Imzot Rrok Mirdita uroi besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin, duke vlerësuar Krishtlindjen si ngjarjen më të rëndësishme.
Ndërsa në të gdhirë të mëngjesit të ditës së sotme, besimtarët ortodoks morën pjesë në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi Anastas Janullatus dhe u lutën në emër të Krishtit.
Krishtlindja është festa e lindjes së Jezusit, i cili besohet nga të krishterët si Biri i Perëndisë dhe Perëndia vetë e mishëruar, zbritur në tokë për të shlyer mëkatet e njerëzimit, dhe për ta kthyer atë në shtëpinë e Perëndisë. Sipas Biblës, Jezusi lindi nga Maria në Betlehem, ku ajo dhe i shoqi i saj Jozefi po pushonin rrugës për në vendlindjen e tyre, Nazaret, për të marrë pjesë në numërimin e mbarë popullsisë urdhëruar nga perandori August. Në Shqipëri, Krishtlindja rinisi të festohet pas viteve ’90-të, kur u lejua besimi fetar, i ndaluar nga diktatura. Darka e Krishtlindjeve paraprihet nga një ditë agjërimi, gjatë së cilës përgatiten ushqimet që do të serviren në mbrëmjen e festës. Zyrtarisht këtë feste ë e kremton edhe komuniteti protestant, që njihet me emrin Vëllazëria Ungjillore.
Si çdo vit politikanë dhe krerë të shtetit zhvilluan vizita në katedrale dhe përcollën urimin për të gjithë besimtarët.
BERISHA: NDERIM PER SAKRIFICEN E KLERIKEVE
Gjatë vizitës në katedralen e Shën Palit Kryeministri Sali Berisha pasi uroi Krishtlindjet lëshoi edhe njëherë mesazhin e bashkimit kombëtar, duke përkujtuar edhe sakrificën e dhjetëra klerikëve që kanë mbrojtur besimin tek Krishti.
“Gëzuar këtë ditë të madhe në historinë e njerëzimit, ditën që lindi ky hyj që ndriçoi me moralin e tij mendjet dhe moralin e qytetërimit të sotëm perëndimor më shumë se kush do tjetër. Dita e shpresës së pashuar, asgjë nuk është më shpresëdhënëse se lindja, kjo ditë lidhet me lindjen e Jezu Krishtit. Këtë vit e kremtojmë Krishlindjen në 100-vjetorin e Pavarësisë. 100 vite përpjekje dhe sakrifica, por të lirë sot dhe të bashkuar rreth idealit tonë kombëtar, zotit mbi të gjithë dhe besimeve tona të mëdha. Krishtlindjen tjetër ta bëjmë më mirë, më të bashkuar, më afër ëndrrës sonë europiane. Sot është një nditë nderimi i madh për sakrificën sublime të dhjetëra dhe qindra klerikëve shqiptar që mbrojtën me vetmohim shembullor besimin e tyre tek Krishti dhe zoti dhe ranë të pamposhtur. Një nderimi madh për të gjithë udhëheqësit shqiptarë. muret e bllokimit do të provohen se janë mure prej letrë”, tha Berisha.
BERISHA: BLLOKMENET SHEMBEN KISHEN, KOHA DO SHEMB MURIN E BLLOKIMIT
Pas vizitës në Kryepeshkopatën e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryeministri Sali Berisha ka uruar të gjithë shqiptarët për festat. Berisha ka vlerësuar lart figurën e kreu të kishës autoqefale Anastas Janullatus për kontributin që ka dhënë në ndërtimin e kishës së re ortodokse, të cilën sipas tij e shembën bllokmenët dhe ndërtuan “Hotel Tiranën”. Per me teper lexoni ketu
RAMA: BESOJME NE RILINDJE
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi një vizitë në selinë e klerit ortodoks në Korçë. “Uroj të gjithë shqiptarët që ditët që do të vijnë të jenë ditët e plotësimit të ëndrrave të tyre. Ne besojmë në një rilindje dhe të gjithë e dini që kjo është e domosdoshme për të gjitha shtresat dhe për të gjitha moshat, si për të moshuarit ashtu edhe për të rinjtë”, tha Rama.
