Ish kreu i OMONIA-s, Ligoraq Karamelo tha se është absurditet të thuhet se në Himarë nuk ka minoritet grek ndërkohë që sipas tij në këtë zonë kishte persona që flisnin dhe ruanin gjuhën dhe traditën greke.

Teksa komentoi vizitën e Kyriakos Mitsotakis ditën e djeshme në Himarë, në një lidhje skype për studion e Report TV, Karamelo tha se të drejtat e minoriteteve përcaktohen në kushtetutën e Shqipërisë dhe se qytetarët nuk mund të ndalohen të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

“Nëse duam ta lidhim problemin e Himarës me çështje të nacionalizmit të sëmurë që i ka kaluar koha.. nuk është gjëja e duhur për t’ u bërë. Në themel duhet të kemi kushtetutën ku përcaktohen qartë të drejtat që kanë shtetasit që u përkasin pakicave mintoritare.

Më vjen keq që mbetemi peng i këtyre cështjeve. Nuk mund ta ndalosh një person të deklarojë përkatësinë e tij etnike. Të shkosh në Himarë të shikosh njerëz që flasin greqisht dhe ruajnë traditat greke dhe të thuash se aty nuk ka grekë, ky është absurditet”- tha Karamelo.

I pyetur lidhur me deklaratën e Berishës i cili më herët deklaroi se në Himarë nuk kishte minoritet grek, Karamelo tha se për këtë pjesë duhej të mbahej një census popullsie me standarte europiane ku secili prej qytetarëve të mund të deklaronte përkatësinë e tij etnike.

“Aq më tepër që tani Himara është destinacion i admirueshëm turistik. Unë gjykoj se mënyra sesi po përpiqen ta tratjojnë këtë problem, nuk i shërben marrëdhënieve mes dy vendeve dhe as anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Reagimi më i mirë për Berishën dhe për të tjerët, është që të premtohet një regjistrim të popullsisë sipas standarteve europiane. Sot nuk ka të dhëna të sakta dhe BE nuk njeh të dhënat e regjistrimit të censuseve në Shqipëri”-përfundoi ish kreu i Omonias.