Siri/ Bashar al-Assad largohet në Moskë dhe merr azil politik me familjen! Kryengritësit zotërojnë Damaskun! Biden: Mundësi historike! BE: Fundi i diktaturës

DamaskBashar al-Assad mbërriti në Moskë me familjen e tij, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax. Rusia, vazhdon kjo agjenci, i ka garantua azil diktatorit sirian pas rënies së Damaskut. Agjencia e lajmeve Interfax citoi burimin e paidentifikuar të thoshte: “Presidenti sirian Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u dha atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare”.

Presidenti amerikane Joe Biden në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë e quajti rënien e regjimit të Assad, një mundësi historike për popullin sirian. Sipas tij largimi i Assad është një akt themelor drejtësie, por edhe një moment rreziku dhe pasigurie. Më tej ai shton se 'Assad duhet të sillet para drejtësisë dhe të ndëshkohet'.

Qeveria e Presidentit sirian Bashar al Assad ra të dielën (8 dhjetor) përballë një sulmi të rrufeshëm të kryengritësve që morën kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask. Ushtria hodhi në rrugë uniformat e dorëzoi qytetin duke braktisur aeroportin. 

Damasku është “tani i lirë nga Assadi”, thanë rebelët në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale. Ndërsa turmat dolën në rrugë për të kremtuar fundin e 50 viteve të sundimit të hekurt të familjes Assad.

Televizioni shtetëror sirian transmetoi një video deklaratë të një grupi burrash duke thënë se presidenti Bashar al Assad është rrëzuar dhe të gjithë të burgosurit ishin liruar.

Burri që lexoi deklaratën tha se grupi i opozitës, i njohur si “Dhoma e Operacioneve për Pushtimin e Damaskut”, u bëri thirrje të gjithë luftëtarëve kryengritës dhe qytetarëve që të ruajnë institucionet e "shtetit të lirë sirian".

Askush nuk do të duhet t'u afrohet "institucioneve publike" në Damask, të cilat do të mbeten tani për tani nën "mbikëqyrjen" e kryeministrit në largim, "derisa ata zyrtarisht të ndryshojnë duart!" këtë e bëri të ditur Al-jolani, kreu i HTS, grupi i armatosur shkruan “La Repubblica”.

Rebelët hynë dhe në pallatin presidencial të Bashar al-Assad.

Statuja e ngritur në Damask në nder të babait të Assad, Hafez Al-Assad - që sundoi Sirinë nga 1971 deri ditën e vdekjes në vitin 2000- u rrëzua dhe u shkel me këmbë.
Rebelët hapën dyert e burgut të torturës Sednaya një simboli pushtetit të Asad dhe po ashtu kontrollojnë radion dhe televizionin publik ku kanë njoftuar se kreyministri do të qendrojë në detyrë për të siguruar dorëzimin e pushtetit.

Arratisja e Assad
Rebelët që hynë në Damask njoftuan "arratisjen" e "tiranit" Bashar al-Assad dhe fillimin e një "epoke të re" në Siri pas 50 vjetësh të sundimit Baath. Grupi i rebelëve Hayat Tahrir al-Sham, i drejtuar nga Abu Mohammad al-Jolani, u bëri thirrje sirianëve të zhvendosur jashtë vendit që të kthehen në një "Siri të lirë".  

Kryeministri sirian Mohammed Ghazi Jalali tha në një video deklaratë se qeveria është e gatshme t'i "shtrijë dorën" opozitës dhe t'ia kalojë funksionet e saj një qeverie kalimtare. Ai më vonë i tha rrjetit televiziv saudit Al-Arabiyya se nuk e di se ku janë Assadi dhe ministri i mbrojtjes dhe se kishte humbur komunikimin me Assadin të shtunën vonë (7 dhjetor) 

Agjencia e lajmeve Reuters shkruan se presidenti Bashar-al Assad që drejtori vendin për 25 vjet u largua në orët e parë të kësaj të diele me një Aeroplan .Sipas Al-Jazeera fluturimi i fundit nga Damasku ishte Syrian Air 9218 i cili ka fikur sinjalin menjëherë pas ngritjet mbi qytetin Homs të kontrolluar nga rebelët.

Ndërkohë presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump tha se Assad kishte "ikur nga vendi i tij" pasi humbi mbështetjen e Rusisë. “Assad është zhdukur”, tha ai në platformën e tij “Truth Social”.