TOPALLI: DUHET TE PERCJELLIM DASHURI, FESTAT I KEMI TE PERBASHKETA
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e Krishtlindjeve pas vizitës në Kishën Autoqefale Ortodokse. Ajo dha mesazhin e bashkimit .
“Në tërësinë e vet çdo festë është e bukur. Krishtlindjet janë më të gëzuara nga të gjithë. Jo thjesht për datën dhe ditëlindjen por për gëzimin që sjellin në çdo familje shqiptare. Është një moment gëzimi, refeklektimi. Të gjithë duhet të përcjellin dashuri, paqe sepse ashtu ishte misioni i princit të paqës që solli para 200 e ca vjetësh. Gëzuar festat shqiptarëve në emigracion, në trevat e tjera dhe të gjithë besimtarëve katolik, ortodoks dhe mysliman se ne festat i kemi të përbashkëta” u shpreh Topalli.
META URON PËR MË SHUMË BESIM E KURAJO
Kreu i LSI-së zhvilloi vizitë në Kryepeshkopatën e Kishës Ortodokse Autoqefale, dhe në katedralen "Shën Pali". Më pas uroi të gjithë besimtarët që kjo ditë të sjellë më shumë shpresë, gëzim dhe mbarësi në familjet e tyre, në mbarë shoqërinë.
“Veçanërisht të sjellë më shumë shpresë besim e kurajë në të ardhmen për ata që jetojnë në situata të vështira”- tha Meta
PDIU: DITA E SHPRESES, EPOKE E RE PER SHQIPTARET
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet nëpërmjet një mesazhi për mediat ka uruar të gjithë besimtarët duke theksuar se se kjo është dita e shpresës dhe e nisjes së një epoke të re për gjithë shqiptarët.
“Kjo ditë është dita e shpresës dhe e nisjes së një epoke të re për të gjithë besimtarët ortodoksë, katolikë apo protestantë të cilët kanë pritur mesazhin e zotit. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dëshiron të urojë të gjithë besimtarët e krishterë por edhe të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri, simbole këto të ditëve të shenjta. Për shumë vjet Krishtlindjet”, thuhet në njoftimin e PDIU-së.
SPAHIU: TE VLERESOJME MARTIRET E KISHES AUTOQEFALE
Kreu i Aleancës Kuq E zi,Kreshnik Spahiu, nga qyteti i Elbasanit ka bërë thirrrje për vlerësimin e martirëve të kishës autoqefale shqiptare, duke theksuar se ata i shërbyen kombit me devotshmëri. Sipas Spahiut Kisha Autoqefale Shqiptare duhet të rivlerësojë figurën e At’Nikollës, një prej mbrojtësve më të mëdhenj të saj. Spahiu ka denoncuar se kreu i Kishës Autoqefale, Anastas Janullatus nuk jep fonde për rregullimin e kishës.
“Në ditën e Krishtlindjeve, sot është një kujtesë e fortë për të gjithë martirët e Kishës Autoqefale Shqiptare. për ata të cilët duhet të ndodhin në panteonin e veprave të lavdishme të kombit shqiptar. Sot mijëra besimtarë kuq e zi i drejtohen kishës autoqefale shqiptare për t’i dhënë mbështetje dhe këtij njeriu të madh, At’Nikollës i cili ka qenë në këto vite një nga mbrojtësit më të fortë të historisë së kishës autoqefale shqiptare, në këtë kishës ku fatkeqësisht kryepeshkopi Janullatos nuk gjen fonde për të ndërruar çatinë”, u shpreh Spahiu.
KLOSI: MOMENTI I RILINDJES SE SHPRESES
Deputeti i Partisë Socialiste, Blendi Klosi uroi të gjithë besimtarët e krishterë, duke theksuar se ky është momenti i rilindjes së shpresës.
“Rilindja e shpresës për ata që vuajnë varfërinë dhe nuk shkollojnë dot fëmijët. Rilindje të shpresës për ata që vuajnë padrejtësisë. Rilindje të shpresës për ata që duan të punojnë dhe të fitojnë me punë të ndershme”, tha Klosi.
