Deputetja demokrate, Jorida Tabaku thotë se qeveria e ka përdorur ligjin penal si mjet presioni.

Tabaku u shpreh se duhen shfuqizuar nenet 119 dhe 120 të Kodit Penal, pasi sipas saj, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale.

“Së pari, prej disa muajsh së bashku me një grup shumë të mirë ekspertësh, gazetarësh, juristësh, aktivistësh, kemi punuar për të sjellë në Kuvend një amendim për Kodin Penal. Kjo është nismë që ne si PD e propozojmë jo thjesht për rregullim burokratik, por sepse këmbanat e alarmit për median në Shqipëri, bien aq fort saqë ata që kanë mbyllur veshët nga zhurma e propagandës së pushtetit, nuk e dëgjojnë. Realiteti i medias nuk është kaq rozë sa u prezantua këtu. Kujtesa është shpesh armiku më i madh i kësaj qeverie. Në vitin 2004, Shqipëria rënditej në vendin e 34 në botë për lirinë e medias. Në vitin 2014, Shqipëria ishte ne vendin 85, sot Shqipëria është në vendin e 99. Ky është rrënim, certifikim ndërkombëtar i kapjes së medias nga interesat e pushtetit.. Analiza bëhet më e zymtë kur shohim edhe indeksin e demokracisë. Shqipëria klasifikohej si autokraci elektorale. Sot ligji penal përdoret si presion, e përdorni si mjet presioni politik. Vetëm në 2024, janë shënuar 45 incidente të rënda ndaj gazetarëve. Këto tregues targetojnë kryesisht gazetare gra. Nuk ka integrim europian me gazetarë që rrinë nëpër gjykata për shkrimet e tyre. Ligji penal nuk mund të përdoret për të mbrojtur reputacionet e politikanëve. Propozimi është i qartë, i drejtë, europian, e ndarë në dy shtylla. Shtylla e parë është liria, kërkojmë shfuqizimin e neneve 119 dhe 120 të Kodit Penal, shpifja dhe fyerja nuk mund të jenë vepra penale. Sigurisht që nëse dikush ka ankesë,e mbron me ligjin civil, por pranga dhe qelia nuk mund të jenë kërcënim për fjalën e lirë. Kush prek një gazetar duhet të dënohet njësoj, gazetari është shërbyes publik.  Ky amendament nuk ka absolutisht asgjë politike. Ky është ligj që duhet ta bashkojë këtë parlament. Sot, kemi zgjedhje të qartë para vetes, mund të votohet kundër, ose të mbahet Shqipëria në këtë listë. Me ligjin që ka sjellë qeveria shqiptare dhe ndryshimet në kod, asnjë gazetar nuk do të përfitojë. Unë shpresoj që kolegët t’i thërrasin arsyes së tyre.", theksoi ajo.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Ndryshimet e Kodit Penal në Kuvend, Lamallari: Dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët, ‘OK’ edhe nga BE! PD: Tërhiqeni, po veproni në fshehtësi