SHKODER - Akuza të ashpra kanë hedhur familjarët e ish-drejtorit të ALUIZNIT në Shkodër Besnik Kastratit ndaj Gjykatës dhe Prokurorisë pas seancës në gjykatën e Shkodrës ku Kastrati është njohur me masën e arrestit të vendosur në mungesë ndaj tij. 

Sipas familjarëve ky sistem po kthehet në diktaturë.

Seanca në ngarkim të Kastratit u zhvillua me dyer të mbyllura dhe ndarazi nga seanca e përgjegjësit të sektorit të Legalizimeve Rudi Becit, ndërsa të pranishëm në seancën e Kastratit kanë qënë vetëm familjarët e ish drejtorit. 

Në përfundim të seancës e cila ka zgjatur disa orë, gjykatësja Ermira Deda ka vendosur masen "arrest me burg" për ish-drejtorin Besnik Kastrati. 

Ndërkohë përpara gjykatës së rrethit Shkoder kanë qënë disa përkrahës të Partisë Demokratike të cilët kanë pritur vendimin e gjykatës duke zhvilluar një protestë paqësore. 

Për të evituar çdo lloj problem, policia e Shkodrës vendosi një kordon me efektivë në mes tyre dhe Gjykatës së Shkallës së Parë ndërsa në gadishmëri ka qënë edhe një grup i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Në mesin e protestuesve kanë qënë edhe deputetë të opozitës si dhe krerët e PD- së në Shkoder.
 
Ish-drejtori i ALUIZNI-t në Shkodër Bensik Kastrati dhe Rudi Beci me detyrë përgjegjës në sektorin e legalizimeve në këtë drejtori u arrestuan nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, pasi gjatë hetimit ka rezultuar se dy zyrtarët kanë kryer legalizimin e disa objekteve në kundërshtim me ligjin gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2013. 

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)