Liqeni i Fierzës "kosh" mbetjesh 
nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia

Ujërat e liqenit të Fierzës ashtu siç ndodh në çdo sezon Pranvere e Vjeshte, sërish këtë vit është ndotur masivisht, nga mbetje urbane, spitalore, plastike apo edhe të tjera.
 
Ndryshe nga vitet e kaluara, ujërat e tij tashmë janë mbuluar me pirgje mbetjesh të ndryshme, ndonëse ende Pranvera nuk ka ardhur e kur prurjet në të janë të shumta, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe ato të dëborës.
 
Fotot që shihni i përkasin brigjeve të këtij liqeni që lag nga të katër anët qytetin e Kukësit, por edhe disa njësi administrative të tij, ndërkohë që ujërat që grumbullohen në të, vijnë nga zonat e Kosovës e Maqedonisë, të cilët mesa duket nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e kësaj katastrofe ekologjike.
 
Ndonëse vit pas viti, në këto ujëra janë realizuar dhjetra aksione, ku janë pastruar qindra metra brigje, sërish mbeturinat janë të pranishme, duke rrezikuar seriozisht jo vetëm florën dhe faunën e këtij liqeni, por edhe banorët të cilët gjatë sezonit të Verës i shfrytëzojnë këto ujëra për plazh.

liqeni i Fierzes

Por çfarë thonë ekspertët për këtë problem?
 
Arben Palushi, një nga zërat e fuqishëm kundër ndotjes së liqenit, thotë se duhet të hartohet një projekt i përbashkët mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, pasi ujërat që vijnë nga lumenjtë dhe përrenjtë e 3 vendeve grumbullohen në liqenin e Fierzës nga Drini i Bardhë e Drini i Zi.
 
Ekspertët thonë se duhet të krijohen kushtet për një vetëpastrim të ujërave ose duhet të vendoset një rrjetë, në formë dige, në disa pjesë të veçanta, aty ku edhe prurja e ujërave sjell mbetjet që depozitohen më pas në liqen, apo që konsiderohen si pakiat kyçe të ndotjes që krijohet.
 
Përveç kësaj, ata kanë propozuar edhe mbajtjen e një anije që pastron ujërat nga mbetjet që depozitohen në to e më pas i hedh në breg, për ti larguar nga aty drejt vendit ku grumbullohen mbetjet utë zonës.
 
Po çfarë është bërë deri tani??
 
Një vit më parë në ujërat e liqenit u soll një anije vetëpastrimi për ujërat e liqenit, e cila largoi nga brigjet e tij qindra ton mbetje, pas aksioneve disa ditore që u organizuan nga institucionet.
 
Në atë kohë, Institucioni i Prefektit të Qarkut bashkëpunoi dhe me organet e qeverisjes vendore dhe liqeni u pastrua, por a mjafton kjo??
 
Kjo nuk është parë si zgjidhje, sakohë që liqeni nuk ka ende një ndërmarrje e cila mund të krijonte një infrastrukturë të duhur për të menaxhuar liqenin, jo vetëm në aspektin e ndërhyrjes në rast ndotje, por edhe një menaxhim të florës dhe faunës së tij, pasi prej vitesh hedhja e rasatëve të peshkut mungon totalisht.
Shumë takime disa palëshe mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë u realizuan, çka ngriti domosdoshmërinë e dhënjes së statusit “Zonë e Mbrojtur” nga Ministria e Mjedisit, por deri tani nuk dihet se në ç’fazë është kry proçes përfundimi i të cilit do i jepte një frymëmarrje liqenit, sakohë që edhe Këshilli i Qarkut i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Mjedisit që ta shpallë atë zonë të mbrojtur.
 
Për të përfituar këtë status, Parlamenti i Shqipërisë dhe ai i Kosovës duhet që të jenë të unifikuar, sakohë që ujërat e tij lagin rajone të të dy vendeve, pasi ai aktualisht nuk është pronë e askujt, sakohë që Bashkia thotë se atë e menaxhon Ministria e Mjedisit dhe kjo efundit ia kalon për kompetencë pushtetit lokal.

liqeni i Fierzes


Por cila është origjina e këtyre mbetjeve që depozitohen në liqen???
 
Në liqenin e Fierzës grumbullohen ujërat që vijnë nga përrenjtë e zonës së Kukësit, Dibrës, Kosovës dhe Maqedonisë, ujëra që sjellin me vete mbetje të ndryshme.
 
Vatra më e madhe e ndotjes është Prizreni, i cili duket se as këtë vit nuk ka marrë asnjë masë për të parandaluar këtë fenomen, ndonëse premtimet kanë qenë të shpeshta.
 
Pas nuk mbeten edhe zonat e Kukësit, të cilat në mungesë të pikave të grumbullimit të mbeturinave i depozitojnë ato në afërsi të lumenjve e përrenjve që janë në pjesë të caktuara si në Bushtricë, Shishtavec, Zapod etj.
 
A ndikon kjo ndotje në punën e hidrocentralit të Fierzës??
 
Gjatë vitit të shkuar, ekspertët e hidrocentralit më të madh në vend, Fierzës, ngritën zërin dhe kërkuan marrjen e masave të menjëhershme të institucioneve përkatëse për pastrimin e ujërave të liqenit, pasi mbeturinat e depozituara aty kishin mbërritur deri në digë, duke rrezikuar punën e saj në drejtim të prodhimit të energjisë.
 