Mbrojtësi i tij, Rusia, e udhëhequr nga Vladimir Putin, nuk ishte e interesuar ta mbronte më atë.

Edhe BE e ka quajtur zhvillim pozivit largimin e Assadit. 

Renia e pushtetit të Assad

Hafez al-Assad sundoi Sirinë nga viti 1971, deri në vdekjen e tij në vitin 2000, duke krijuar një regjim brutal dhe vrasës përpara se djali i tij Bashar, të vinte në pushtet. Forcat opozitare nuk kishin hyrë në Damask që nga viti 2018, kur trupat siriane rimorën zonat në periferi të kryeqytetit pas një rrethimi shumëvjeçar.

Ofensiva e befasishme e kryengritësve sirianë filloi më 27 nëntor nën drejtimin e grupit xhihadist Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, gjatë së cilës persona të armatosur pushtuan qytetin verior të Aleppos, më i madhi i Sirisë, dhe qytetin qendror Hama, qyteti i katërt më i madh i vendit. E një natë më parë kishin marrë qytetin qendror të Homsit, i treti më i madhi i Sirisë, pasi forcat qeveritare e braktisën atë

Grupi e ka origjinën tek Al-Kaida dhe konsiderohet një organizatë terroriste nga SHBA dhe Kombet e Bashkuara. Udhëheqësi i tij Abu Mohammed al-Golani i tha CNN në një intervistë ekskluzive të enjten nga Siria se qëllimi i ofensivës ishte të përmbyste qeverinë e al-Assadit. 

Në përpjekjet e tyre për të rrëzuar qeverinë e Assadit, kryengritësit, të udhëhequr nga grupi Hayat Tahrir al-Sham, ose HTS, kanë hasur në rezistencë të paktë nga ushtria siriane. 

Përveç HTS-së, në ofensivë ka edhe luftëtarë të grupit ombrellë të mlicive siriane që mbështeten nga Turqia, të quajtur Ushtria Kombëtare Siriane. Turqia mohon se mbështet ofensivën, edhe pse ekspertët thonë se kryengritësit nuk do të përfshiheshin në të pa pajtimin e këtij shteti.

Më 6 dhjetor, Kombet e Bashkuara thanë se pothuajse 300.000 persona në Siri janë zhvendosur që nga fundi i nëntorit për shkak të luftimeve, duke shtuar se deri në 1.5 milion persona mund të detyrohen të zhvendosen, teksa rebelët po avancojnë dhe po i shkaktojnë humbje Assadit, por edhe aleatëve të tij, Rusisë dhe Iranit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:28
SHBA sulmon enklavat e ISIS-it në Sirinë Qendrore: Nuk do të lejojmë që të përfitojnë nga situata

Shtetet e Bashkuara kanë kryer dhjetëra sulme ajrore në Sirinë qendrore, duke goditur më shumë se 75 objektiva të grupit të Shtetit Islamik.

Lajmi është bërë i ditur nga Centcom, komanda ushtarake amerikane për Lindjen e Mesme.

"Nuk duhet të ketë asnjë dyshim. Ne nuk do të lejojmë ISIS të rindërtohet dhe të përfitojë nga situata aktuale në Siri," tha gjenerali Michael Erik Kurilla në një deklaratë të Centcom, pas ofensivës së rrufeshme nga grupet rebele që çuan në rënien e Presidentit Bashar al Assad.

Ora 22:10
Ushtria izraelite bombardon depot e armëve në Sirinë lindore

Foto: Ushtar izraelit

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut raportoi një seri sulmesh ajrore izraelite në pjesën lindore të vendit.

"Izraeli ka kryer sulme ajrore kundër depove të armëve dhe pozicioneve që i përkasin regjimit të rrëzuar dhe grupeve të mbështetura nga Irani në provincën Deir Ezzor," tha për AFP Rami Abdel Rahman, drejtori i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Më tej ai theksoi se sulmet ndaj këtyre objektivave janë rritur që kur Assad u largua nga vendi, pasi rebelët morën kryeqytetin, Damaskun, pas një ofensive të rrufeshme.