PAPA URON NE SHQIP
Papa Benedikti uroi në 65 gjuhë të Botës, përfshi këtu edhe gjuhën shqipe. Papa i Shejntë uroi të gjithë besimtarëve katolikë për një Krishtlindje të Shenjtë dhe të paqtë. Fjalimi i Papës u ndoq nga mijëra persona që u mblodhën në Vatikan dhe u transmetua nëpër televizione dhe radio në më shumë se 70 vende në botë.
MESHE NE CONECTICUT
Me këngë, lutje dhe lexime të vargjeve biblike u mbajt mesha tradicionale e Krishtlindjeve edhe në shtetin e Conecticut në SHBA. Mesnatën e mbrëmshme banorët morën pjesë në meshën e Krishtlindjeve, mbajtur në kishën e qytetit. Javën e kaluar në këtë kishë u zhvillua ceremonia e fundit mortore e njërit prej viktimave të masakrës së 14 dhjetorit në shkollën fillore të Konektikatit. 20 fëmijë dhe gjashtë të rritur mbetën të vrarë kur një 20-vjeçar me probleme të rënda personaliteti hapi zjarr me breshëri në shkollën fillore “Sandy Hook”. U kënduan këngë Krishtlindjesh dhe një atmosferë e qetë dhe e qeshur mbizotëronte tek fëmijët në përpjekje për të përcjellur tek ata besim, shpresë dhe dashuri pas ngjarjes tragjike që tronditi popullin amerikan.
MESHA NE BETLEHEM
Nga Betlehemi, ku u zhillua mesha e prag Krishtlindjes në Kishën 1700-vjeçare të Lindjes, të ndërtuar në vendin ku besohet se Jezusi u lind, kreu i Kishës Katolike Romane në Jeruzalem mes mesazheve të urimit ndaj besimtarëve, shprehu mbështetjen e tij për shtetin palestinez.
Në kuadër të kësaj feste, kanë ardhur mesazhe të shumta urimi nga figura të ndryshme politike të vendit, por edhe ndërkombëtare. Kryeministri Berisha ka uruar familjarisht besimtarët, ndërsa një urim i ngrohtë ka ardhur edhe nga familja e ambasadorit amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ndërkohë nga Vatikani, Papa Benedikti i XVI ka uruar paraprakisht besimtarët me mesazhe paqeje e begatie për këtë festë.
SI LINDI FESTA?
Krishtlindja (edhe "Kërshëndellat" apo shkurt "Kshnellat" ndër besimtarët katolikë) është një festë fetare e krishterë. Të krishterët e festojnë çdo vit më 25 dhjetor ditëlindjen e Jezus Krishtit; në kishat e Lindjes festohet më 7 janar, për shkak të kalendarit Julian. Pas Pashkëve është festa më e rëndësishme për të krishterët. Ditëlindja e Krishtit (24-25 dhjetori) është thjeshtë simbolike, dhe nuk është menduar të jetë data e vërtetë e lindjes se Tij.
Rëndësia e ditës së Krishtlindjes nisi të rritet dalëngadalë pas kurorëzimit të Karlit të Madh në vitin 800, ditën e Krishtlindjes. Sot dita e Krishtlindjes kremtohet me shfaqjen e skenës së lindjes së Krishtit, pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe Kartolinave, familjen e bashkuar, dhe ardhjen e Shën Nikollës apo Plakut të Vitit të Ri në prag të Krishtlindjes apo mëngjesin e Krishtlindjes.
HISTORIA E PEMES SE KRISHTLINDJES
Pema e Krishtlindjes është një prani fikse në ditën e Krishtlindjes. Por cila është historia e saj? Si lindi tradita e zbukurimit të pemës së Krishtlindjes? Pastaj; cilët janë llojet e pemëve që përdoren, sa pemë shiten, cilët janë pemët më të larta, më të famshme, më të çuditshme në botë?
Duket se pema e parë e Krishtlindjes është përdorur në Letoni rreth vitit 1500. Por vetëm në vtitin 1841 princi Albert, bashkëshorti i Viktorias, futi në Angli zakonin e përdorimit të pemës së krishtlindjes si zbukurim. Duke parë përdorimin e madh të këtij elementi dekorativ, ekzistojnë “ferma” të tëra, të cilat kultivojnë pemët e destinuara posacërisht për festën e Krishtlindjes. Kompania e parë e këtij lloji u krijuan në vitin 1901 në SHBA.