Ata paten deklaruar se kjo ndotje rrezikon pajisjet që janë të vendosura në digë për prodhimin e energjisë, pasi ujërat që shkojnë atje morën me vete edhe mbeturinat e llojeve të ndryshme.
 
A ndikon ndotja tek peshku që kultivohet në këtë liqen??
 
Kjo ndotje ndikon në cilësinë e peshkut që kultivohet në ujërat e këtij liqeni, ndëkrohë që herë pas here ekspertët e shëndetësisë i kanë bërë apel konsumatorëve që të mos e konsumojnë peshkun e marrë në këtë lqien, pasi ai mund të bëhet shkak për ndonjë sëmundje që mund të transmetohet tek konsumatori, duke qenë se mbetjet e grumbulluara në liqen janë të llojeve të ndryshme.
 
Që prej formimit të Liqenit të Fierzës, struktura peshkore u tjetërsua me lloje peshqish liqenorë, e shoqëruar me largimin e llojeve të ujërave të rrjedhshëm që më parë popullonin lumin Drin, si trofta, ngjala etj.
 
Sipas specialistëve të peshkimit sot në Fierzë rriten rreth 15 lloje peshqish. Gjithashtu, krijimi i liqenit bëri të mundur dhe rritjen e midhjeve të vogla të ujërave të ëmbla. Vlen të përmendet se ndër gjitarët ujorë me rëndësi biologjike që jetojnë në ujërat e Fierzës përmendet lundërza, lloj i Listës së Kuqe të Faunës shqiptare, globalisht i kërcënuar.

Në liqen nga Kukësi deri në digë në Fierzë ka 70 grupe peshkatarësh, ndërkohë që peshkimin e ushtrojnë çdo ditë mbi 140 persona.
 
Nga Liqeni është marrë deri në 5 mijë tonë peshk në vit, por prodhimi ka pësuar rënie në dhjetëvjeçarët e fundit për shkak të mos shtimit me rasat, por edhe për arsye të peshkimit të pa kontrolluar, shpesh dhe me mjete shfarosëse.
 
Deri tani janë zhdukur disa lloje peshqish, si Ballgjani, Nili, Mëlyshi e Muzdragu ndërkohë që nëse nuk hidhet rasat mund të zhduken edhe llojet e tjera të peshqve që janë në këtë liqen.

Në këtë liqen jetojnë 11 lloje peshqish, që nga koha e krijimit të tij.


Po ku shtrihet liqeni i Fierzës??
 
Liqeni artificial i Fierzës është krijuar në shtratin e lumit Drin në vitin 1978, në funksion të hidrocentralit të Fierzës.
Ky është një liqen oligotrof dhe ka një bosht gjatësor prej 70 kilometër dhe me një sipërfaqe maksimale prej 7 mijë hektarësh, ku 5 mijë hektarë merren në konsideratë për qëllimin e rritjes dhe kultivimit të peshkut.
Ky liqen ka lartësi 167 metra, sipërfaqe të pasqyrës së ujërave prej 72,5 km², thellësinë më të madhe prej 128 metra dhe një vëllim prej 2,7 miliardë metër kub ujë. Sipërfaqja e përgjithshme e pellgut ujëmbledhës është 11.829 km².
Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i Liqenit të Fierzës, arrin rreth 3,2 miliardë metër kub ujë, ndërkohë që kapaciteti minimal, i cili mund të shkaktojë edhe situatat më kritike të prodhimit të energjisë elektrike, është rreth 1,2 miliardë metër kub ujë.
Liqeni shërben edhe si nyje lidhëse mes banorëve të rretheve Kukës, Tropojë, Has dhe Pukë.
Gjithashtu, ky hidrocentral shërben si rregullator i furnizimit me ujë për dy hidrocentralet e ngritura në kaskadën e Drinit, atë të Vaut të Dejës dhe Komanit.
 
Kukësi i vjetër, qyteti që u shua nga ujërat e liqenit të Fierzës.
 
Kukësi i vjetër shtrihej ne territoret e përmbytura nga ujërat e Liqenit të Fierzës. Ai shtrihej në një brezare të krijuar nga Drini i Zi dhe Drini i Bardhë.
 
Një varg zbulimesh arkeologjike dëshmojnë banimin e pandërprerë të kësaj hapësire që nga neoliti e këtej.
 
Në vitin 1869 rishfaqet me emrin Kukusa. Në vitin 1923 u bë qendër krahinore me 28 shtëpi e 186 banorë.Në Gusht 1925, shpallet qendër e Prefekturës duke zëvendësuar Krumën e Hasit.Në fillimin e viteve 30 shpallet bashki.Në dhjetor 1944 vendoset administrata e re e Prefekturës.Më 31 mars 1962 u vendos përmbytja e Kukësit të Vjetër dhe ndërtimi i Kukësit të Ri.Më 22 korrik 1962 filluan punimet për ndertimin e Kukësit të ri.
 
Në 1978 Kukësi i Vjeter ua la vendin ujërave të liqenit të Fierzës.

liqeni i Fierzes
 Foto të tjera..

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

‘Studio Live’/ Bejtja: Sazani jo më ‘pika e zjarrit’, i vetmi ‘agresion’ na vjen nga turizmi! Kushner s’është investitori më i madh! Çoçoli: Investimi 1,4 mld USD, 1 mijë vende pune

‘Studio Live’/ Bejtja: Sazani jo më ‘pika e zjarrit’, i vetmi ‘agresion’ na vjen nga turizmi! Kushner s’është investitori më i madh! Çoçoli: Investimi 1,4 mld USD, 1 mijë vende pune