Ora 21:25
Iran: Assad nuk na kërkoi kurrë ndihmë për të zmbrapsur rebelët

1733642196_basharalassad.JPG

Bashar al-Assad nuk i kërkoi kurrë ndihmë Iranit për të zmbrapsur rebelët. Kështu ka bërë të ditur shefi i diplomacisë iraniane Abbas Araghvi.

Qeveria siriane kurrë nuk na kërkoi ndihmë në nivel ushtarak, tha Araghchi për televizionin shtetëror, duke shtuar se ai ishte i befasuar nga shpejtësia e ofensivës rebele dhe paaftësia e ushtrisë siriane për ta zmbrapsur atë.

Assad u largua nga vendi pasi kryengritësit morën Damaskun dhe ka mbërritur në Moskë ku ka siguruar azil politik së bashku me familjen e tij.

Ora 21:22
FOTOLAJM/Publikohet fotografia e parë e Bashar al-Assad në Moskë

Disa kanale ruse Telegram kanë publikuar një foto të Bashar al-Assad, teksa shihet krah gruas së tij në Moskë.

Sipas tyre thuhet se kjo është fotografia e parë e diktatorit sirian në Rusi.

Assad u largua nga Siria së bashku me familjen, pasi kryengritësit morën në zotërim kryeqytetin Damask.

Ora 20:54
Biden: Ne besojmë se gazetari i humbur amerikan në Siri është gjallë

“Ne besojmë” se Austin Tice, gazetari amerikan i zhdukur në Siri, “është gjallë. Ne mendojmë se mund ta kthejmë atë, por ende nuk kemi ende prova të drejtpërdrejta."

Presidenti i SHBA Joe Biden e tha këtë, kur u pyet për një operacion të mundshëm shpëtimi për të rikuperuar Tice.

Biden shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet së pari "të identifikojnë se ku ndodhet”, Austin Tice amerikani nga Hjustoni, puna e të cilit më parë ishte publikuar nga Ëashington Post dhe media të tjera.

Gazetari u zhduk në gusht 2012 në një pikë kontrolli në një zonë të kontestuar në perëndim të Damaskut.

Ora 19:53
Biden: Rënia e regjimit të Assad-i, një moment historik për popullin sirian

Foto: Joe Biden

Presidenti Joe Biden ka reaguar pas rënies së regjimit të Bashar al-Assad.

Në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë, pasi kryengritësit morën kontrollin e kryeqytetit sirian, Damask, presidenti në largim shprehet se kjo është një moment historik për Sirinë.

“Më në fund regjimi i Assadit ka rënë. Kjo është një moment historik për popullin sirian”, tha Joe Biden, duke specifikuar se pavarësisht raportimeve se diktatori ndodhet në Moskë, SHBA nuk është e sigurt.

Më tej Biden ka nënvizuar Assad duhet të sillet para drejtësisë dhe të ndëshkohet.

Ora 19:07
U largua pasi rebelët u futën në Damask, mediat ruse: Bashar al-Assad mbërriti në Moskë me familjen e tij

Bashar al-Assad mbërriti në Moskë me familjen e tij, raporton agjencia ruse e lajmeve Interfax. Rusia, vazhdon kjo agjenci, i ka garantuar azil diktatorit sirian pas rënies së Damaskut.

Agjencia e lajmeve Interfax citoi burimin e paidentifikuar të thoshte: “Presidenti sirian Assad ka mbërritur në Moskë. Rusia u dha atyre (atij dhe familjes së tij) azil për arsye humanitare.

Assad u largua nga Siria, pasi kryengritësit morën në zotërim kryeqytetin Damask. Ai raportohet të ketë lënë kryeqytetin sirian pasi grupi i rebelëve hyri në Damask. 

Ora 18:07
VIDEOLAJM/ Siri, rebelët hyjnë në garazhin e Assadit, mes makinave luksoze Lamborghini, Audi dhe Ferrari

 

Rebelët pasi kanë kanë marrë nën kontroll pallatin presidencial në Damask, kanë hyrë në garazhin ku ishin makinat e Bashar Al Assad.

Nga pamjet e publikuara shihen se makinat janë tepër luksoze duke filluar nga Ferrari te Lamborghini, BMW dhe Audi.

Teksa video po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale, shumë komentues vënë në dukje varfërinë e popullit sirian, në ndryshim nga pasuria e ekspozuar nga tashmë ish-presidentit.

