kantieri i parë i autonomisë universitare”.
 
Si do bëhet pranimi i studentëve?
Pranimi i stduentëve do të përcaktohet nga universitetet. Po kështu universitetet do të vendosin dhe tarifat e studimit. Për pranimin e studentëve do të ketë një mesatare dysheme (nga komisioni që ka hartuar reformën është propozuar 6 për tri vitet e para dhe më pas është propozuar 7). Nga viti i ardhshëm fituesit në Universitet nuk do të  përcaktohen më nga matura shtetërore por nga kritere që i vendosin institucionet e arsimit të lartë (është propozuar konkurs ose ese).
 
Me ligjin e ri për arsimin e lartë, çfarë lloj studimesh do të ketë?
Format e studimeve në institucionet e arsimit të lartë me ligjin e  ri janë: Studime me kohë të plotë dhe studime me kohë të zgjatur. Studimet me kohë të zgjatur mund të ofrohen në programet e studimit një deri në dyvjeçare me karakter profesional, programet e ciklit të dytë “Master Profesional” dhe programet e ciklit të tretë “Master Ekzekutiv”. Programet e studimit, që japin të drejtën e ushtrimit të një profesioni të rregulluar, organizohen vetëm në formën e studimeve me kohë të plotë. Pranimet e studentëve në institucionet e arsimit të lartë në të gjitha programet e studimit bëhen me vendim të institucioneve, në përputhje me standardet shtetërore, të kapaciteteve akademike dhe infrastrukturore.
 
Po nga financimi, a do të marrin fonde universitetet private?
Ligji për arsimin e lartë parashikon se të gjithë institucionet e arsimit të lartë (publike ose private), mund të aplikojnë nëpërmjet projekteve për kërkimin shkencor. Për këto projekte aplikojnë të gjithë universitetet dhe më pas përcaktohet se kush do të marrë fonde. Ky fakt është konfirmuar në Komsionin e Edukimit edhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit.

“Institucionet e arsimit të lartë kryejnë veprimtari kërkimore-shkencore bazë ose të zbatuara, studime, projekte për zhvillim dhe veprimtari të tjera krijuese, të përcaktuara në statutin e tyre, sipas natyrës dhe objektivave specifikë të institucionit. Burimet e financimit sipas ligjit do të jenë: buxheti i shtetit, pagesat e studentëve për arsimim, të ardhurat për shërbimet e kryera, të ardhurat e krijuara nga marrëdhëniet me palët e treat, donacione dhe burime të tjera të ligjshme, veprimtari kërkimore-shkencore, burime të tjera të ligjshme financimi dhe financime nga fonde speciale’,  - parshikon ligji i ri.
 
Po kredia për studentët çfarë do të jetë?
“Asnjë person i cili fiton të drejtën për të studiuar në Universitet nuk do të ngelet pa shkollë”. Kështu u shpreh ministrja Lindita Nikolla në Komisionin e Edukimit, ku theksoi se kredia do të përcaktohet në faza të mëvonshme por është futur në ligjin e ri për t’ju ardhur në ndihmë studentëve që nuk kanë mundësi për të përballuar studimet.
 
A do të rriten tarifat e studimit për studentët?
Tarifat e studimit do të përcaktohen nga universitete publike dhe do të jenë një nga burimet kryesore të financimit të universiteteve përveç buxheti të shtetit. Burime nga Universiteti i Tiranës, thanë për gazetën se nëse miratohet ligji i ri, atëherë mundësia për të patur një rritje te tarifave me 10-30% është e lartë. “Me ligjin e ri “detyrohemi” ti rritim tarifat e studimit, pasi është e vetmja mënyrë për të siguruar financim. Në vitin e parë nuk do kemi financim nga jashtë kështu që mbetet mundëssi rritja e tarifave duke filluar nga 10-30%”, - thanë burimet.
 
Po Bordi i administrimit çfarë është, kush do të marrë pjesë?
Bordi i Administrimit është një strukturë e re që ngrihet me ligjin e ri, për administrimin e universiteteve. Bordi i Administrimit në IALPP përbëhet nga 11 anëtarë, për një mandat 4- vjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje.  Themeluesi i institucionit përfaqësohet në këtë organ me 6 anëtarë. Ministria, në cilësinë e institucionit shtetëror rregullator, përfaqësohet në Bordin e Administrimit me 1 anëtar. Senati Akademik përfaqësohet në Bordin e Administrimit me 4 anetarë, një ndër të cilët është rektori i institucionit, për shkak të funksionit.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 26 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

‘O dreq, boll bërtite’, sherri te Hetimori i Shëndetësisë shqetëson Braçen! Deputeti i PS futet në mbledhje: Kam zyrën ngjitur

‘O dreq, boll bërtite’, sherri te Hetimori i Shëndetësisë shqetëson Braçen! Deputeti i PS futet në mbledhje: Kam zyrën ngjitur