Kur gjithë pompozitet Presidenti i FSHF-së, z. Duka deklaroi atë që më pas publikisht e mohoi, se jo të gjitha gabimet e arbitrave kanë qenë të natyrës njerëzore dhe se komisionet përkatëse kanë dënuar mëkatarët, ish-arbitri i FIFA-s, Lorenc Jemini, si një prej të përjashtuarve, pat deklaruar publikisht:        "Unë tani jam i lirë. Ju nuk keni parë gjë akoma". Kopjoi shprehjen më fshatareske të disa prej politikanëve tanë, që me pushtetin që ju ka besuar populli, thonë se akoma nuk e keni parë së ç'farë jemi të aftë të bëjmë...

Por në fakt ç'farë të veçantë pamë nga qenia e z.Jemini në "liri?"   
Moviolistët, që z. Duka i injoroi duke deklaruar në RTSH, se ata nuk janë produkt i FSHF-se, por i studiove televizive që i aktivizojnë, duke mos shprehur fare mirënjohje për sakrificën e madhe që ata bëjnë nga java në javë, duke cenuar kështu rëndë personalitetin dhe profesionalizmin e tyre, vetëm e vetëm, për të krijuar imazhin e rremë tek sportdashësit se arbitrat tanë japin vendime të drejta. Z. Duka dhe kushdo tjetër duhet ta kuptojë se moviolistët ekzistues, në konflikti interesi me FSHF-në, i kanë sjellë një dëm shumë të madh jo vetëm fushës se arbitrimit, specialistëve në studio, por edhe vetë sportistëve dhe sportdashësve.

Standardet e gjykimit për shkeljet brenda 16 metershit janë dëmtuar shumë rëndë. Kërkesën e vazhdueshme të bërë nga mjeshtri i madh dhe i guximshëm i gazetarisë sportive, nga i nderuari Besnik Dizdari, ka ardhur koha që studiot sportive duhet ta marrin në konsideratë. Moviolistët në konflikt të pastër interesi me FSHF-në, duhet të merren vetëm me përgatitjen e arbitrave cilësore dhe jo më me justifikimin e shëmtuar të gabimeve të tyre.

Po Jemini në rolin e ri të moviolistit?
Duke qene se Jemini në ketë pozicion të ri, nuk erdhi me bekimin e shefave, por si i ftuar i Top Channel, u mendua se do të paraqiste një moviolist ndryshe, që për fat të keq nuk e pamë. Ai nuk u shkëput dot as nga e kaluara si arbitër dhe as nga hija e ish shefave të tij.  Shumë shpejt u duk se po luante me dy porta. Justifikimi i rasteve të mos dhënies së 11 metërshave të pastër, apo dhënies së tyre në mënyrë të gabuar, pa argumentet ligjorë të lojës se futbollit, e zbehu shpejtë besimin se do të shikonim një moviolist profesional.

Moviola nuk duhet trajtuar si një gjyq që i bëhet arbitrave, madje nuk duhet përmendur kurrë emri i tyre. Moviolisti duhet të jetë shumë racional dhe fjalë pak. Ai duhet të thotë se rasti që diskutojmë është penallti për këtë arsye dhe jep argumentin ose e kundërta. Por përdorimi i shprehjeve si "ky arbitër tregoi një guxim të madh që anuloi këtë gol në sekondat e fundit", si "penallti nuk u dha me të drejtë" e më pas si "unë do ta jepja këtë penallti", si "edhe ishte edhe nuk ishte penallti", ose ka një kontakt të vogël, pa argumentuar se cili ishte efekti i kontaktit ndaj lojtarit sulmues dhe a ia hoqi atij mundësinë për të shënuar etj. Janë shpjegime jo profesionale. Por gabimi më i rëndë është kur publikisht moviolisti thotë: "Sipas rregullores, penalltia jepet vetëm kur kemi prekje të topit me dorë me qëllim". Kur në fakt rregullorja thotë"... me qëllim dhe nga pakujdesia".

Por si u dënua dhe u rehabilitua Jemini. Në mënyrë institucionale apo nga cubat e FSHF-së?
Z. Duka pat deklaruar se e dënuan komisionet përkatëse. Z. Kastrati deklaroi se komisionet nuk kanë dhënë asnjë masë dënimi?!  Sidoqoftë z. Jemini jo vetëm që ju hoq titulli i Arbitrit të FIFA-s por u përjashtua edhe nga arbitrimi si një person që vendos rezultatet e ndeshjes në mënyrë të paragjykuar.  

Është norma më elementare morale që një i përjashtuar i tillë, nuk duhet të jetë më pjese e FSHF-së e jo më të rikthehet si vëzhgues i arbitrave. Është plotësisht e qartë se atë nuk e dënuan komisionet përkatëse, por cubat e FSHF-së. Pikërisht ata cuba që kanë rikthyer, më shpejtë se sa i kanë dënuar edhe disa arbitra të tjerë të kapur me fakte të pa diskutueshme korruptimi me drejtuesit e klubeve. 

Nga cubat u dënua edhe Dhori Prifti, modeli i një njeriu dhe arbitri dinjitoz. Por delegatët korçar në Asamblenë Zgjedhore, nuk duhet të heshtin si deri më sot, pot t'u kërkojnë cubave shpjegimin se kush e ka dënuar Dhori Priftin, motivin dhe pse nuk u ndoq rruga institucionale, pse nuk u zbatuan rregullat për largimin e tij. Nëse janë korçare te vërtetë e kanë për detyrë të mbrojnë nderin dhe dinjitetin e figurave te nderuara sportive te qytetit te tyre.  

Po emërimi i tij si vëzhgues i FSHF-së, është i bazuar në ligj, apo edhe ky është një vendim cubash?
Sipas rregullores lista e arbitrave dhe vëzhguesve te FSHF-se hartohet nga komisionet përkatëse dhe ne fillim te çdo kampionati i dorëzohet për miratim Komitetit Ekzekutiv te FSHF-se i cili ka te drejtën ligjore dhe përfundimtare te caktimit te arbitrave dhe vëzhguesve, për një sezon futbollistik të caktuar.  Pra ky emërim është jo ligjor. Duke kaluar përsëri nën vartësinë e ish-shefave të tij, Jemini e humbi përsëri atë liri që e publikoi me aq bujë, por ndërkohë na hoqi mundësinë dhe ne të tjerëve për të parë atë që ai tha se "Ju nuk keni pare gjë akoma”. 

Sidoqoftë unë i uroj z. Jemini, që në këtë detyrë të re të vendosur me shumë dritëhije, të bëhet një vëzhgues i mirë. Uroj gjithashtu, që të mos u mësojë arbitrave sesi të manovrojnë, por çfarë ata duhet të bëjnë që të arbitrojnë mirë.
 
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com