Ora 16:27
Kievi reagon për rrëzimin e Assad: Diktatorët që mbështeteshin te Putini janë të dënuar të bien

1733583811_assad.jpg

Ish-presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad

Ukraina përshëndeti sot rënien e Bashar al-Assad në Siri, duke thënë se diktatorët që mbështeteshin te presidenti rus Vladimir Putin janë të dënuar të bien, ndërsa shprehu mbështetjen e saj për "popullin sirian", siç tha Ministri i Jashtëm Andrii Sibiha në platformën X.

"Assad ka rënë. Kjo ndodhi dhe do të ndodhë gjithmonë me diktatorët që vënë bast për (Presidentin rus Vladimir) Putin. Ai gjithmonë tradhton ata që mbështeten tek ai," tha kreu i diplomacisë ukrainase, duke shtuar se Kievi dëshironte "të hapte rrugën për rivendosjen e marrëdhënieve (me Sirinë) në të ardhmen”.

Ora 16:23
Siri/ OKB: Qeveria e re nuk duhet të përsërisë tmerret e së kaluarës

1732993206_GettyImages2159610523.jpg

Foto: Siri

Hetuesit e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara e kanë përshkruar rënien nga pushteti të Bashar al-Assad-it si një "fillim të ri historik" për sirianët, duke i bërë thirrje udhëheqjes së re të sigurojë që "mizoritë" e kryera nën regjimin e tij të mos përsëriten.

“Sot shënon një fillim të ri historik për popullin sirian, i cili gjatë 14 viteve të fundit ka pësuar dhunë dhe mizori të papërshkrueshme”, deklaroi Komisioni Hetimor i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, duke iu referuar veçanërisht njerëzve të arrestuar arbitrarisht për vite me radhë.

"Është përgjegjësi e atyre që tani janë në pushtet të sigurojnë që mizori të tilla të mos përsëriten kurrë më brenda mureve të burgut Sednaya apo ndonjë qendre tjetër paraburgimi në Siri", theksuan ata.

Ora 15:23
VIDEO/ Mijëra sirianë mbushin rrugët e Damaskut për të festuar rënien e regjimit të Bashar al-Assad

1733667854_basharalassad.JPG

Mijëra sirianë mbushën sheshet e Damaskut këtë të dielë për të festuar rënien nga pushteti të ish-presidentit Bashar Al Assad.

Ky i fundit, pas rebelimit të grupeve të armatosura u largua nga vendi dhe ende nuk dihet se ku është.

Tashmë regjimi i tij ka humbut kontrollin total mbi vendin, ndërsa rebelët tashmë kontrollojnë edhe kryeqytetin.

 

Ora 15:18
Mister fati i Assad! Avioni mori kthesë të papritur dhe u zhduk nga harta, presidenti sirian mund të ketë vdekur? (VIDEO)

 

Një avion i “Air Siria”, me të cilin dyshohet se u arratis Bashar Al Assad, u ngrit nga aeroporti i Damaskut në kohën kur kryeqyteti u raportua se ishte marrë nga rebelët.

Sipas të dhënave nga faqja e internetit ‘Flightradar’, që monitoron të gjitha lëvizjet ajrore, aeroplani fillimisht fluturoi drejt bregdetit në Sirinë perëndimore, por më pas bëri një kthesë të papritur dhe fluturoi në drejtim të kundërt për disa minuta përpara se të zhdukej nga harta.

Burime siriane thanë se ekzistonte një probabilitet shumë i lartë që Assad mund të ishte vrarë në një përplasje, pasi ishte një mister pse mori një kthesë të papritur dhe u zhduk nga harta.

Ministri i Jashtëm rus Lavrov tha se Assad është larguar, por pa dhënë detaje të tjera për vendndodhjen.

Ora 14:33
Kryengritësit marin Damaskun/ BE: Fundi i Assad zhvillim pozitiv dhe pritur prej kohësh

1733660100_basharalasad.jpg

Bashkimi Europian ka reaguar lidhur me zhvillimet në Siri.

“Fundi i diktaturës së Asadit është një zhvillim pozitiv I pritur prej kohësh. Ajo tregon gjithashtu dobësinë e mbështetësve të Asadit, Rusisë dhe Iranit. Prioriteti ynë është të garantojmë sigurinë në rajon. Do të punoj me të gjithë partnerët konstruktivë, në Siri dhe në rajon”, ka shkruar në X-së Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.

