Liroi lordin e drogës, KPK shkarkon Petraq Çurin: Nuk justifikon 70 mln lekë pasuri

TIRANË- Gjyqtari i Durrësit, Petraq Çuri mbetet jashtë sistemit të drejtësisë. Ai është shkarkuar ditën e sotme nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK). Një ditë më parë Shqiptarja.com solli raportin e plotë, nga ku u konstatua se nuk justifikon me të ardhura të ligjshme disa apartamente, garazhe, makinë dhe qindra mijëra euro të ardhura që kapin vlerën e 700 milionë lekëve (të vjetra). 

Sipas dosjes së verifikimit, gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri nuk justifikon një apartament dhe garazh në Tiranë, blerë në vitin 2007 për 84 mijë euro, një shtëpi me dy kate në Dhërmi deklaruar 15 milionë lekë si dhe një makinë me vlerë 26.3 mijë euro. Gjyqtari ka blerë edhe dy apartamente në Vlorë, duke pretenduar se këtë pasuri i janë dhuruar bashkëshortes nga nëna e saj, por KPK-ja ka konstatuar se në kontrata e blerjes së apartamenteve shënohet se vlera është shlyer jashtë zyrës noteriale.

Komisioni i Vetingut ka parë me dyshim edhe një pasuri, sipërfaqe toke 8.8 mijë m2 në Dhërmi, që bashkëshortes së gjyqtarit ia ka dhuruar nëna e saj. Vajza e gjyqtarit ka në pronësi një garazh, të cilin pretendon se ia ka dhuruar gjyshja. Mirëpo, vajza nuk ka qenë në Shqipëri kur është bërë dhurimi. Petraq Çuri nuk ka bashkëpunuar me KPK-në për të treguar shpenzimet për shkollimin e vajzës në Angli.

Petraq Çuri ka deklaruar 42 milionë lekë ose rreth 400 mijë USD të ardhura nga puna e tij si avokat për periudhën 1993-2010, të ardhurat nga puna e bashkëshortes nga viti 1987 e në vijim, interesat bankare në vite në ish-firmat piramidale dhe interesa në Bankën e Kursimeve. Nga kjo shumë, Komisioni i Vetingut i ka njohur si të ligjshme vetëm rreth 60 mijë USD. Gjyqtari ka deklaruar edhe rreth 60 mijë USD të ardhura nga qiradhënia e dhomave të banesës në Dhërmi, por KPK-ja i ka konsideruar si fiktive.

Për të justifikuar këtë pasuri, gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri ka pohuar se ka fituar nga qarkullimi i parave në ish firmat piramidale të vitit 1996, ku interesi sipas tij ishte deri në 30 %. Gjyqtari ka theksuar se vjehrra e tij ka punuar në Greqi. Çuri kërkoi nga Komisioni i Vetingut që të njihte 40 mijë euro nga puna vjehrrës së tij në Greqi. Gjyqtari, i cili mbrohej nga avokatja Antoneta Sevdari, e shkarkuar nga Vetingu si prokurore, pretendoi të ardhura nga puna dhe pensioni i prindërve të tij.

Gjyqtari i Durrësit Petraq Çuri është lakuar në publik në korrik të vitit 2017 pasi liroi nga burgu Alket Hatinë, i konsideruar nga mediat si lordi i drogës në Milano. Alket Hatija u arrestuar në 8 korrik 2017 për llogari të autoriteteve italiane, në funksion të ekstradimit në Itali, ku ishte dënuar me 20 vite burg për trafik droge, pasi vetëm gjatë një viti ka arritur të trafikojë në Milano 350 kg heroinë e 190 kg kokainë me vlerë rreth 40 milionë euro.

Por, në 11 korrik 2017, gjyqtari Petraq Çuri e liroi nga burgu Alket Hatinë. Ministrja e Drejtësisë në atë kohë, Etilda Gjonaj, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë hetimin disiplinor dhe shkarkimin e gjyqtarit Çuri, me pretendimin se ka kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e gjyqtarit në dhënien e vendimit për mosmiratimin e arrestit të shtetasit Alket Hatija dhe lirimin e tij. Kërkesa nuk u pranua nga KLD-ja.

Në korrik të vitit 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Lartë të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave e kallëzoi penalisht gjyqtarin e Durrësit, Petraq Çuri, për të mosdeklarimit të pasurisë.

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor

Parashikimi i motit, e enjte, 26 dhjetor