Tiranë, 19 Nëntor / ATSH - "Liri në Bremen" nga autori Rainer Werner Fassbinder eshte shfaqja premierë e radhës në Teatrin Kombëtar, e cila vjen në skenën e TK-së në datat 22 dhe nëntor 2014 në regjinë e Sesilia Plasarit.
Regjisorja Plasari sjell me një finesë dhe lojë elegante në skenën e Teatrit Kombëtar Ndriçim Xhepën në dramën "Liri në Bremen", i cili do të intepretojë në shfaqje përkrah aktorëve si, Gladiola Harizaj, Anastas Kristofori, Vasjan Lami, Pjerin Vlashi, Aneta Malaj, Sokol Angjeli, Bujar Asqeriu, Anila  Bisha, Naun Shundi, Gert Ferra, Indrit Çobani dhe Anil Frashëri.
Vepra frymëzohet nga një ngjarje e vërtetë e Bremenit të vitit 1831. Ekzekutimi i fundit publik me prerje koke në këtë qytet të Gjermanisë, ishte ai i një gruaje që kishte helmuar  me arsenik pesëmbëdhjetë persona të familjes e të rrethit të saj.
Regjisorja Sesilia Plasari
Gjenia e autorit Rainer Werner Fassbinder nxjerr nga kjo ngjarje e kronikës së zezë një tragjedi agresivisht naive të jetës sociale. Personazhi kryesor i veprës, Geshja e tij, prezantohet  si një luftëtare spontane e përpjekjes së gruas për emancipim. Dhunën e saj e pjell ëmbëlsia e saj dhe ajo çka duket si diabolike vjen nga marrëdhënia e saj me zotin, nga respekti për atë çka ajo e ndjen si të shenjtë.
Ajo vret për të çliruar shtypësin,  njësoj edhe të shtypurën. Pjesa është një lloj parabole tragjikomike e vështirësisë, ose e pamundësisë për t'u emancipuar në kushtet e një bote të cilën nuk e rrotullojnë vlerat e vërteta humane (dashuria, respekti dhemshuria), por materializmi, lufta për mbijetesë, indiferenca, cinizmi dhe agresiviteti.
Në një botë të tillë marrëdhëniet bëhen gjithnjë e më vrastare, si shpirtërisht, edhe fizikisht ; kjo botë ha pjellat e veta. Pjesa eshte ndërtuar si një alegori e mënyrës sesi ngjizet fashizmi, fenomeni i dhunës dhe diktatura.
/k.m//a.ke/