Ora 13:08
Kryengritësit marrin Damaskun, Lavrov: Assad është larguar nga Siria

1732035611_333952.jpg

Ministri i Jashtëm rus Lavrov ka deklaruar se Moska po ndjek me shqetësim të madh ngjarjet dramatike në Siri.

Si rezultat i negociatave mes Assadit dhe disa pjesëmarrësve në konfliktin e armatosur, Assadi ka vendosur të largohet nga posti i presidentit dhe ka braktisur vendin, duke dhënë udhëzime për një transferim paqësor të pushtetit." Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov.

Ai shtoi: "Rusia nuk ka marrë pjesë në këto negociata"

Lavrov u bëri thirrje të fortë të gjitha palëve të përfshira që të heqin dorë nga përdorimi i dhunës dhe të zgjidhin të gjitha çështjet qeverisëse nëpërmjet mjeteve politike.

Assadi është akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë një sulm me armë kimike në vitin 2013 në periferi të kryeqytetit.

Ora 11:19
Siri/ Momenti kur forcat rebele të Al Jolani mësyjnë pallatin presidencial të Bashar al Asad

Forcat rebele të udhëhequra nga xhihadistët e komanduar nga Ebu Mohammad Al Jolani kanë marrë kontrollin e qendrave të pushtetit në kryeqytetin sirian, Damask.

Forcat rebele kanë marrë nën kontroll pallatin presidencial të Bashar al-Assad në lagjen Malki, Damask, pas një ofensive të shpejtë drejt kryeqytetit sirian, e cila i ka dhënë fund sundimit 53-vjeçar të familjes Assad.

Në duart e kryengritësve janë dhe selia e televizionit shtetëror, aeroporti ndërkombëtar dhe burgu Sednaya.

Rebelët e grupimit Hayat Tahrir al Sham, kontrollojnë gjithashtu rrugët kryesore në Damask dhe në disa zona të qytetit qytetarët dolën në rrugë për të brohoritur parulla kundër Bashar Al Asadit.

Ora 09:49
Rebelët deklaratë në televizionin publik: Ruani pronën, regjimi i Asadit ra, të burgosurit padrejtësisht u liruan!

Ushtria rebele pas pushtimit të Damaskut

Grupi Hayat Tahrir al Sham njoftoi në televizionin publik sirian, pas marrjes së kontrollit të tij, edhe rënien e "tiranit" Bashar al-Assad.

Ata thanë se kishin liruar të gjithë të burgosurit e mbajtur "padrejtësisht" dhe u bënë thirrje qytetarëve dhe luftëtarëve që "të ruajnë pronën shtetërore".

Këtë e raportoi Al Jazeera. Komanda ushtarake e forcave opozitare tha në një deklaratë se:

"Ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të bashkëpunojmë për të paraqitur imazhin më të mirë të revolucionit tonë dhe popullit tonë në një moment historik".

Nëntë persona u shfaqën në ekranin e televizionit publik dhe njëri prej tyre lexoi një deklaratë për shtyp që i atribuohet "celulës operative për çlirimin e Damaskut", e cila shpalli "çlirimin e qytetit të Damaskut dhe rënien e tiranit Bashar al-Assad”.

“Njoftojmë edhe lirimin e të gjithë të burgosurve të mbajtur padrejtësisht në burgjet e regjimit”, u tha në deklaratë.

Por nuk përmendet fati i presidentit Assad.

Ora 09:02
Reagon dhe Trump: Assad iku pasi humbi mbështetjen e Rusisë! Kryeministri sirian: Të mbajmë zgjedhje të lira!

Donald Trump dhe Bashar al Assad

Teksa luftimet në Siri mes grupit rebel Hayat Tahrir al Sham dhe forcave qeveritare raportohet se po vijojnë dhe pas njoftimit se presidenti Bashar al-Assad "iku" nga Siria, vjen edhe një reagim nga presidenti i sapozgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Bashar Al Assad iku pasi humbi mbështetjen e Rusisë”. 

Kështu mësohet se ka deklaruar Donald Trump, raporton “La Repubblica”.