Por për cdo pemë të prerë, kultivohen mesatarisht tre të tjera. Pothuajse një milion pemë Krishtlindjesh hidhen në plehra cdo vit vetëm në Londër. As 10% nuk riciklohet.
Përdorimi i pemës së Krishtlindjes me dritat elektrike ishte një ide e Edëard Johnson në vitin 1882, që ishte asistent i Thomas Edison.
Për sa i përket lartësisë, pema e Krishtlindjes më e lartë në botë është ajo e Vatikanit, në sheshin e Shën Pjetrit, me një gjatësi prej 30 metra.
KRISHTLINDJET, HISTORI ALTERNATIVE
Krishtlindjet kanë patur një histori të gjatë dhe të shumëllojshme. Janë festuar nëpër shekuj nga popuj të ndryshëm, në kohëra të ndryshme, në vende të ndryshme dhe në mënyra shumë të ndryshme.
Mesi i dimrit ka qenë prej kohësh një kohë për të festuar në të gjithë botën. Shumë shekuj përpara mbërritjes së njeriut me emrin Jezu Krisht, evropianët e hershëm festonin dritën dhe lindjen në ditët më të errëta të dimrit. Shumë njerëz ngazëlleheshin dhe gëzonin gjatë solsticit dimëror, atëherë kur më të keqen e dimrit e kishin lënë tashmë pas dhe kur prisnin tanimë ditë më të gjata dhe më shumë orë me dritën e diellit.
Në Skandinavi, norvegjezët festonin Julin që nga 21 dhjetori, solsticit dimëror deri në fund të janarit. Duke vlerësuar rikthimin e diellit, etër dhe bij sillnin në shtëpi trungje të mëdhenj, të cilëve më pas u vinin flakën. Njerëzit festonin deri kur trungu digjej plotësisht, gjë që mund të kërkonte deri 12 ditë. Norvegjezët besonin se çdo shkëndijë prej zjarrit përfaqësonte një gic apo viç të ri që do të lindte vitin e ardhshëm. Edhe simbolet e festimet e Krishtlindjeve me të cilat jemi mësuar janë kombinim i traditave të ndryshme: Pema është një traditë tipike nordike.
Në Gjermani, njerëzit nderonin perëndinë pagane Oden gjatë pushimeve të mesit të dimrit. Gjermanët ishin të tmerruar prej Odenit, teksa besonin se ai fluturonte natën nëpër qiell për të vëzhguar njerëzit e tij dhe më pas vendoste se kush do të kish begati dhe kush do të zhdukej. Për shkak të pranisë së tij, shumë njerëz zgjidhnin të qëndronin brenda.
Në Romë, aty ku dimri nuk ishte aq i egër, festohej Saturnalia - një ditë pushimi në nderim të Saturnit, perëndisë së bujqësisë. Duke filluar nga java e solsticit dimëror dhe duke vazhduar për një muaj, Saturnalia ishte një kohë hedoniste, kur kish me bollëk ushqime dhe pije dhe kur rendi normal shoqëror romak përmbysej. Për një muaj, skllevërit bëheshin zotër. Fshatarët merrnin komandën e qytetit. Bizneset dhe shkollat mbylleshin me qëllim që të gjithë të argëtoheshin.
Gjithashtu, në kohën e solstikut dimëror, romakët festonin gjithashtu Juvenalian, një festë ku nderoheshin fëmijët e Romës. Veç kësaj, pjestarë të klasave të larta shpesh herë festonin ditëlindjen e Mithrës, perëndia e diellit të papushtueshëm, në 25 dhjetor. Besohej se Mithra, një perëndi-fëmijë, kish lindur nga një shkëmb. Për disa romakë, ditëlindja e Mithrës ishte më e shenjta ditë e vitit.
Në Persinë antike, solstici i dimrit celebronte duke kënduar himnin që tregonte lindjen e botës. Në Aleksandri të Egjyptit ajo pati shprehjen më të plotë, para epokës kristiane, në festën e madhe të lindjes së Horus.
Redaksia Online
(Gre.M/eç/sg/Shqiptarja.com)