Kryeministri sirian, Ghazi al-Jalali, të cilit ushtria rebele fitimtare i ka njohur një rol garancie deri në ndryshimin zyrtar të pushtetit, tha në një intervistë me transmetuesin Al Arabiya, se Siria tani duhet të mbajë "zgjedhje të lira në mënyrë që populli mund të zgjedhin se kush duhet t'i udhëheqë".

Ora 08:32
Rebelët marrin radion dhe televizionin publik të Sirisë, udhëheqësi pas kapjes së Homsit: Moment historik!

Televizioni publik sirian në dorën e rebelëve

Rebelët e grupit islamik Hayat Tahrir al Sham, të cilët po udhëheqin ofensivën e nisur në Siri, kanë marrë përgjegjësinë për kapjen e qytetit të Homsit dhe e kanë përshkruar atë si një moment "historik".

"Ne po jetojmë momentet e fundit të çlirimit të qytetit të Homsit, këtë ngjarje historike që do të dallojë të vërtetën nga gënjeshtrat", tha lideri rebel, i cili e identifikoi veten si Abu Mohamed.

Rebelët thanë gjithashtu se tani kanë edhe kontrollin e TV dhe radios publike

Ndërkohë që hyrja e rebelëve po festohet edhe në rrugët e Damaskut dhe fundin e regjimit të Asadit.

Kurse ushtria anti-qeveritare tha se kanë marrë kontrollin e ndërtesës së radios dhe televizionit publik sirian.

A.Q/G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ben: 08/12/2024 21:05

    Free Syria!Film i pare me dhjetra here..Tani fillon "liria" qe "fitoi" mileti.Vrasjet do vazhdojne per nja 10 vjet,rrumpalla s'mbaron kurre d.m.th. tani eshte fiks ne rrugen e democracise.

    Përgjigju
  • Emigranti: 08/12/2024 19:39

    Sirija edhe shqipnija nje situate jan

    Përgjigju
  • Alb: 08/12/2024 19:36

    Asadi si politika shqiptare 35 vjete te njetit politikaj

    Përgjigju
  • Emigranti: 08/12/2024 18:02

    Urime per fitoren historike te xhihadisteve se bashku me ushtrin turke Tani ngeli te vihet ne jete ndarja e siris nji pjes turqia pjesa e madhe ta marr izraeli dhe pjesa ae ngel te krijohet shteti islamik Rrofshin aleatet perendimir qe po cojn demokracin ne vendet arabe Si libi,siri e irak

    Përgjigju
  • Tes: 08/12/2024 15:29

    BE do refugjate...ndaj e pershendet...o zot

    Përgjigju
  • Tarras Lala: 08/12/2024 13:52

    Tani Sirjanët do bēhen mish pēr top se kto pislliqe i bēn Amerika kurv. Tani pēr Sirin fillon Lufta Civile se kshu do shteti kriminel Amerika. E do vriten ca miljona Sirjan e Amerika do kēnaqet se do vjedhi rehat karburantin.o çfar popull idjot.

    Përgjigju
  • Asnjanesi: 08/12/2024 12:48

    Dolen shqiptaret qe i futin hund kudo.tani po komentojn lajmet e e botes se ne shqiperi ne cdo lajm komentojn.kam nje pytje:komentoni pak situaten ne trinidad ???????? tabako dhe hondurras.

    Përgjigju
  • Ish ushtarak: 08/12/2024 12:21

    Mos vallë përsëritet historia e Afganistanit?Për momentin JO.Kjo në pamje të oarë nga mënyra e komunikimit.Uroj që të jetë rsvolucion popullor e jo luftë për pushtet.N.q.sedo të jetë REVOLUCION POPULLOR "LAVDI,,

    Përgjigju
  • Sifi: 08/12/2024 11:27

    Iku diktatiri Assad dhe erdhi ISISI . Cfar ndryshimi ka

    Përgjigju
  • Beni: 08/12/2024 10:31

    Te lire nga tirania , iku regjimi i Asadit etj etj po nje pyetje kam per ju mediat , kush jane keta qe rrezuan qeverine e Asadit e dini gje ? Nese jo po jua them qe ai komandanti tyre deri dje ishte me Isis organizaten terroriste kurse sot qubet kryengrites sepse ashtu u leverdis perendimoreve me cifutet bashke qe i mbeshteten ata per te rrezuar qeverine e Asadit . Nuk i intereson cifuteve se kush eshte ne qeveri mjafton te kene akses ata

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër